Jezusi hyn në Jeruzalem

Pasazhi biblik, që shohim këtu, përshkruan hyrjen triumfatore të Zotit në Jeruzalem. Që nga ky moment, mendjen e kemi tek ditët e Tij të fundit, para se të kryqëzohej. Ai me qëllim bëri një hyrje të tillë publike në Qytetin e Shenjtë, në mënyrë që askush të mos gabohej lidhur me qëllimin e Tij. Qyteti ishte mbushur me miliona hebrenj, që kishin ardhur për të festuar Pashkët. Për ta, hyrja triumfatore e Jezusit ishte provë e deklaratës së Tij si Mesia.

Kërriçi  

Tani kur iu afruan Jeruzalemit, drejt Betfage dhe Betania, afër malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy nga dishepujt e vet, duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, posa të hyni aty, do të gjeni një kërriç të lidhur, mbi të cilin akoma nuk ka hipur askush; zgjidheni dhe ma sillni. Dhe në se ndokush iu thotë: “Pse po veproni kështu?,” përgjigjuni: “I duhet Zotit. Ai do ta kthejë menjëherë këtu””. Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, në rrugë, dhe e zgjidhën. Disa nga të pranishmit u thanë atyre: “Ç’po bëni? Pse po e zgjidhni kërriçin?”. Këta iu përgjigjën ashtu si u kishte thënë Jezusi dhe ata i lanë të shkojnë. Atëherë ia çuan Jezusit kërriçin, vunë mbi të mantelet e tyre dhe ai u ul mbi të” (Marku 11:1-7).

Jezusi ndaloi në Malin e Ullinjve, afër Betfagës, shtëpisë së fiqve të papjekur dhe afër Betanisë, shtëpisë së të varfërve dhe të të shtypurve. Ishte pikërisht këtu në Betani, ku Maria ia kishte vajosur këmbët Jezusit (Gjoni 2:3). Tani kishte ardhur koha që Ai ta paraqiste Veten si Mesia i Izraelit, Zoti dhe Mbreti dhe të përmbushte kështu profecinë, që gjendet tek Zakaria 9:9, “Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri”. Ai, që kishte bërë që profeti t’i shkruante këto fjalë, e dinte se do të ndodhej një gomar me kërriçin e vet në Betfagë, gati për ta pritur. Kjo ngjarje vërteton se Jezusi është Zoti që di gjithçka. Ai nuk është Krishti i teologjisë liberale, por i historisë dhe i Qiellit. Fjala e Perëndisë gjithmonë do të përmbushet pikërisht ashtu siç ka thënë Ai: “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11). Kërriçit nuk i kishte hipur askush më parë. E prapëseprapë, ai nuk u përpoq ta hidhte përtokë Krijuesin e vet. Dishepujt e kuptuan këtë, vetëm atëherë kur Jezusi u ngrit lart në Qiell: “Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për Të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për Të” (Gjoni 12:16).

Turma

Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës. Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: “Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!” (Marku 11:8-10).

Zoti hyri në Jeruzalem, duke i dhënë kërriçit, në një rrugë të shtruar me rroba e degë palmash: “Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë” (Mateu 21:8). Turma që e mirëpriti në Jeruzalem, përbëhej prej anëtarësh të të gjitha grupeve shoqërore. Të pranishëm ishin dishepujt, si edhe ata, që kishin qenë dëshmitarë të ringjalljes së Llazarit: “Kështu turma, që ishte me Të kur Ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për Të. Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se Ai kishte bërë këtë shenjë” (Gjoni 12:17-18; shiko gjithashtu 11:1-43). Atje ishin edhe farisenjtë, jo për t’u ngazëlluar, por për ta ndëshkuar Jezusin: “Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas Tij” (Gjoni 12:19). Ata i qortuan gjithashtu edhe ata, që e adhuronin Jezusin: “Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: “Mësues, qorto dishepujt e tu!”. Dhe Ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin” (Luka 19:39-40).

Njerëzit thirrën: “Hosana!” Kjo fjalë është një britmë lavdërimi, por origjinën e ka tek shprehja: “Na shpëto!” Duke thënë: “Bekuar është Ai që vjen në emër të Zotit!”, njerëzit po deklaronin se Ai (Jezusi) ishte Mesia i premtuar. “I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit” (Psalmi 118:26). Të përmendurit e Mbretit David tregon se ata kujtonin se Jezusi do t’ua thyente zgjedhën romake dhe do ta çlironte Izraelin prej tiranisë. Turma e konsideroi Jezusin si Mbretin, që do të ulej në fronin e Davidit. Për një moment, ata ishin gati t’i ofronin Atij lavdërimet më të larta. Por s’kaloi shumë dhe thirrjet e tyre: “Hosana!” u kthyen në thirrje: “Kryqëzojeni!”

Qyteti

Kështu hyri Jezusi në Jeruzalem dhe në tempull; dhe, mbasi shikoi mirë çdo gjë, duke qenë se ishte vonë, doli bashkë me të dymbëdhjetët në drejtim të Betanias” (Marku 11:11).

Kur arriti në Jeruzalem, Jezusi hyri në tempull, por vuri re se aty nuk mund të gjente dot pushim! Këtu ka vend vargu 1 Samuelit 4:21, që thotë: “Ikabod”, d.m.th. “Lavdia u largua nga Izraeli”. Ai, i cili shpesh nuk kishte as se ku ta mbështeste kokën (Mateu 8:20), nuk gjeti qetësi as edhe në Shtëpinë e Perëndisë, sepse u mohua prej priftërinjve dhe prej njerëzve.

Përfundim

Të vjen keq të mendosh se shumica e atyre që e adhuruan atë ditë Jezusin, e mohuan Atë vetëm ca ditë më vonë. Zoti vështron tej turmës dhe vë re ata, që me të vërtetë i besojnë Atij me gjithë zemër. Edhe pse të paktë janë ata, që janë gati ta pranojnë Jezusin si Perëndi dhe Shpëtimtar, do të vijë dita, kur të gjithë, besimtarë dhe jo-besimtarë bashkë, do të qëndrojnë përpara Mbretërit të Mbretërve dhe Zotit të Zotërve (Zbulesa 19:16). “Dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:11).

Mrapa

Advertisements