Jeta e përqëndruar tek kryqi (2)

Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës. Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij.” (Romakëve 6:3-5).

Parathënie

Djalli kërkon të na shkatërrojë nëpërmjet doktrinave të rreme apo zbatimit të ligjit dhe dhe të riteve fetare, kurse Jezusi vdiq në kryq për të na çliruar. “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Vetëm Krishti jep jetë të përjetshme, ndaj edhe fitorja jonë bazohet vetëm tek vepra e Tij mbi kryq.

Të varrosur me Krishtin

Teksti i studimit tonë na thotë se “u pagëzuam në vdekjen” e Krishtit dhe “u varrosëm me Të me anë të pagëzimit në vdekje” (Romakëve 6:3-4). Ky fakt bëhet kuptimplotë, sapo fillojmë që t’i besojmë asaj që Krishti bëri për ne në kryq. Pikërisht në këtë moment, Fryma e Shenjtë na vendos “në” Krishtin. Kështu, pra, kur vdiq Jezusi, edhe ne vdiqëm me Të, ngaqë jemi “në” Të. Kur Jezusi u varros, edhe jeta jonë e vjetër me mëkate u varros me Të. Nuk jemi më ata që ishim. Vetja jonë e dikurshme ka vdekur dhe është varrosur – nuk egziston më. Jeta jonë e vjetër, mëkatare dhe të paperëndishme u varros në varr së bashku me Krishtin. Kur Jezusi u ringjall, edhe ne u ringjallëm, por pa mëkat. Kjo do të thotë se jeta jonë e vjetër nuk u ringjall përsëri. “Edhe atëherë kur ishim të vdekur në faje, na dha jetë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:5-6).

Të bekuar me anë të Krishtit

Çfarë bëmë ne, që ta meritonim një bekim kaq të  madh? Jezusi vdiq në kryq në vendin tonë dhe e vetmja gjë që kërkohet prej nesh, është që thjesht t’i besojmë punës së Tij të përfunduar mbi kryq. Duhet të ishim ne ata, që duhet të ishin mallkuar dhe duhet të ishin braktisur prej Perëndisë. Ne duhet të ishim ndëshkuar për mëkatin. “Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona” (Isaia 53:5). Morëm diçka komplet ndryshe nga ç’e meritonim.

Pse veproi kështu Perëndia? Na duket padrejtësi që Ai që ishte pa mëkat, vuajti për fajtorin. Zoti e pa gjendjen e mjeruar të njeriut. E pa se askush nuk mund ta shpëtonte dot veten, edhe sikur t’i zbatonte me përpikmëri të gjitha urdhërimet e Ligjit. Prandaj Perëndia formuloi një plan për ta shpëtuar njeriun, pa patur asnjë lloj ndihme prej tij. “Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë, të paranjohur përpara krijimit të botës, por të shfaqur kohët e fundit për ju” (1 Pjetrit 1:18-20). Askush nuk mund të shpëtohet dot as prej papës, as prej priftit. Askush prej nesh nuk mund ta shpëtojë dot veten, duke zbatuar Ligjin. Krishti erdhi për të bërë atë që s’e bënim dot kurrë, madje edhe po të kishim me qindra jetë! Vetëm sakrifica e Tij mbi kryq, vdekja e Tij zëvendësuese është mjeti ynë i shpëtimit. Jemi të bekuar pa masë në gjakun e Tij.

Besimi në Krishtin

Është e pamundur për t’u rritur e për t’u maturuar në Krishtin, po qe se nuk i besojmë asaj që Ai bëri për ne në kryq. Një besim i tillë nuk është thjesht pranim i një doktrine, por përkundrazi, duhet të jetë epiqendra e jetës sonë të përditshme. Të gjithë të krishterët besojnë se Jezusi vdiq në Kalvar, por të paktë janë ata, që e kanë Atë në zemrat e tyre çdo ditë. Krishtërimi nuk është thjesht një përvojë fetare, e cila ka ndikim pozitiv tek sjellja jonë morale. Krishtërimi duhet të jetë burim i një transformimi radikal, me anë të së cilit marrim fuqi për të jetuar jetën fitimtare, jetën me bollëk.

E vërteta qëndron këtu: të paktë janë ata të krishterë sot, të cilët e kuptojnë se jeta e krishterë është e lidhur ngushtë vetëm me Krishtin. Vetëm Ai iu jep besimtarëve fuqinë për të jetuar si triumfatorë. Dhe si rezultat, të shumtë janë ata, që e kërkojnë fitoren, shenjtërimin dhe paqen diku tjetër, por pa dobi. “A jeni kaq të marrë sa që, mbasi nisët në Frymë, të përfundoni në mish?” (Galatasve 3:3). Po e përqëndruam jetën tonë tek gjëra të tjera, e jo tek Krishti, kemi për të patur vetëm shkatërrim shpirtëror. Qendra e jetës sonë të përditshme duhet të jetë “Jezu Krishti dhe Ai i kryqëzuar” (1 Korintasve 2:2).     

Përfundim       

Këtu qëndron, pra, sekreti i rritjes shpirtërore, i fitores dhe i bekimit. Vetëm kështu mund të kemi një jetë fitimtare. Sa herë që Satanai të na tundojë për të provuar mjete të tjera shpirtërore (ashtu siç veproi ai edhe me Evën), le ta përqëndrojmë vëmendjen tek ajo që Jezusi kreu tek kryqi. Le të heqim dorë prej së përpjekurit për ta shpëtuar vetveten me forcat tona. Vetëm sakrifica e Krishtit i përmbushi kërkesat e shenjta të Perëndisë. Gjaku i Tij i theu zinxhirët e mëkatit dhe ka për t’i thyer gjithashtu edhe zinxhirët e mëkatit të anulluar. Besimi tek ky fakt i transformon mëkatarët në shenjtorë! 

Mbrapa