Jeta në rrezik

Në këtë studim do t’iu hedhim një sy tre personazheve biblike, të cilët e rrezikuan jetën, duke menduar se kishin zgjedhur rrugën e drejtë.

Absalomi

Pastaj Absalomi u ndesh me njerëzit e Davidit. Absalomi i kishte hipur një mushke, e cila u fut poshtë degëve të dendura të një lisi të madh dhe koka e Absalomit mbeti e kapur në lis, dhe ai mbeti i varur midis qiellit dhe tokës; ndërkaq mushka që ndodhej poshtë tij po kalonte tutje. Një njeri e pa këtë gjë dhe lajmëroi Joabin, duke thënë: “E pashë Absalomin të varur në një lis”. Atëherë Joabi iu përgjigj njeriut që e kishte informuar: “Ja, ti e pe? Po pse nuk e shtrive menjëherë të vdekur në tokë? Unë do të të kisha dhënë dhjetë sikla argjendi dhe një brez”. Por ai njeri i tha Joabit: “Edhe sikur të më jepnin në dorë një mijë sikla argjendi, unë nuk do ta shtrija dorën kundër birit të mbretit, sepse ne e kemi dëgjuar urdhrin që mbreti të ka dhënë ty, Abishait dhe Itait, duke thënë: “Kini kujdes të mos i bëni asnjë të keqe të riut Absalom”. Në fakt do të kisha vepruar në mënyrë jo të ndershme kundër vetë jetës sime, sepse asgjë nuk i mbahet e fshehur mbretit; edhe ti vetë do të ishe kundër meje”. Atëherë Joabi tha: “Nuk dua të humb kohën me ty në këtë mënyrë”. Kështu mori në dorë tri shtiza dhe i futi në zemrën e Absalomit, që ishte akoma gjallë në pjesën e dendur të lisit. Pastaj dhjetë shqyrtarë të rinj të Joabit e rrethuan Absalomin, e goditën akoma dhe e mbaruan” (2 Samuelit 18:9-15).

Absalomi, edhe pse ishte i bekuar me një baba që e donte shumë (2 Samuelit 18:33), prapëseprapë ai korri atë që mbolli. Ishte i pashëm, i respektuar, por shumë mendjemadh. Tek 1 Samuelit 14:25-26 na thuhet se ai e kishte mendjen vetëm tek pamja e tij e jashtme. I shkoi dëm të gjitha privilegjet, që i kishte si trashëgimi. Atij i përkiste froni i Izraelit, ngaqë ishte djali i madh i Davidit, por ai donte të bëhej mbret para se t’i vdiste i ati. Ky fakt na sjell ndërmend historinë e djalit plangprishës (Luka 15), i cili ishte gati ta hidhte poshtë marrëdhënien e mirë që kishte me të atin, për të marrë atë që donte. Sa në rrezik e vuri veten!

Juda

Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin. Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë. Ai, pra, fitoi një arë, me shpërblimin e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën. Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: “Ara e gjakut”. Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: “Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!”, dhe: “Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!” (Veprat e Apostujve 1:16-20).

Juda, edhe pse i kishte parë mrekullitë që kishte bërë Jezusi dhe e kishte dëgjuar të vërtetën prej vetë gojës së Tij, prapëseprapë e hodhi poshtë Jezus Krishtin si Zot, duke e shitur Atë për ca monedha argjendi. Në Bibël na thuhet se ai ishte hajdut (Gjoni 12:6) dhe e donte aq shumë paranë, saqë ia shiti veten djallit. “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall” (Gjoni 6:70)… “Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte…” (Gjoni 13:2). Ndoshta Juda kujtoi se, tani që kishte një dorë parash, mund të jetonte rehat, por sa gabim e pati! E rrezikoi jetën, mori rrugën e gabuar dhe përfundoi i varur. “Dhe ai, mbasi i hodhi siklat prej argjendi në tempull, u largua dhe shkoi e u var në litar” (Mateu 27:5). 

Zakeu

Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet; dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur. Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati. Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej. Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde”. Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim. Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: “Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar”. Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: “Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t’ia kthej katërfish”. Dhe Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur” (Luka 19:1-10). 

Të gjithë e dimë historinë e tagrambledhësit të shkurtër, që donte ta shikonte medoemos Jezusin. Ai mori diçka që nuk mund të blihej dot me para – u bekua me shpëtim. Para se t’i ndodhte kjo mrekulli, ndoshta nuk e konsideronte veten si mëkatar, por, kur u takua me Jezusin, e pa veten si njeri të ligë dhe e ndryshoi jetën.

Përfundim                                                                               

Të shumtë janë ata të krishterë, që i përngjajnë Absalomit – mendjemëdhenj dhe me shumë potencial për t’u përdorur prej Frymës së Shenjtë, por që i hedhin shumë shpejt poshtë bekimet e Perëndisë në kërkim të lavdisë së tyre. Të tjerë janë si Juda – angazhohen në aktivitete të ndryshme në kishë, por shumë shpejt e hedhin poshtë besimin, ngaqë mendjen e kanë tek paraja. E lejojnë djallin që t’i mashtrojë. Fatmirësisht, ka nga ata (edhe pse të paktë në numër), të cilët duan ta ndjekin medoemos Krishtin dhe duan të kenë një marrëdhënie personale me Të. Po ne, në cilin grup futemi? A jemi të larguar prej Atit, siç ishte Absalomi prej Davidit? A jemi gati për ta hedhur poshtë Krishtin, siç bëri Juda? Apo jemi si Zakeu, që donta ta njihte edhe më shumë Jezusin dhe t’i shërbente Atij? Nuk e vëmë jetën në rrezik, kur duam ta njohim Zotin, sepse Ai na jep garancinë e shpëtimit.

Mbrapa