Jezusi dhe Juda

Zotin Jezus Krisht e tradhtoi njëri prej vetë dishepujve të Tij. Ishte pikërisht Juda Iskarioti ai, që e dorëzoi Zotin në duart e armiqve, duke e shitur Atë për 30 monedha argjendi. Ndaj edhe ajo, që thotë Jeremia 17:9, është absolutisht e vërtetë: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?

Përfituesi

Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin. Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar” (Marku 14:10-11).

A ka prindër, që t’ia vënë emrin fëmijës së tyre Juda? Ky emër është bërë sinonim me tradhtinë. Ja pra, ku kemi një njeri, që nga ana e jashtme, dukej dhe sillej si një dishepull i vërtetë i Krishtit. Juda kishte një privilegj të mrekullueshëm, ngaqë ishte zgjedhur prej Jezusit për ta ndjekur Atë. Ai kishte qenë vetë dëshmitar i të gjitha mrekullive që kishte kryer Jezusi. Ishte dërguar për të predikuar rreth Mbretërisë së Perëndisë dhe për të bërë mrekulli në emër të Krishtit: “Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë” (Veprat e Apostujve 1:17). Asnjëri prej dishepujve nuk dyshonte se Juda ishte hajdut dhe tradhtar. Ja pra, ku kemi një njeri, që ka reputacionin më të keq nga të gjithë në historinë e njerëzimit. Zoti madje tha se Juda ishte një djall: “A nuk ju kam zgjedhur unë ju të dymbëdhjetët? E një prej jush është një djall. Por ai fliste për Judë Iskariotin, birin e Simonit, sepse ky kishte për ta tradhtuar, ndonëse ishte një nga të dymbëdhjetët” (Gjoni 6:70-71). Juda, pra, nuk kishte asnjë të mirë. Ai ishte mik i Satanait, jo mik i Perëndisë.

Perëndia i jetës së Judas nuk ishte Perëndia i vërtetë, por përkundrazi, atij i pëlqente paraja. Gjithmonë, “lakmia për para” ka qenë “rrënja e gjithë të këqijave” (1 Timoteut 6:10). Kjo lakmi iu ka shkatërruar jetën miliona njerëzve. Një lakmi e tillë ia skllavëroi zemrën Baalamit dhe solli gjykimin e Perëndisë mbi Gehazin (shiko Numrave 22 dhe 2 Mbretërve 5). Zemra e Judës ishte nën sundimin e parasë, ndaj edhe atij nuk i bënte aspak përshtypje të vidhte prej Zotit: “Ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda” (Gjoni 12:6). Ungjilli sipas Mateut na tregon se Juda e shiti Jezusin për 30 monedha argjendi dhe ishte gati ta tradhtonte, sa më shpejt që të ishte e mundur: “Dhe u tha atyre: “Sa do të më jepni që unë t’jua dorëzoj?”. Dhe ata i numëruan tridhjetë sikla argjendi. Dhe qysh atëherë ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar” (Mateu 26:15-16). Tek Luka 22:3, na thuhet se Satanai hyri në Judën, që do të thotë se, që prej atij momenti, ai kishte një mendje të çoroditur (shiko Romakëve 1:28).

Pashka

Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?”. Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë. Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. Atëherë ai do t’ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne”. Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën” (Marku 14:12-16).

Vdekja e Zotit mbi kryq në kohën e Pashkëve nuk ishte një koinçidencë, apo një ngjarje e paraplanifikuar prej mendjes njerëzore. Vdekja e Tij ishte pjesë e qëllimit të përjetshëm të Perëndisë. Krishti u kryqëzua pikërisht në ditën, kur u ther qengji i Pashkëve. Festa e Pashkëve kishte si qëllim që t’i afronte Judenjtë tek Ai, sakrifica supreme e të cilit pagoi çmimin për mëkatin e njeriut.

A nuk iu sillte ndër mend Pashka Judenjve çlirimin e mrekullueshëm të paraardhësve të tyre prej skllavërisë në Egjipt, kur Perëndia vrau të parëlindurin? Po, por ata nuk arrinin ta kuptonin dot se një çlirim dhe shpengim akoma më i madh, një çlirim prej robërisë ndaj mëkatit, do t’iu jepej atyre nëpërmjet Mesias.

A iu sillte ndër mend Pashka Judenjve faktin se, nëpërmjet vdekjes së një qengji të pafajshëm, paraardhësit e tyre ishin të përjashtuar prej vdekjes së të parëlindurit? Po, por ata nuk arritën dot ta kuptonin se Mesia i tyre, si “Qengji i Perëndisë, që heq mëkatin e botës” (Gjoni 1:29), është një e vërtetë më madhështore.

A nuk iu sillte ndër mend Pashka Judenjve faktin se, me anë të spërkatjes së gjakut mbi derë, paraardhësit e tyre u mbrojtën prej shpatës së shkatërruesit? Po, por ata nuk pranuan ta deklaronin se gjaku i Krishtit e pastron çdo besimtar prej mëkatit, dënimit dhe frikës së zemërimit: “Aq më shumë gjaku i Krishtit, i cili me anë të Frymës së Shenjtë e dha veten e tij të papërlyer nga asnjë faj ndaj Perëndisë, do ta pastrojë ndërgjegjen tuaj nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë! Për këtë arsye ai është ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes që u bë për shpërblimin e shkeljeve që u kryen gjatë Besëlidhjes së parë, të thirrurit të marrin premtimin e trashëgimisë së amshuar” (Hebrenjve 9:14-15).

A nuk iu sillte ndër mend Pashka Judenjve faktin se paraardhësit e tyre e hëngrën qengjin e therur, si shenjë bindjeje ndaj urdhërimit të Perëndisë? Po, por ata nuk donin që të ushqeheshin me Krishtin, nëpërmjet besimit dhe të merrnin, në këtë mënyrë, shlyerjen për mëkatin: “Sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne” (1 Korintasve 5:7).    

Përfundim

Në studimin tonë të ardhshëm, do t’i hedhim një sy Darkës së Zotit.

Mbrapa

Advertisements