Jezus Krishti dhe Kisha e Judenjve

Në këtë pasazh nga Ungjilli i Markut, Jezusin e shohim tek gjykon si fikun, ashtu edhe Tempullin e Jeruzalemit. Këto dy ngjarje kanë të bëjnë jo vetëm me fenë e judenjve të asaj kohe, por gjithashtu edhe me kishën e krishterë të ditëve të sotme.

Krishti

Të nesërmen, kur dolën nga Betania, Ai kishte uri” (Marku 11:12).

Trupi i Zotit Jezu Krisht ishte prej mishi, tamam si trupi ynë. Ai qau, u gëzua, ndjeu dhimbje, u lodh dhe kishte uri, njësoj si ne. Mrekullia qëndron këtu: Perëndia i përjetshëm ishte gati të banonte në tokë për 33 vjet me rradhë në një trup prej mishi: “Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” (Gjoni 1:14). Në të vërtetë, kjo ishte e vetmja mënyrë, me anë të së cilës Ai mund të vinte “në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 Timoteut 1:15).

Miku i mëkatarëve (Mateu 11:19) ia qan hallin popullit të Tij mbi tokë. Ai i di të gjitha dëshpërimet tona, dobësitë, vuajtjet, sepse Ai i provoi vetë këto gjëra: “Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15). Ai i di vështirësitë, që heqim gjatë ditës. Shpëtimtari dhe Miku i shpirtit tonë është në gjendje të na forcojë me fuqinë e Tij: “Sepse, duke qenë se Ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18). Nuk duhet të lodhemi kurrë së dëgjuari rreth Jezusit si njeri.

Mallkimi

Dhe, duke parë nga larg një fik që kishte gjethe, shkoi për të parë në se mund të gjente diçka atje; por, kur iu afrua, s’gjeti asgjë përveç gjetheve, sepse nuk ishte koha e fiqve. Atëherë Jezusi, duke iu drejtuar fikut, tha: “Askush mos ngrëntë kurrë fryt prej teje përjetë”. Dhe dishepujt e tij e dëgjuan” (Marku 11:13-14).

Jezusi, kur iu afrua fikut, nuk pa gjë tjetër veç gjetheve. Zoti e mallkoi pemën, ngaqë nga pamja e jashtme dukej se ishte e frytshme, por, në të vërtetë, nuk kishte prodhuar fryt. Pas mallkimit, fiku u tha (Marku 11:20). Kjo histori është personifikim i gjërave shpirtërore.

Së pari, fiku shterpë bën fjalë rreth gjendjes shpirtërore të fesë së Judenjve të asaj kohe. Kjo fe ishte e pasur me formalitete e me tradita, por, nga ana tjetër, nuk prodhonte kurrfarë fryti shpirtëror. Ashtu siç e thotë edhe Jeremia, Judenjtë u bënë “fiq të këqij” (shiko Jeremia 24:1-6).

Së dyti, fiku bën fjalë rreth gjendjes shpirtërore të kishës së krishterë të ditëve të sotme. Në kisha ka shumë ‘argëtim e zbavitje’, por kjo nuk shoqërohet me një doktrinë të shëndoshë biblike apo me një mënyrë të shenjtë jetese. Kisha duket sikur është e gjallë, me plot aktivitete si bota, por, në fakt, rrënjët i janë tharë, ngaqë është treguar e vakët dhe e dhënë pas dëshirave mishore e hipokrizisë. Një kishë mund të jetë e famshme dhe plot jetë, por, po qe se Krishti nuk është në të, ajo është e vdekur: “Sepse ti thua: “Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë”; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur” (Zbulesa 3:17)… “Të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu” (2 Timoteut 3:5).

Së fundi, fiku shterpë përmban një mesazh edhe për individët besimtarë. Të pagëzuarit, marrja e darkës së Zotit, të qënit anëtar i një kishe, apo të qënit i perëndishëm nga ana e jashtme, të gjitha këto nuk mjaftojnë për ta shpëtuar shpirtin.Të gjitha këto janë “si një rrobe e ndotur” (Isaia 64:6), po qe se Krishti nuk është me të vërtetë Zoti i jetës sonë. Të gjitha këto janë njësoj si gjethet e fikut, me të cilat Adami dhe Eva u përpoqën ta mbulonin lakuriqësinë e tyre shpirtërore (Zanafilla 3:7). Vetë-drejtësia dhe drejtësia fetare nuk mund ta fshehin mëkatin prej syve të një Perëndie që sheh gjithçka. Ose duhet të prodhojmë fryte, ose do ta humbim përgjithmonë shpirtin. Zemra dhe jeta jonë duhet të japë fryte. Duhet të ketë shenjtëri të vërtetë në ata, që deklarojnë se Krishti është Shpëtimtari i tyre. A e deklarojmë besimin tonë vetëm me fjalë, apo edhe me vepra? A është njëlloj e thëna jonë me të bërën? Zoti pret që të shohë fryte në ne.

Kalbëzimi

Kështu arritën në Jeruzalem. Dhe Jezusi, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë ata që shisnin dhe blinin brenda tempullit dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe nuk lejoi asnjë që të mbartte sende nëpër tempull. Dhe i mësonte duke u thënë atyre: “Vallë nuk është shkruar: “Shtëpia Ime do të quhet shtëpi e lutjes për të gjithë kombet”? Ju, përkundrazi, e keni bërë shpellë kusarësh!”. Tani skribët dhe krerët e priftërinjve kur i dëgjuan këto fjalë kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, por kishin frikë prej Tij, sepse gjithë turma ishte e mahnitur nga doktrina e Tij. Dhe kur u bë darkë, Jezusi doli jashtë qytetit” (Marku 11:15-19).

Shtëpia e Perëndisë duhet të nderohet e të respektohet gjithmonë, pavarësisht sesa modeste mund të jetë ajo. Shumica e vendeve të sotme të adhurimit janë kthyer në shpella kusarësh dhe kanë nevojë për një pastrim rrënjësor prej Zotit. Godina e kishës është vendi, ku mblidhemi për t’u takuar me Perëndinë e Gjallë: “Do t’i çoj në malin tim të shenjtë dhe do t’i mbush me gëzim në shtëpinë time të lutjes; olokaustet e tyre dhe flijimet e tyre do të pëlqehen mbi altarin tim, sepse shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje për të gjithë popujt” (Isaia 56:7)… “Ky tempull, i cili mban emrin tim, mos është bërë vallë në sytë e tuaj një çerdhe hajdutësh? Ja, unë e pashë këtë,” thotë Zoti” (Jeremia 7:11). Mungesa e respektit për godinën e kishës është mungesë respekti e nderi ndaj Perëndisë. Është e vërtetë se godina e kishës nuk është shembull i gjërave qiellore, siç ishte Tempulli, por, megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të tregohemi të shkujdesur me të. Godina është shenjtëruar (d.m.th. vënë mënjanë veçant) prej nesh, me qëllim që të lutemi, të adhurojmë e të predikojmë në të, ndaj edhe brenda saj nuk duhet të ketë asgjë të pashenjtë, që e përdhos Perëndinë dhe shenjtoren e Tij.

Kur hymë brenda një vendi adhurimi, duhet ta dimë se jemi në Shtëpinë e Perëndisë e duhet të tregojmë kujdes, që të mos ofrojmë flijimin e budallenjve: “Ki kujdes hapat e tua kur shkon te shtëpia e Perëndisë; afrohu për të dëgjuar në vend që të ofrosh flijimin e budallenjve, të cilët as nuk dinë që veprojnë keq” (Predikuesit 5:1).   

Përfundim

Duhet të tregojmë kujdes që të mos i shërbejmë Perëndisë thjesht vetëm me fjalë, si në godinën e kishës, ashtu edhe në jetën tonë të përditshme. Ai, i cili i dëboi hipokritët prej Tempullit, shikon akoma se ç’bëhet në Shtëpinë e Tij. A zemërohet Ai, vallë, kur sheh se si sillemi? “Prandaj Zoti thotë: “Me qenë se ky popull më afrohet mua vetëm me gojën dhe më nderon me buzët e tij, ndërsa zemra e tij më rri larg dhe frika e tij ndaj meje është vetëm një urdhërim i mësuar nga njerëzit” (Isaia 29:13).

Mrapa

Advertisements