I Vajosuri dhe Shfaqjet e Tij

Shfaqjet e Krishtit të ringjallur janë të regjistruara në të katër Ungjijtë, në librin e Veprave të Apostujve dhe në letrën e parë të Korintasve. Asnjëra prej këtyre dëshmive nuk na sugjeron se Zoti nuk u ngrit vërtet fizikisht prej së vdekuri. Ata që thonë ndryshe, i shtrembërojnë shumë Shkrimet për ta justifikuar veten. Vetëm Satanai dhe ata që i vënë veshin gënjeshtrave të tij, nuk duan që ta dijë bota se Krishti është ringjallur vërtet. Ringjallja e Jezus Krishtit është një nga bazamentet kryesore të kishës së krishterë. Ajo është vula dhe kurorëzimi i veprës së Tij për mëkatarët, që vërteton se Ai është “Shpëtimtari i botës” (Gjoni 4:42). Pa ringjalljen, nuk kemi justifikim: “I cili u dha për shkak të fyerjeve tona dhe u ringjall për justifikimin tonë” (Romakëve 4:25). Pa ringjalljen, nuk kemi shpresë për jetën e përjetshme: “Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish” (1 Pjetrit 1:3).

Marku na ofron tre raste të veçanta, kur Zoti u pa prej të tjerëve pas ringjalljes së Tij.

Gruaja

Tani Jezusi, pasi ishte ringjallur në mëngjesin e ditës së parë të javës, iu shfaq së pari Marisë Magdalenë, nga e cila pati dëbuar shtatë demonë. Dhe ajo shkoi dhe ua tregoi atyre që kishin qenë bashkë me të, të cilët ishin të pikëlluar dhe e qanin. Por këta, kur dëgjuan se ishte gjallë dhe se u pa nga ajo, nuk i besuan” (Marku 16:9-11).

Maria Magdalena pati privilegjin e mrekullueshëm për të qenë personi i parë, që e pa Zotin e ringjallur, edhe pse kishte edhe gra të tjera, që ishin me të atë mëngjes. Po pse pikërisht Maria Magdalena, e jo Maria, nëna e Tij, apo Gjoni, dishepulli më i dashur? Maria ishte një grua, që dikur kishte qenë e lidhur prej Satanait, por tani ajo e pa se Mesia kishte korrur me të vërtetë fitore kundër djallit: “Të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish. Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq; dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të” (Kolosianëve 2:12-15). Edhe pse, mesa duket, Maria nuk e kuptoi plotësisht se Krishti duhej të ngrihej prej së vdekuri, ajo, prapëseprapë, me besnikëri e me dashuri, erdhi tek varri për ta vajosur trupin e Tij. Prandaj, nuk duhet të habitemi tek e gjejmë atë, duke e parë Zotin dhe duke u bërë predikuesja e parë e ringjalljes: “Dhe, ndërsa po shkonin për t’u thënë dishepujve, ja Jezusi u doli përpara dhe tha: “Tungjatjeta!”. Atëherë ato u afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. Atëherë Jezusi u tha atyre: “Mos kini frikë, shkoni të lajmëroni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shohin” (Mateu 28:9-10). Ungjilli sipas Gjonit 20:11-18 na jep një përmbledhje më të plotë të asaj, që përjetoi Maria tek varri: “Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit, dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit. Ata i thanë: “O grua, pse po qan?”. Ajo u përgjigj atyre: “Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë”. Si tha këtë, ajo u suall prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi. Jezusi i tha: “O grua, pse po qan? Kë kërkon?”. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: “Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr”. Jezusi i tha: “Mari!”. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: “Rabboni!”, që do të thotë: Mësues. Jezusi i tha: “Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj”. Atëherë Maria Magdalena shkoi t’jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra”. Është për të ardhur keq ta mendosh se ata, që kishin marrë pjesë për tre vjet me rradhë në shërbesën e Zotit, nuk deshën ta besonin Marinë, kur ajo iu tha se Zoti ishte ngritur nga varri. Ata madje e akuzuan atë si gënjeshtare: “Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to. Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre” (Luka 24:10-11).

Udhëtarët

Mbas këtyre gjërave, iu shfaq në trajtë tjetër dyve prej tyre, që po shkonin në fshat. Edhe ata shkuan dhe ua treguan të tjerëve; por as këtyre nuk u besuan” (Marku 16:12-13).

Marku i referohet këtu historisë së dy dishepujve në rrugën Emaus, që jepet më me hollësi edhe tek Luka 24:13-35. Përsëri, e shohim se të njëmbëdhjetë dishepujt nuk donin ta pranonin këtë dëshmi të dytë të ringjalljes së Krishtit. Është interesante tek vëmë re se Zoti iu shfaq atyre “në një trajtë tjetër”. Kjo thënie vë në dukje kotësinë e imazheve dhe relikave të Krishtit në fenë katolike, si edhe në kisha të tjera idhujtare. Madje edhe Maria Magdalena, në fillim, nuk arriti ta njohë dot Krishtin: “Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: “Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr” (Gjoni 20:15). Zoti nuk është i kufizuar nga trupi, që kishte kur jetoi në tokë. Por, Atë do ta njohim, kur ta shohim: “Sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2).

Dobësia

Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve kur ishin në tryezë dhe i qortoi për mosbesimin e tyre dhe për ngurtësinë e zemrës, sepse nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ringjallur” (Marku 16:14).

Dobësia më e madhe është që të mos besosh atë që ka thënë Perëndia. Zemrat e dishepujve ishin të ngurtësuara prej mosbesimit. E kishin parë ringjalljen e Llazarit (Gjoni 11:1-45), por e kishin hedhur poshtë idenë se Ai që e kishte ngritur Llazarin prej së vdekuri, mund të ngrihej gjithashtu vetë prej së vdekuri. Fjalët që iu tha Jezusi dy dishepujve, që po shkonin në Emaus, janë me vend këtu: “Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët! Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?” (Luka 24:25-26). Situata, në të cilën ndodheshin dishepujt, ishte edhe më e ndërlikuar, ngaqë ata ishin fshehur nga frika se mos arrestoheshin prej drejtuesve fetarë: “Pastaj në mbrëmje të po asaj dite, dita e parë e javës, ndërsa dyert e vendit ku qenë mbledhur dishepujt ishin të mbyllura nga frika e Judenjve, erdhi Jezusi dhe u prezantua në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”. Dhe, si i tha këto, u tregoi atyre duart e veta dhe brinjën. Dishepujt pra, kur e panë Zotin, u gëzuan” (Gjoni 20:19-20). Mos, vallë, Jezusi ishte fantazëm, siç thonë disa, apo u ngrit me të vërtetë prej varrit? “Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: “Paqja me ju!”. Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë. Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime? Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!”. Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët. Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?”. Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti. Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre” (Luka 24:36-43).

Jezusi vazhdimisht iu kishte thënë dishepujve se do të ringjallej, por ata se kishin kuptuar: “Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet”. Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet, dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë” (Luka 24:44-46). Historia e ‘Thomait dyshues’ na paraqet si mosbesimin e njeriut, ashtu edhe mëshirën e Perëndisë: “Por Thomai, i quajtur Binjaku, një nga të dymbëdhjetët, nuk ishte me ta kur erdhi Jezusi. Dishepujt e tjerë, pra, i thanë: “Kemi parë Zotin”. Por ai u tha atyre: “Po nuk e pashë në duart e tij shenjën e gozhdave, dhe po nuk e vura gishtin tim te shenja e gozhdëve dhe dorën time në brinjën e tij, unë nuk do të besoj”. Dhe tetë ditë më vonë, dishepujt ishin përsëri në shtëpi dhe Thomai ishte me ta. Jezusi erdhi, ndonëse dyert ishin të mby-llura, dhe u prezantua midis tyre dhe tha: “Paqja me ju!”. Pastaj i tha Thomait: “Vëre gishtin këtu dhe shiko duart e mia; shtrije edhe dorën dhe vëre në brinjën time; dhe mos ji mosbesues, por besues!”. Atëherë Thomai u përgjigj dhe i tha: “Zoti im dhe Perëndia im!”. Jezusi i tha: “Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” (Gjoni 20:24-29). Madje edhe kur Jezusi u ngjit në Qiell, kishte prapë disa veta, që nuk donin ta besonin atë që po shihnin me sytë e tyre, edhe pas të gjitha këtyre ngjarjeve, që kishin ndodhur: “Pastaj të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në atë mal që u kishte caktuar Jezusi dhe, kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan” (Mateu 28:16-17).

Përfundim

Mosbesimi nga ana e pasuesve të Krishtit vlen si një mësim praktik edhe për ne sot. Edhe në zemrat tona nganjëherë ka dyshim, mendime shqetësuese apo mosbesim. Por, duhet t’iu rezistojmë këtyre tundimeve, duke besuar në atë që thotë Perëndia në fjalën e Tij. Duhet të tregohemi vigjilentë e të lutemi, me qëllim që të mos biem në të njëjtin lak, të krijuar prej mosbesimit: “Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë” (Hebrenjve 3:12). Përkundrazi, duhet të vazhdojmë “që të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit” (2 Korintasve 10:5).   

Mbrapa

Advertisements