I turpëruar dhe i këshilluar

“Dhe nëqoftëse dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet. Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla” (2 Thesalonikasve 3:14-15).

Parathënie

Në këto vargje, Pali na jep udhëzime të sakta, lidhur me ata, që janë të çrregullt e të padisiplinuar, si edhe lidhur me mënyrën se si duhet të sillemi me njerëz të tillë. E shohim se si ai, që e këshillon dikë, që e ka gabim, duhet ta japë këshillën e tij, duke u treguar sa strikt, aq edhe i mëshirshëm. Nuk e zgjidhim problemin, as kur tregohemi tmerrësisht strikt, as kur ia mbulojmë me qëllim fajin tjetrit. Përkundrazi, shkaktojmë më shumë vështirësi e probleme, kur veprojmë kështu.

I turpëruar

Nëse ai, që është i çrregullt, nuk pranon të marrë udhëzime biblike prej krerëve të kishës, atëherë nuk ka rrugëdalje tjetër, veçse ky person të disiplinohet. Pali përdor fjalën “shënojeni“, që do të thotë se ky anëtar i çrregullt i kishës duhet të mënjanohet nga të tjerët e të mbahet nën mbikqyrje. Një ide e tillë është theksuar edhe më parë tek 2 Thesalonikasve 3:6, “Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh“. Sjellja e një anëtari të tillë të çrregullt mund të deklarohet publikisht edhe para të tjerëve. “Në se pastaj refuzon t’i dëgjojë, thuaja kishës; dhe në qoftë se refuzon edhe ta dëgjojë kishën, le të jetë për ty si pagan ose tagrambledhës” (Mateu 18:17). Pikërisht, në këtë moment, nuk duhet patur më shoqëri me një anëtar të tillë.

Pali na këshillon në këtë mënyrë, me qëllim që besimtarët e larguar prej kishës të kthehen e të kenë përsëri një marrëdhënie të perëndishme me Krishtin dhe me kishën e Tij. Anëtarit të çrregullt i duhet të ndihet “i turpëruar”. Kjo fjalë ka kuptimin e atij, që “i hedh një sy mirë vetes” dhe e sheh se ku ka gabuar. Nuk janë të tjerët ata, që duan ta turpërojnë këtë person me dashje, apo që sillen lart e poshtë, duke përhapur thashetheme lidhur me sjelljen e këtij anëtari. Përkundrazi, një anëtar i tillë ndihet vetë i turpëruar dhe thellë në zemër e di se ka gabuar. “Nuk do të bësh padrejtësi gjatë gjykimit; nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm; por do të gjykosh të afërmin tënd me drejtësi. Nuk do të shkosh e të sillesh duke shpifur nëpër popullin tënd, as do të mbash qëndrim kundër jetës të të afërmit tënd. Unë jam Zoti. Nuk do të urresh vëllanë tënd në zemrën tënde; qorto gjithashtu fqinjin tënd, por mos u ngarko me asnjë mëkat për shkak të tij. Nuk do të hakmerresh dhe nuk do të mbash mëri kundër bijve të popullit tënd, por do ta duash të afërmin tënd si veten tënde. Unë jam Zoti” (Levitikut 19:15-18). Ne mund ta paralajmërojmë anëtarin e çrregullt, por është Fryma e Shenjtë Ai, që e bind atë për mëkatin. “Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim” (Gjoni16:8)… “Këto gjëra nuk po i shkruaj që t’ju turpëroj, por që t’ju paralajmëroj si fëmijët e mi të dashur” (1 Korintasve 4:14)… “Një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju” (Titit 2:8). Prandaj, pra, një turpërim i tillë bëhet me qëllim që ai, që ka mëkatuar, të pendohet e të mos bëhet si lebroz i vazhdueshëm në kishë.

I këshilluar

Besimtari i çrregullt nuk është armiku ynë, edhe pse mund të na duket sikur ai vetë kërkon të na bëhet armik. Këtë njeri duhet ta këshillojmë, që ai të pendohet dhe që pendimi ta kthejë në rrugë të drejtë. Pikërisht, pra, këtë gjë duhet ta kemi parasysh, kur të na duhet për ta korrigjuar atë, që është i padisiplinuar. “Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti. Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit. Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet. Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin. Sepse secili do të mbajë barrën e vet” (Galatasve 6:1-5). Të këshilluarit e dikujt duhet bërë me dashuri vëllazërore, sepse ajo që duam të arrijmë përmes këtij këshillimi është kjo: ta shohim vëllanë apo motrën besimtare tek qëndron përpara fronit të Perëndisë me duar të pafajshme e me zemër të pastër. “Që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Jezu Krishtin” (Kolosianëve 1:28).  

Përfundim

Nuk ia vlen ta përjashtosh mëkatarin nga kisha, atëherë kur ai ose ajo vetë nuk e kupton arsyen pse po e përjashtojnë. Prandaj, pra, kjo arsye duhet t’i bëhet e qartë. Gjon Uesli ka thënë: “Tregoja atij me dashuri arsyen pse po i shmangesh”. Pali nuk e ka fjalën këtu për shkishërimin e atyre, që janë të çrregullt, por, përkundrazi, edhe pse mëkati i tyre duhet vënë në dukje, arsyeja kryesore për një qortim të tillë është që këta njerëz të pendohen e pastaj të falen dhe të mirëpriten përsëri në gjirin e bashkësisë. “Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë” (1Thesalonikasve 5:14).

Mbrapa

Advertisements