Integriteti (Ndershmëria) Personale

“Ju jeni dëshmitarë, dhe Perëndia gjithashtu, si jemi sjellë me shenjtëri, me drejtësi, pa të meta, me ju që besoni. Ju e dini gjithashtu se ne këshilluam, ngushëlluam dhe i jemi përbetuar secilit prej jush, si bën një baba me bijtë e vet, që të ecni denjësisht për Perëndinë, që ju thërret në mbretërinë dhe lavdinë e tij” (1 Thesalonikasve 2:10-12).

Parathënie

Në këtë pasazh, Pali, pa u mburrur, iu solli ndër mend besimtarëve thesalonikas mënyrën se si ai dhe grupi i tij misionar ishin sjellë, kur kishin qenë në mes tyre. Me tre thënie të shkurtra, ai e përkufizon kështu integritetin e vërtetë të krishterë: 1) Jetoi me shenjtëri; 2) U soll me drejtësi me të gjithë; 3) Jeta e tij ishte pa të meta. Kështu thotë edhe Mikaia 6:8, “O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?“. Për besimtarin, shenjtëria, drejtësia dhe ndershmëria janë pjesë përbërëse të integritetit. Ato përshkruajnë mënyrën se si jetojmë për Perëndinë, mënyrën se si jetojmë përpara të tjerëve, si edhe mënyrën se si jetojmë për vete. Gjon Uesli ka komentuar kështu mbi këtë varg: “Me shenjtëri – përsa i përket gjërave të Perëndisë. Me drejtësi – përsa i përket njerëzve. Pa të meta – përsa i përket vetes sonë”. Duke qenë se ishte babai i tyre shpirtëror, Pali dëshironte që edhe besimtarët thesalonikas të kishin integritet personal.

Një i krishterë që mëkaton?

Po të ishte gjallë sot, apostulli Pal nuk do ta kuptonte dot se si besimtarët e sotshëm thonë se janë të rilindur, e prapëseprapë, nuk shfaqin aspak shenja të kësaj lindjeje të re. Të sugjerosh se një të krishteri i lejohet të mëkatojë (ngaqë është lindur mëkatar), është njëlloj sikur të thuash se gjaku i Krishtit nuk është aq i fuqishëm, saqë ta çlirojë këtë të krishterë prej tutelës dhe fuqisë së mëkatit. Tre fjalët e tekstit të mësipërm (me shenjtëri, me drejtësi dhe pa të meta) na japin standartin e lartë të jetës së krishterë, që edhe vetë Pali priste ta shihte në kishë. Me pak fjalë, pra, besimtarët thesalonikas duhej të “ecnin denjësisht për Perëndinë”, duke vërtetuar kështu transformimin e mrekullueshëm, që kishte ndodhur në jetën e tyre.

Pali e inkurajon kishën, që ta imitojë mënyrën e tij të jetesës: “Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit” (1 Korintasve 11:1). Rruga e të qënit dishepull nuk është e lehtë. Përkundrazi, kjo rrugë kërkon vëmendjen dhe përkushtimin tonë: “Si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?” (Hebrenjve 2:3). Të jesh pasues i përkushtuar i Krishtit, do të thotë të paguash një çmim të lartë. Bibla nuk ka lejon të themi: “Hë, se s’ka problem se mëkatoj, sepse, në fund të fundit, njeri jam, s’jam Zot”.

Të ecurit denjësisht

Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët” (Efesianëve 4:1)… “Që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kolosianëve 1:10). E vetmja mënyrë, me anë të së cilës mund ta arrijmë atë, që është me të vërtetë krishtërim normal, është duke e pastruar “veten nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës dhe [duke e përfunduar] shenjtërimin tonë në druajtjen e Perëndisë” (2 Korintasve 7:1). Prandaj, pra, edhe Pali i shkroi kështu kishës së korintasve: “Na pranoni; ne nuk i kemi bërë padrejtësi askujt, nuk kemi korruptuar askënd, nuk ia hodhëm askujt” (2 Korintasve 7:2). Çdo lloj çrregullsie apo hipokrizie nga ana jonë do të bëjë që emri i Perëndisë të “blasfemohet ndër johebrenj” (Romakëve 2:24).

Ka rëndësi Mbretëria

Besimtarët janë thirrur për të mbretëruar me Krishtin (shiko 2 Timoteut 2:12). E si mund të presim që të hyjmë në Mbretërinë dhe në lavdinë e Tij qiellore, kur nuk e vrasim mendjen fare, nëse po ecim, apo jo, me integritet mbi këtë tokë? “Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të” (Kolosianëve 3:4). Po nuk patëm nivelin më të lartë të integritetit, atëherë nuk do të hyjmë dot në parajsë: “Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë” (Hebrenjve 12:14). Mateo Henri ka thënë: “Privilegji ynë i madh ungjillor është ky: Perëndia na ka thirrur në mbretërinë dhe në lavdinë e Tij. Përgjegjësia jonë e madhe ungjillore është kjo: Të ecim denjësisht për Perëndinë. Duhet të jetojmë si ata, që janë thirrur me një thirrje të tillë të lartë e të shenjtë. Detyra jonë më e rëndësishme është që ta nderojmë, t’i shërbejmë dhe ta kënaqim Perëndinë dhe të përpiqemi për të qenë të denjë për Të”. “Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim, që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit” (Filipianëve 1:9-10).

Përfundim                      

Çarls Spërxhëni ka shkruar kështu: “Epitafi më i mirë mbi varrin tënd është karakteri i mirë. Ata që të deshën dhe që gjetën ndihmë prej teje, do të të kujtojnë, ndërsa numri i atyre që kanë për të të harruar, do të zvogëlohet. Gdhënde emrin tënd në zemrat e njerëzve, jo mbi mermer”. Mënyra se si jetojmë na tregon se kush jemi. Njerëzit shohin sjelljen dhe veprimet tona. Integriteti ka të bëjë me të qënit i rregullt me atë që bëjmë e me atë që themi. E kundërta e integritetit është hipokrizia. A jemi të ndershëm, besnikë dhe të sinqertë në jetën tonë të përditshme? A nxjerrim pretekste, kur nuk jetojmë sipas standarteve, që na ka shfaqur Perëndia në fjalën e Tij? Ç’lloj shembulli jemi për besimtarët e tjerë? Duhet të jemi të shenjtë, si në mënyrën e të sjellurit, ashtu edhe të të jetuarit, sepse jemi fëmijë të Perëndisë, që besojmë në Bibël: “Njerëzit e drejtë udhëhiqen nga ndershmëria” (Fjalët e Urta 11:3).

Advertisements