Izraeli i inatosur

“Mbreti vazhdoi rrugën në drejtim të Gilgalit, i shoqëruar nga Kimhami. Tërë populli i Judës e përcolli mbretin dhe kështu bëri edhe gjysma e popullit të Izraelit. Atëherë tërë Izraelitët erdhën te mbreti dhe i thanë: “Pse vëllezërit tanë, njerëzit e Judës, të kanë marrë fshehurazi dhe kanë bërë të kalojnë Jordanin mbreti, familja e tij dhe të gjithë njerëzit e Davidit?”. Tërë njerëzit e Judës iu përgjigjën njerëzve të Izraelit: “Sepse mbreti është fisi ynë i afërt. Pse zemëroheni për këtë? Mos kemi ngrënë, vallë me shpenzimet e mbretit, ose na ka dhënë ndonjëherë dhurata?”. Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën njerëzve të Judës, duke thënë: “Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit, prandaj Davidi është më tepër yni se sa juaji; për çfarë arësye na keni përçmuar? Nuk kemi qenë ne të parët që propozuam kthimin e mbretit tonë?”. Por fjala e njerëzve të Judës ishte më e ashpër se ajo e njerëzve të Izraelit” (2 Samuelit 19:40-43).

Parathënie

Është për t’u habitur fakti se ata njerëz, që e kishin përkrahur kryengritjen e Absalomit, tani po ankoheshin se nuk ishin pjesë e grupit që po përcillte Davidin për në Jeruzalem. Kjo na tregon se kishte akoma trazira mes popullit dhe mbreti do të ballafaqohet shumë shpejt me trazira të tilla, sapo të kthehet në Jeruzalem.

Akuza

Shpesh Izraelin e konsiderojmë si një trup të vetëm. Por, në fakt, ai përbëhej prej dy grupeve të ndryshme. Dhjetë fiset veriore ishin pjesë e Izraelit, kurse dy fiset e tjera i përkisnin Judës. Dallimet mes këtyre dy grupeve, si nga ana fetare, ashtu edhe nga ajo politike, do të vihen re më mirë në studimet e ardhshme, por në këtë studim do të përqëndrohemi tek konflikti, që egzistonte mes tyre.

Ky konflikt u vu re fillimisht në Gilgal, madje edhe para se Davidi të arrinte në kryeqytet. Izraeli nuk iu zinte besë marrëdhënieve të Judës me Davidin. Dhjetë fiset thoshin se Juda po mundohej ta distanconte veten prej fiseve të tjera. Por kjo akuzë ishte pa baza, sepse vetë gjysma e Izraelit po e përcillte mbretin e jo Juda. Izraeli e akuzoi Judën se po ia vidhte mbretin, duke sugjeruar kështu se Juda po përgatitej të themelonte një shtet tjetër të pavarur prej fiseve të tjera. “Dukej sikur Juda po ia bënte qejfin mbretit, me qëllim që të merrte shpërblime prej tij” (Mateo Henri).

Përgjigja

E shohim se si banorët e Izraelit erdhën dhe i bënë pyetje mbretit lidhur me këtë çështje. Por përgjigja erdhi prej Judës. Banorët e Judës thanë se akuza ndaj tyre ishte e padrejtë, edhe pse e konsideronin Davidin si pjesëtar të familjes së tyre. Kjo përgjigje e inatosi edhe më shumë Izraelin.

Ashtu siç e thanë edhe vetë banorët e Judës, Davidi nuk iu kishte bërë atyre më shumë favore, sesa banorëve të Izraelit. E megjithatë, ata e konsideronin veten si të vetmit fis i kombit, i cili mund ta deklaronte Davidin si mbret të tyrin.

Inati

Juda i tha Izraelit se Davidi i përkiste fisit të tyre, por Izraeli iu përgjigj, duke i thënë se ata e meritonin Davidin më shumë sesa të tjerët, ngaqë ata përfaqësonin shumicën e popullsisë. Kjo ngjarje, pra, në vend që të ishte një ngjarje e gëzuar, ishte kthyer në një luftë politike. Të dyja palët ishin të inatosura. “Në vend që t’i qetësonin gjakrat me fjalë të ëmbla, ata iu përgjigjën njëri-tjetrit me inat, ndaj edhe Davidi nuk guxoi të ndërhynte” (Gjon Uesli). “Perëndia nuk kënaqet, kur na sheh që inatosemi, madje edhe atëherë kur kemi të drejtë” (Mateo Henri). Ashtu siç do ta shohim edhe më vonë, Davidi ka për ta patur shumë të vështirë për ta bashkuar kombin, pikërisht për shkak të një inati të tillë mes të dyja palëve. Një xhelozi e tillë ishte e mjaftueshme për t’i ndezur përsëri zjarret e luftës civile.      

Përfundim

Autori i 2 Samuelit na ofron, pra, këtë pasazh të shkurtër pothuajse si parathënie të kryengritjes në vazhdim. Këtu shohim disa prej problemeve që egzistonin në kombin e Izraelit. “Fara ishte mbjellë dhe do të jepte fryte në përçarjen e fiseve, gjë që do të shkaktonte vetë përçarjen e mbretërisë” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Pa dyshim që Davidi shpresonte ta bashkonte njëherë e mirë popullin, por le të mos harrojmë se një përçarje e tillë kishte ardhur si rezultat i ndëshkimit që Perëndia i bëri mëkatit të Davidit. Mëkati mund të falet, por ai mund të lërë pasoja për gjithë jetën.

Mbrapa

Advertisements