Jetojmë për ta kënaqur Perëndinë

“Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë. Sepse ju e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus” (1 Thesalonikasve 4:1-2).

Parathënie

Të jesh i krishterë nuk do të thotë të jetosh sipas një sistemi rregullash, por të kesh një karakter dhe një mënyrë jetese, që është e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë. Këtu përfshihet bindja ndaj Perëndisë dhe shenjtëria në jetën e përditshme. Kësaj çështjeje i referohet edhe apostulli Pal në vargjet e mësipërme. Si besimtarë që jemi, mënyra se si sillemi është e lidhur drejtpërsëdrejti me bindjen tonë ndaj fjalës së Perëndisë. Pikërisht, kjo bindje e kënaq Atë. Thirrja, që na bëhet në këto vargje, është një thirrje e detyrueshme në jetën e krishterë: “Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët” (Efesianëve 4:1)… “Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë” (Efesianëve 4:17)… “Ecni, pra, si bij të dritës” (Efesianëve 5:8). 

Thirrja

Fjalët ‘lutem’ dhe ‘bëj thirrje’ na vënë në dukje faktin se sa e rëndësishme është që besimtari ta ndjekë Krishtin me besim dhe me shenjtëri. Vini re se si Pali e përshkruan këtë fakt si një urdhërim: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2)… “Duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë” (Efesianëve 5:10). Pikërisht në këtë pikë, i krishteri e hedh hapin e parë në rrugën e shenjtërisë: “Sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit” (2 Korintasve 5:7). Pas këtij hapi të parë duhet të ketë vazhdimisht rritje e përparim, sepse shenjtëria është një proçes, jo një arritje.

Të ecurit tonë

Para se të shpikeshin mjetet e transportit, njeriu ecte më këmbë nga një vend në tjetrin. Të ecurit është gjë e natyrshme. S’është për t’u habitur, pra, që Bibla e përdor këtë fjalë për të na përshkruar jetën tonë me Perëndinë: “Pra Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete” (Zanafilla 5:24)… “Noeu ishte një njeri i drejtë dhe i patëmetë midis bashkëkohësve të tij. Noeu eci me Perëndinë” (Zanafilla 6:9)… “Ecni të tërë në rrugën që Zoti, Perëndia juaj, ju ka caktuar, që të jetoni, të keni mbarësi dhe të zgjatni ditët tuaja në vendin që do të pushtoni” (Ligji i Përtërirë 5:33)… “Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 Gjonit 1:7).

Ndoshta edhe ne kemi nevojë që ta ngadalësojmë hapin e të ecim me Perëndinë. Kur rendim sa andej, këtej, nuk kemi kohë për lutje, për reflektim, apo për meditim. Ka shumë besimtarë, që kujtojnë se mund ta kënaqin Perëndinë, vetëm duke vrapuar nga njëri aktivitet shpirtëror tek tjetri. Por mënyra më e mirë për ta kënaqur Atë, është duke kaluar kohë me Të: “Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti” (Psalmi 27:14). Besimtarët superaktivë mund të duken siur janë më të fortë në besim, sesa të tjerët, por Perëndia mendon ndryshe: “Por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur” (Isaia 40:31). Ne mund t’i marrim gjërat me vrull, por Perëndia nuk nxitohet. Do të vijë dita, kur do të ngrihemi me krahë si shqiponja dhe do të vrapojmë me trimat. Por, le të mos harrojmë se edhe të ecurit me Perëndinë është po aq i rëndësishëm.

Krishtërimi me bollëk

Nëse ecim me Zotin, jeta jonë e krishterë nuk është kurrë statike. Asnjëri prej nesh nuk e ka arritur përsosmërinë shpirtërore, por po rritemi drejt saj. Fshatari kënaqet, kur sheh të korrura të mbara e me bollëk. Kështu edhe Perëndia kënaqet, kur fëmijët e Tij rriten në Krishtin: “Unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). Tek kalojmë kohë me Perëndinë, ngaqë jemi në tokë pjellore, rritemi në besim, për shkak se Perëndia na bekon me rezerva të mjaftueshme: “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19). Është e lehtë të kënaqesh me veten e të biesh në gjumë, në vend që të ecësh me Perëndinë. Prandaj, është e rëndësishme që të përqëndrohemi aty, ku po na udhëheq Zoti. Në këtë mënyrë, do të jemi në gjendje ta kryejmë detyrën që na ka dhënë Ai. Xhon Uesli ka thënë: “Për ta kënaqur Perëndinë, nuk mjafton vetëm që të kesh besim, por duhet të teprosh gjithnjë e më shumë në besim”. 

Përfundim                      

Të jetuarit e një jete, që e kënaq Perëndinë, duhet të jetë objektivi i çdo besimtari të rilindur vërtet. Po qe se nuk i pëlqejmë Perëndisë, si do të mund t’i shërbejmë Atij në mënyrë efikase? “Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë” (Romakëve 8:8)… “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6).

Mbrapa

Advertisements