Ja, ku takohemi përsëri!

“Zifejtë erdhën te Sauli në Gibeah dhe i thanë: “Mos është fshehur Davidi në kodrën e Hakilahut në kufi me shkretëtirën?”. Atëherë Sauli u ngrit dhe zbriti në drejtim të shkretëtirës së Zifit, duke pasur me vete tre mijë njerëz të zgjedhur të Izraelit, për të kërkuar Davidin në shkretëtirën e Zifit. Sauli e ngriti kampin e tij në kodrën e Hakilahut, që ndodhet në kufi me shkretëtirën pranë rrugës, ndërsa Davidi gjendej në shkretëtirë. Kur e kuptoi që Sauli vinte për ta kërkuar në shkretëtirë, Davidi dërgoi disa spiunë dhe mësoi që Sauli kishte arritur me të vërtetë. Atëherë Davidi u ngrit dhe shkoi në vendin ku Sauli kishte ngritur kampin. Davidi vrojtoi vendin ku ishin shtrirë Sauli dhe Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së tij. Sauli ishte shtrirë në kampin e qerreve dhe njerëzit e tij ishin rreth tij.” (1 Samuelit 26:1-5).

Parathënie

Davidi është ndodhur edhe më parë në një situatë të ngjashme, dhe, si atëherë, ashtu edhe tani, ai nuk pranon që ta vrasë Mbretin Saul. Davidi do ta kishte patur shumë të lehtë të nxirrte si konkluzion se Perëndia ia kishte prurë armikun në pëllëmbë të dorës, me qëllim që ta hiqte qafe njëherë e përgjithmonë. Por ai e dinte se Perëndia do të hakmerrej vetë kundër Saulit, në kohën e Tij e sipas mënyrës së Vet.

Tradhtarët

Davidi dhe njerëzit e tij e kishin ngritur kampin e tyre në Hakilah, një kodër afër Paranit. Zifenjtë e dinin se ku fshihej Davidi, ndaj edhe vendosën që ta tradhtonin atë tek Sauli. E kishin tradhtuar edhe më parë, ndaj edhe nuk e kishin problem që të vepronin njësoj edhe tani. Ndoshta, për shkak të tradhtisë së parë, ata kujtonin se Davidi do t’i vriste, sapo të bëhej mbret, ndaj edhe donin ta hiqnin vetë qafe. Në vend që të pajtoheshin me Davidin, ata, përkundrazi, i spiunuan Saulit. Veprimi i zifenjve është më i ligë dhe më mizor sesa ç’duket në pamje të parë, po ta marrim në konsideratë faktin se ata e kishin prejardhjen prej të njëjtit fis, atij të Judës, prej të cilit vinte edhe Davidi. “Ndoshta Sauli nuk do t’i kishte shkuar më nga mbrapa Davidit, po të mos ta kishin nxitur këta tradhtarë” (Gjon Uesli).

Tradhtia

Sauli u nis ta kapte Davidin, sapo e mori vesh se ku ndodhej. Të mos e harrojmë se Saulit sikur iu mbush mendja se Davidi s’ishte më armiku i tij, atëherë kur ai ia fali jetën në shpellën e Engedit (1 Samuelit 24:16-22). “Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij” (Fjalët e Urta 26:11). Lajmi i zifenjve ia ndezi Saulit dëshirën për ta vrarë Davidin. Mori me vete 3000 ushtarë, sepse s’ka dyshim se zifenjtë i kishin treguar se Davidi kishte tanimë shumë njerëz, që e mbronin. Sauli u nis, pra, së bashku me ajkën e ushtrisë, duke kujtuar se kësaj rradhe, do ta kapte Davidin patjetër.

E vërteta

Davidi dëgjoi se Sauli po e ndiqte, ndaj edhe dërgoi spiunët e tij, që të sigurohej më mirë. Ndoshta ai kishte shpresë se mbreti do ta mbante fjalën dhe se thashethemet, që kishte dëgjuar, nuk ishin të vërteta. Por, s’kaloi shumë kohë dhe prania e Saulit u bë e qartë dhe kjo e dëshpëroi shumë Davidin. Sauli, ashtu siç e kishte pranuar edhe vetë, s’kishte asnjë arsye pse ta ndiqte Davidin. Por po vepronte kështu nga inati dhe ligësia, që kishte në zemër.

Kampi i qerreve

Davidi e pa se Sauli po flinte në kampin e qerreve, i mbrojtur mirë prej ushtarëve të vet, me komandantin më trim aty afër. Disa komentatorë sugjerojnë se kampi i qerreve ishte një si punë barrikade armatimesh, prapa së cilës mund të fshihej e gjithë ushtria. Kjo ishte një barrikadë qerresh, në formë rrethi. “Njerëzit nomadë të Lindjes i bënin kampet e tyre në formë të rrumbullakët. Ky rreth përbëhej prej njerëzish dhe pajisjesh të tjera ushtarake, me pozicionin e komandantit në qendër. Ai mund të rrinte brenda tentës së tij” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).      

Përfundim

Davidi vendosi të kthehej tek fshatrat rreth e rrotull Zifit. Po të kishte qenë dikush tjetër, do të kishte hequr dorë me kohë e do të ishte larguar sa më larg atij vendi. Por Davidi ndoshta u kthye përsëri në këto toka, ngaqë i duhej t’iu rrinte afër pronave të Abigailit, për t’i mbrojtur. Davidi ishte përgjegjës për jetën e të gjithë atyre, që e rrethonin, ndaj edhe duhet ta ketë patur shumë të vështirë, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo emocionale dhe shpirtërore, që të jetonte gjatë gjithë kohës në shkretëtirë, i ndjekur vazhdimisht prej një të marri. Por ai e dinte se Perëndinë e kishte me vete dhe se Ai do t’ia përmbushte të gjitha premtimet, që i kishte bërë.

Shënim: Disa komentatorë besojnë se këto dy incidente, në të cilat Davidi ia fal jetën Saulit, janë, në fakt, një ngjarje e vetme. Por, edhe pse mund të jenë të ngjashme, prapëseprapë, ato ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, gjë që tregon se ato janë dy ngjarje të ndryshme. 1) Vendet nuk janë të njëjta – e para ishte një shpellë, tjetra ishte një vend i hapur, me një kamp qerresh rreth e rrotull. 2) Sauli u fut në shpellë në Engedi, kurse këtu Davidi e sheh atë në fushë. 3) Brenda shpellës, Sauli u nda nga ushtarët e vet, kurse këtu ai është i rrethuar prej tyre.

Mbrapa

Advertisements