Jezusi që u keqkuptua dhe Martirizimi i Gjonit

Ky pasazh biblik, që po studiojmë, përshkruan vdekjen e tmerrshme të Gjon Pagëzorit prej duarve të Herod Antipasit. Edhe pse autorët e Ungjijve të tjerë bëjnë fjalë rreth martirizimit të Gjonit, është vetëm Marku ai, i cili na shfaq ngjarjet, që ndodhën para këtij martirizimi. Nuk ka fjalë të tepërta në Bibël, prandaj ky studim duhet të ketë ca mësime praktike për t’u mësuar edhe prej nesh.

Keqkuptimi i Herodit

Tani mbreti Herod dëgjoi të flitej për Jezusin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur, dhe ai tha: “Ky Gjoni që pagëzonte u ngjall së vdekuri; prandaj në të po veprojnë pushtete çudibërëse”. Disa të tjerë thonin: “Është Elia”; dhe disa të tjerë: “Është një profet, ose si një nga profetët”. Por kur i dëgjoi Herodi të gjitha këto, tha: “Ky Gjoni, të cilit ia pata prerë kokën, u ngjall së vdekuri!” (Marku 6:14-16).

Herod Antipasi ishte njëri prej 4 bijve të Herodit të Madh. Emri i Gjonit e kishte shqetësuar Herodin, si para, ashtu edhe pas vdekjes së tij, sepse Gjoni e kishte kritikuar ashpër martesën kurorëshkelëse të Herodit me gruan e vëllait të tij, Filipit. Ja, pra, ku shohim një mbret, i cili ka nën kontrollin e vet tërë ushtrinë e kombit, e megjithatë, ka frikë prej një predikuesi, arma e vetme e të cilit ishte fjala e Perëndisë. Perëndia kurrë nuk e lë Veten pa një dëshmitar. Dikush do të ngrihet e do të flasë në emrin e Tij, madje edhe në praninë e udhëheqësve kombëtarë e ndërkombëtarë. Feliksi u tremb, kurse Mbretit Agripa “për pak” sa nuk iu “mbush mendja” të bëhej i krishterë, kur apostulli Pal i ballafaqoi ata me fjalën e Perëndisë, të dalë prej gojës së tij (Veprat e Apostujve 24:25, 26:28). Kush e di, vallë, se ç’pasojë do të kenë fjalët tona tek ndërgjegjet e njerëzve, madje edhe kur ata të duken sikur i mohojnë ato që iu themi? Herodi e dinte se kishte qenë në praninë e “një njeriu të dërguar nga Perëndia” (Gjoni 1:6).

Herodit i kishte ardhur keq, që e kishte ekzekutuar Gjonin. Ai e keqkuptoi se kush ishte Jezusi, duke menduar se Ai ishte Gjoni, i dalë nga varri, që ta vizitonte si fantazmë. Herodi nuk kishte nevojë që një Gjon i ringjalluar ta bindte për mëkatin – ndërgjegja e tij po e kryente mirë e bukur detyrën e saj. Salomoni kishte të drejtë, kur shkroi: “Veprimi i të pabesëve është i dëmshëm” (Fjalët e Urta 13:15).

Martesa e Herodit       

Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua. Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!” Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte. Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë” (Marku 6:17-20).

Marku tani na tregon arsyen e fundit tragjik të Gjonit. Edhe pse Herodi e dinte se Gjoni ishte një profet dhe se gjithçka që predikonte ai ishte e vërtetë, prapëseprapë, ai e urrente Gjonin, ngaqë ai ia kishte vënë në dukje mëkatin. Herodi do ta kishte vrarë Gjonin me kohë, por kishte frikë prej Perëndisë dhe prej Gjonit. Herodit madje i pëlqenta ta dëgjonte Gjonin tek predikonte, por gjithmonë kishte diçka që e pengonte të mos pendohej dhe të mos besonte tek Perëndia. Martesa e tij kurorëshkelëse me Herodiadën kishte më shumë vlerë për të, sesa vetë shpirti i tij.

Pak rëndësi ka se i ç’natyre është mëkati – ai, po nuk u braktis, do ta çojë shpirtin zvarrë drejt e në Ferr. Kurrë nuk mund të ketë falje për një mëkat të parrëfyer, madje edhe kur personi (që nuk e rrëfen mëkatin e tij) është anëtar i një kishe, apo ka frikë nga Perëndia, apo është student i zellshëm i Biblës: “Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt; dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt” (Mateu 5:29-30).

Gjoni i hoqi vërejtjen Herodit për mëkatin e tij dhe ndoshta ai vazhdonte ta qortonte edhe prej burgut. Herodi nuk ishte mbreti i parë, të cilit iu shkaktuan trazira prej një profeti. Si Eliu, ashtu edhe Mikajahu e shqetësuan ndërgjegjen e Mbretit Ahab dhe është interesant fakti se edhe ai kishte për grua Jezebelën e ligë, e cila e urrente Eliun (1 Mbretërve 18:17, 22:8). Në rrethet e sotme klerikale, ka nga ata,                  që e konsiderojnë si gjë të padenjë e pa edukatë t’i thuash Mbretëreshës së Anglisë, apo ndonjë udhëheqësi tjetër kombëtar, që të pendohet. Por Gjoni nuk ishte një predikues i “gjërave të këndshme”, apo i lajkave (Isaia 30:10). Po të ishte gjallë, ai nuk do të pranonte asnjë lloj dekorate prej Mbretëreshës, por përkundrazi, do t’i bënte vërejtje, lidhur me mëkatin e saj. Sot na duhen predikues, që të jenë burra trima dhe të bindshëm ndaj Perëndisë, ashtu si Gjon Pagëzori. Na është dhënë mandati, që t’ia heqim vërejtjen të ligut, jo t’i bëjmë lajka, ndërkohë që ai po fundoset në Ferr: “Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë” (Fjalët e Urta 28:23). “Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë” (Luka 6:26).

Argëtimi i Herodit

Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë. Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap”. Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!”. Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!”. Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit”. Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve” (Marku 6:21-26).

Ashtu si edhe shumica e njerëzve sot, Herodi kujtoi se do ta qetësonte ndërgjegjen e tij të trazuar me të ngrëna e me të pira. Mendoi se do t’i largohej hidhërimi dhe do t’i zgjidheshin të gjitha problemet, po qe se do të ngazëllehej e të bënte qejf. Por vera (të pirët) ia shtoi besimin në vetvete, ndaj tani ai kujtoi se mund të bënte si t’ia kishte qejfi. Gjatë një momenti ngazëllimi sensual, Herodi i premtoi vajzës kërcimtare gjithçka që të dëshironte. Kjo vajzë e ligë ishte nën kontrollin e së ëmës, e cila ishte akoma edhe më e ligë se ajo. Ajo nuk deshi gjysmën e mbretërisë, por, përkundrazi, kërkoi që t’i jepnin kokën e Gjonit mbi një pjatë.

Moraliteti i Herodit    

Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit. Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës. Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr” (Marku 6:27-29).

Herodi kishte mundësi që ta ndalonte këtë veprim të ligë, por ai ekzekutoi një njeri të pafajshëm, ngaqë nuk deshi të vihej në lojë vetë para të tjerëve. Mëkati kish thurur një rrjetë, që sa vinte dhe po e shtrëngonte edhe më fort. Ashtu si Herodit, edhe një mëkatarit mund t’i vijë “shumë keq” për mëkatin që ka bërë, por prapëseprapë, ai duhet të pendohet dhe të kthehet tek Perëndia. Ky akt imoral do ta shqetësonte Herodin gjatë gjithë jetës, si nga ana mendore, ashtu edhe nga ajo shpirtërore.

Skena e fundit e festimit të ditëlindjes së mbretit i ngjan një filmi të frikshëm. Ahengut të pijanecëve i erdhi fundi, kur Herodiadës iu prezantua koka e Gjonit. Në dallim nga mbretëresha e ligë Jezebelë e kohës së Eliut, ajo (Herodiada) arriti që ta vriste profetin, të cilin e urrente. Gjoni urrehej në shtëpinë e Herodit, por ai duhej shumë prej dishepujve të tij, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre, për ta varrosur atë me nderimet e merituara. Herodi e dënoi Gjonin me vdekje, por Jezusi e lëvdoi atë për shërbesën e tij: “Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai” (Mateu 11:11).

Përfundim   

Bota nuk i meriton njerëzit e tillë, si Gjon Pagëzori (shiko Hebrenjve 11:38), të cilët e kanë vulosur dëshminë e tyre me gjak për kauzën e Krishtit. Gjoni kurrë nuk kishte për t’u bërë i pasur në këtë botë. Përkundrazi, shpërblimi i tij ishte i rezervuar për në Qiell. Ne mund të mos na nderojnë këtu në tokë, e ndoshta, edhe mund të na duhet të vuajmë persekucion, apo tallje, apo futje në burg, e madje edhe vdekje. Por e dimë se kemi një shpërblim të përjetshëm me Krishtin: “Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë”. Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë” (1 Korintasve 2:9-10). “Unë mendoj në fakt, se vuajtjet e kohës së tanishme nuk vlejnë aspak të krahasohen me lavdinë që do të shfaqet në ne” (Romakëve 8:18). “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:17).

Mbrapa

Advertisements