I Vajosuri dhe të Caktuarit

Parathënie

Në këtë studim, e shohim se si Biri i Perëndisë caktoi dymbëdhjetë apostuj, të cilët do ta çonin përpara punën pas vdekjes, ringjalljes dhe ngritjes së Jezusit në Qiell. Mbretërit dhe njerëzit e shquar nuk mbahen mend dot gjithmonë me emër, por këta peshkatarë, edhe pse të paktë në numër, njihen në mbarë botën me emrin “pasues të Krishtit”. Këta burra kujtohen, sepse ata i besuan Atij, i cili ishte Njeriu më i rëndësishëm, që ka jetuar ndonjëherë. Këta predikues “do të kujtohen gjithnjë” (Psalmi 112:6).       

Misioni

Pastaj ai u ngjit në mal dhe thirri pranë vetes ata që deshi. Dhe ata erdhën tek ai. Dhe ai i caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që mund t’i dërgonte të predikojnë, dhe të kishin pushtet të shëronin sëmundjet dhe të dëbonin demonët” (Marku 3:13-15).

Para se t’i zgjidhte të dymbëdhjetët, Jezusi e kishte kaluar tërë natën në lutje (Luka 6:12). Inagurimi i tyre si apostuj do të thoshte se tani ata ishin një grup burrash të zgjedhur. Zoti i kishte përgatitur për të predikuar dhe për të shërbyer. Ata ishin shembull për të gjithë besimtarët, që vinin tek Krishti, nëpërmjet shërbesës së tyre. Pasardhësit e vërtetë të këtyre burrave janë vetëm ata, që e ndjekin besnikërisht të njëjtin Jezus, ashtu siç e ndoqën edhe të dymbëdhjetë apostujt. Thirrja e tyre ishte e trefishtë:

  1. Ishin thirrur për të ndenjur me Jezusin. Shërbëtorët besnikë të Ungjillit duhet t’i rrinë pranë Zotit. Besimtari duhet të qëndrojë në Krishtin, sepse vetëm atëherë është e mundur që t’i ndjekë mësimet e Tij: “Bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin” (1 Gjonit 1:3). Bota i dallon menjëherë ata, që rrinë me Zotin: “I njihnin se kishin qenë me Jezusin” (Veprat e Apostujve 4:13).
  2. Ishin thirrur për të predikuar. Predikimi dhe mësimi i fjalës së Perëndisë është puna më e rëndësishme në botë. Një pastor, që nuk predikon, është aq i dobishëm, sa ç’është edhe një far pa dritë. Ai është një trombist i heshtur, një roje, të cilin e ka zënë gjumi.
  3. Ishin thirrur për të bërë mrekulli. Ndoshta ne mund të mos thirremi për të shëruar të sëmurët në emrin e Krishtit, por mundet që të lutemi për ta dhe t’i ngushëllojmë ata, që kanë nevojë për ngushëllim. Dishepujt (apo apostujt) edhe shëruan të sëmurët, edhe dëbuan demonët.

Burrat   

Ata ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër; Jakobi, bir i Zebedeut, dhe Gjoni, vë-llai i Jakobit, të cilave ua vuri emrin Boanerges, që do të thotë: “Bij të bubullimës”; Andrea, Filipi, Bartolomeu, Mateu, Thomai, Jakobi i Alfeut, Tadeu, Simon Kananeasi, dhe Juda Iskarioti, i cili më pas e tradhëtoi. Pastaj hynë në një shtëpi” (Marku 3:16-20).

Nga gjithë ajo turmë njerëzish, që e ndiqnin Jezusin, vetëm dymbëdhjetë vetë u zgjodhën për të qenë apostujt e Tij. Fjala “apostull” rrjedh nga greqishtja “apostolo” dhe do të thotë “ ambasador, lajmëtar, i vënë mënjanë për një detyrë të rëndësishme”. Vetë Zoti është Apostulli numër 1: “Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin, i cili është besnik ndaj atij që e bëri” (Hebrenjve 3:1-2). Të gjithë këta burra, me përjashtim të Judës, do ta ndërtonin kishën mbi themelin e shtruar nga Krishti.

Apostujt ishin burra të ndryshuar plotësisht, që në momentin kur iu përgjigjën thirrjes së Krishtit. Ka shumë nga ata që predikojnë në katedra sot, të cilët, edhe pse kanë kryer shkollimin teologjik, prapëseprapë nuk e kuptojnë se kanë nevojë për t’u rilindur. Ata që s’kanë ndenjur kurrë me Zotin, nuk janë në gjendje që t’i nxisin të humburit që të vijnë tek Shpëtimtari. Për ta, puna e pastorit është një mënyrë e mirë jetese, jo punë për Krishtin. Burra të tillë ia bëjnë qejfin djallit, por e ofendojnë Perëndinë.

Keqkuptimi

Dhe u mblodh përsëri një turmë aq e madhe, sa që as bukë s’mund të hanin. Dhe kur të afërmit e tij e morën vesh, shkuan ta marrin atë, sepse flitej: “Nuk është në vete” (Marku 3:20-21).

Lajmi u përhap shpejt dhe të gjithë e morën vesh se ç’po bënte Jezusi. Nga turpi, familja, farefisi dhe miqtë e Jezusit u përpoqën që ta ndalonin. Për ta, shërbesa e Tij ishte vetëm çmenduri. Djalli përdori çdo lloj mjeti të mundshëm, për ta ndaluar punën e Zotit.

Apostujve iu mbeti në mendje kjo ngjarje, sepse edhe ata vetë do ta përjetonin një gjë të tillë në jetën e tyre. Ata që janë të verbër ndaj së vërtetës, kujtojnë se të predikuarit e fjalës së Perëndisë është shenjë çmendurie. Profeti, që erdhi për ta vajosur Jehunë, u konsiderua i marrë (2 Mbretërve 9:11), dhe Festi i tha Palit se ishte i marrë: “Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh” (Veprat e Apostujve 26:24). Besimtarët e sotëm konsiderohen të marrë, po qe se nuk ndjekin rrugën e shumë besimeve, të universalizmit (d.m.th. se të gjitha fetë adhurojnë të njëjtin zot), apo po qe se nuk e pranojnë teorinë e evolucionit. A nuk është për t’u habitur se ai person, që rraskapitet duke bërë gjimnastikë, apo duke iu ngjitur malit, konsiderohet si i përkushtuar dhe i zellshëm, por ai njeri që punon për Zotin, quhet budalla dhe fanatik? Gjërat shpirtërore janë budallallëk për mendjen natyrore: “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht” (1 Korintasve 2:14). Zoti iu rri pranë atyre, që vuajnë për hir të Tij.                   

Përfundim

Apostujt nuk u thirrën për të bërë një jetë lluksi dhe rehati. Përkundrazi, ata u ballafaquan me të gjitha ato probleme dhe vuajtje, të cilat u parashikuan edhe nga Jezusi. Secili prej tyre pati një jetë interesante dhe me plot bekime, por të gjithë vuajtën për kauzën e Krishtit. U keqkuptuan, u rrahën, u burgosën dhe u vranë. Ai që kompromentohet, nuk ka pse të shqetësohet për të tilla gjëra. Ne duhet të vazhdojmë ta përhapim të vërtetën, pavarësisht nëse na pranon apo jo bota.

Mbrapa

Advertisements