Inkurajimi i Davidit

“Kur Davidi dhe njerëzt e tij arritën në Tsiklag ditën e tretë, Amalekitët kishin kryer një plaçkitje në Negev dhe në Tsiklag; kishin pushtuar Tsiklagun dhe i kishin vënë zjarrin; kishin zënë robër gratë dhe tërë ata që ndodheshin aty, të vegjël a të rritur; nuk kishin vrarë asnjeri, por i kishin marrë me vete dhe kishin shkuar. Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në qytet, ja, qyteti ishte shkatërruar nga zjarri, dhe gratë, bijtë dhe bijat e tyre i kishin marrë me vete si robër. Atëherë Davidi dhe tërë ata që ishin me të ngritën zërin dhe qanë, deri sa nuk patën forcë të qajnë. Dy bashkëshortet e Davidit, Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, e cila kishte qënë bashkëshorte e Nabalit, figuronin gjithashtu midis robërve. Davidi ishte shqetësuar shumë se njerëzit flisnin për ta vrarë atë me gurë, sepse të gjithë e kishin shpirtin të trishtuar për shkak të bijve dhe të bijave të tyre; por Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij” (1 Samuelit 30:1-6).

Parathënie

E pamë se si Zoti e nxorri Davidin prej një situate të vështirë (shiko studimin e kaluar). Por tani ai po ballafaqohet me një katastrofë tjetër të tmerrshme. Nuk duhet ta imagjinojmë se ishte Perëndia Ai, që i bëri Amalekitët, që t’i zinin robër gratë dhe fëmijët. Por e dimë se kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë, po qe se Davidi nuk do të kishte shkuar në fillim në vendin e filistenjve. Tani që Davidi ishte larguar prej ushtrisë së filistenjve, ai kishte mundësinë për t’i sulmuar Amalekitët dhe për t’i kthyer gratë e fëmijët përsëri në kamp.

Është interesante për t’u theksuar se po zhvilloheshin dy beteja: e para mes filistenjve dhe mbretit Saul dhe e dyta mes Amalekitëve dhe Davidit. Rezultatet e tyre do të ndryshonin shumë nga njëri-tjetri, sepse Sauli do t’i drejtohej mediumit të Endorit (1 Samuelit 28:3-25), kurse Davidi do t’i lutej Perëndisë (1 Samuelit 30:8).

Sulmi amalekitas

Amalekitët ishin barbarët e asaj kohe, ngaqë ishin armiq të çdo populli, që jetonte në atë zonë. Amalekitët kishin qenë armiqtë e parë të Izraelit, gjatë largimit nga Egjipti. “Atëherë erdhi Amaleku për të luftuar kundër Izraelit në Refidim” (Eksodi 17:8). Sulmuan më të dobëtit në fillim, tamam si një turmë ujqërish. “Kujto atë që të bëri Amaleku gjatë rrugës, kur dolët nga Egjipti; ai të doli përballë rrugës, duke sulmuar nga prapa tërë të dobëtit që ishin të fundit, kur ti ishe i lodhur dhe i mbaruar, dhe nuk pati fare frikë nga Perëndia” (Ligji i Përtërirë 25:17-18). Perëndia iu dha urdhër izraelitëve, që t’i shkatërronin plotësisht Amalekitët. “Do të fshish kujtimin e Amalekut nën qiellin” (Ligji i Përtërirë 25:19). Por ky urdhërim nuk u zbatua kurrë. Perëndia i tha Saulit: “Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë” (1 Samuelit 15:3). Por Sauli nuk veproi kështu. Sulmi i Amalekitëve ndaj Tsiklagut nuk do të kishte ndodhur, po qe se Izraeli do t’i ishte bindur Zotit.

Amalekitët gjetën një mundësi për ta sulmuar Tsiklagun, ndoshta ngaqë e dinin se kishte qenë Davidi ai, që i kishte sulmuar fshatrat e tyre. “Davidi dhe njerëzit e tij niseshin dhe bënin plaçkitje në vendin e Geshuritëve, të Girzitëve dhe të Amalekitëve” (1 Samuelit 27:8). Ishin të vendosur për të marrë hak për masakrën e popullit të tyre. Ky fakt na bën të dyshojmë se Davidi ishte rehat në vendin e filistenjve, sepse u ndje aq i sigurtë se nuk do ta sulmonte kush, ndaj edhe nuk la roje mbrapa për t’i mbrojtur njerëzit e vet, kur u nis për luftë. Kështu që, kur erdhën Amalekitët dhe nuk panë asnjë burrë në Tsiklag, e dogjën gjithçka që iu doli përpara, me përjashtim të grave dhe fëmijëve, të cilët i morën për vete për t’i përdorur si skllevër. Fatmirësisht për Davidin, ata nuk vepruan ashtu siç kishte vepruar dikur ai vetë: “Davidi e shkretonte vendin dhe nuk linte gjallë as burra as gra” (1 Samuelit 27:9).

Hidhërimi i Davidit

Davidi u hidhërua shumë, kur e pa se ç’kishin bërë Amalekitët. Nuk e dinte nëse i kishin vrarë, apo jo gratë dhe fëmijët në shkretëtirë. Duhet ta besojmë se, më në fund, ai e kishte kuptuar se ishte vetë fajtor për gjithçka, që kishte ndodhur, ngaqë nuk kishte vepruar sipas vullnetit të Perëndisë. Kishte jetuar për 18 muaj me rradhë, duke mos iu bindur Zotit dhe gjatë gjithë kësaj kohe, qoftë edhe një herë të vetme, nuk e shohim atë duke iu lutur Atij. Prandaj, pra, nuk e kemi gabim, po të sugjerojmë se Perëndia e përdori sulmin e Amalekitëve si një mënyrë ndëshkimi ndaj Davidit, për ta sjellë atë në vete. “Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj” (Zbulesa 13:9). Davidi u prek aq shumë në zemër, saqë qau aq shumë, sa s’i mbetën më lot. “Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij” (Hebrenjve 12:11). Kjo tregonte se Davidi ishte penduar me gjithë zemër për mëkatin e tij. Por tani të gjithë e dinin se ai vetë kishte qenë shkaktar për ngjarjet, që kishin ndodhur, ndaj edhe donin ta vrisnin me gurë.

Fuqia e veçantë

Pendimi na i sjell fuqi shpirtit, sepse fuqia vjen si rezultat i të ndëshkuarit e të qortuarit. “Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur” (Hebrenjve 12:12). Më në fund, Davidi u kthye përsëri në rrugën e drejtësisë. Ai iu lut Atij, i cili ishte i Vetmi, që mund ta ndihmonte për t’i bërë ballë kësaj krize. Jeta e tij kishte marrë rrugën e shkatërrimit, që në momentin, kur kishte hedhur hapat e para drejt vendit të filistenjve, me frikë në zemër: “Davidi tha në zemër të tij: “Një ditë ose një tjetër unë do të vritem nga dora e Saulit; prandaj nuk ka asgjë më të mirë për mua se sa të shpëtoj kokën në vendin e Filistejve” (1 Samuelit 27:1). Por tani ishte besimi i tij në Perëndinë, që do ta çlironte prej kësaj situate. Shëmbëlltyra e Djalit Plangprishës i përshtatet shumë përvojës së Davidit në këtë pasazh biblik (shiko Luka 15:11-32).         

Përfundim

Tek Psalmi 27:1, Davidi shkroi kështu: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?”. Që prej këtij momenti, ai do ta kuptonte se një thënie e tillë ishte plotësisht e vërtetë. Për Davidin, çlirimi erdhi, sapo ai u kthye përsëri tek Perëndia. “O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu. Zemra ime më thotë nga ana jote: “Kërkoni fytyrën time”. Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot. Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim” (Psalmi 27:7-9). Vetëm Perëndia mund ta udhëhiqte e ta çlironte prej duarve të armikut. “O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi. Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën. Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!” (Psalmi 27:11-13). Davidi iu jep këtë këshillë të gjithë besimtarëve: “Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti” (Psalmi 27:14).

Mbrapa

Advertisements