Inkurajim në kohë vuajtjeje

“Prandaj, mbasi nuk mundëm më të rezistonim, na u duk e pëlqyeshme të qëndrojmë, të vetëm, në Athinë, dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit, që t’ju fuqizojë dhe t’ju japë zemër në besimin tuaj, që të mos lëkundet askush në këto pikëllime, sepse ju e dini vetë se për këtë jemi caktuar. Sepse, edhe kur ishim midis jush, ju parashikuam se do të heqim vështirësi, pikërisht sikurse ndodhi, dhe ju këtë e dini” (1 Thesalonikasve 3:1-4).

Parathënie

Të krishterët e Thesalonikut pa dyshim që u shqetësuan shumë, kur morën vesh se Pali po vuante e po përndiqej tmerrësisht, për shkak se predikonte ungjillin. Por Pali, në vend që t’i thoshte vetes: “Oh, i mjeri unë, ç’më gjeti!”, u përpoq që t’i inkurajonte besimtarët thesalonikas. Ai u mërzit, kur dëgjoi se edhe ata ishin të mërzitur për hatër të tij. Kjo na tregon sesa shumë e deshte apostulli këtë kishë. Pali dhe shokët e tij donin medoemos që të komunikonin me besimtarët thesalonikas dhe t’i inkurajonin ata që të vazhdonin të rriteshin në besim: “Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur” (Fjalët e Urta 25:25).

Inkurajimi

Pali dëshironte që t’i shihte besimtarët të rriteshin edhe më të fortë në besim, pavarësisht nga vuajtjet që mund të kalonin. Fjala “fuqizoj” (në greqisht: “sterizo”) ka kuptimin e përforcimit të një godine, në mënyrë që t’i bëjë ballë më mirë stuhisë. Kurrë nuk duhet ta harrojmë se të gjithë besimtarët kanë nevojë për mbështetjen e njëri-tjetrit: “Sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni” (Romakëve 1:11). Kur Pali thotë (tek vargu 2) se ai donte që t’iu jepte zemër besimtarëve të Thesalonikut, ai nuk nënkupton thjesht fjalë sentimentale. Zakonisht, dikujt që është i sëmurë, i themi: “Të shkuara”, ose dikujt që i ka vdekur një i afërm, i themi: “T’ju rrojnë të tjerët”. Por Pali këtu përdor fjalën, që ka kuptimin “inkurajoj” (në greqisht: “parakleo”), nga e cila rrjedh edhe fjala “Paraklit”, që në greqisht është emri i Frymës së Shenjtë. “Paraklit” ka kuptimin e dikujt që na qëndron afër, për të na ngushëlluar e për t’u lutur për ne, d.m.th. një avokat: “Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju…Por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë” (Gjoni 14:16, 26).

Asnjë i krishterë nuk mund të mbijetojë pa fuqinë dhe mbështetjen e Frymës së Shenjtë, si edhe pa inkurajimin e besimtarëve të tjerë. Në kishë, asnjë besimtar nuk është si ishull, d.m.th. ai nuk duhet të punojë apo të qëndrojë vetëm, i izoluar nga të tjerët. Duhet ta pranojmë se pa Krishtin dhe pa kishën e Tij jemi të dobët: “Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5)… “Që të mos kishte përçarje në trup, por të gjitha gjymtyrët të kenë të njëjtin kujdes për njera-tjetrën” (1 Korintasve 12:25).

Vuajtja

Pali thotë (tek vargu 3) se ai ishte “caktuar” që të vuante për kauzën e Krishtit. Ata, që sot predikojnë një ungjill pasurie e shëndeti, nuk e kuptojnë dot atë që thotë Pali në këtë varg. Mos, vallë, Pali po thotë gjëra negative, apo thjesht po e pranon se kështu do t’iu ndodhë të gjithë atyre, që do t’i dalin në mbrojtje së vërtetës, duke e predikuar atë? “Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin, përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha. Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:10-12)… “Duke fuqizuar shpirtërat e dishepujve dhe duke i këshilluar që të ngulmojnë në besim, dhe duke thënë se me shumë pikëllime duhet të hyjmë në mbretërinë e Perëndisë” (Veprat e Apostujve 14:22).

Ndoshta Pali po mendonte se mos besimtarët thesalonikas do të kompromentoheshin me botën e do ta braktisnin besimin, nga frika se mos vuanin edhe ata si ai. Ka të ngjarë, gjithashtu, që armiqtë e Palit po iu thonin njerëzve se vuajtjet e tij dëshmonin se ai nuk ishte i dërguar prej Perëndisë, prandaj edhe ata nuk duhej t’i ndiqnin mësimet e tij. Xhorxh F. Titmani ka thënë: “Në mes të fatkeqësisë, njeriu nuk duhet ta braktisë detyrën e vet, kur joshet nga shpresa lajkatare e një jete më të mirë”. Pali iu thotë besimtarëve se kanë për të ardhur kohë të vështira. Prandaj ata nuk kanë pse të tronditen prej lajmeve të këqija. Me pak fjalë, pra, ai iu thotë atyre se Perëndia e ka nën kontroll situatën, ndaj ata s’kanë pse të shqetësohen.       

Përfundim                      

Gjithmonë, do të ketë nga ata njerëz, që kujtojnë se vuajtjet nuk i përkasin besimit të krishterë. Por ata që nuk vuajnë për shkak të besimit, janë të pakët në numër. Vuajtjet dhe vështirësitë na e forcojnë edhe më shumë karakterin: “Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet, duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri. Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë” (Jakobi 1:2-4). Ka mundësi që vuajtja të jetë shenjë besimi të vërtetë, e jo shenjë dobësie personale. Jeta jonë e krishterë nuk matet nga sasia e vuajtjeve që kalojmë, por nga bindja ndaj thirrjes së Perëndisë.

Mbrapa

Advertisements