Jini të gëzuar!

“Jini gjithmonë të gëzuar” (1 Thesalonikasve 5:16).

Parathënie

Apostulli Pal i jep fund letrës së tij me tetë thënie të shkurtra, të cilat janë me shumë kuptim. Secila prej këtyre thënieve ka të bëjë me atë, që pritet prej jetës së çdo besimtari. Këto thënie na janë dhënë si urdhërime, jo si opcione. Në këtë studim, do t’i hedhim një sy thënies së parë dhe kuptimit të saj.

Duhet të jemi të gëzuar, pavarësisht se në ç’situatë ndodhemi

Duhet të tregojmë kujdes, që të tjerët të mos na konsiderojnë si besimtarë me temperament të trishtuar, apo të zymtë e të ngrysur, por, përkundrazi, secili prej nesh ka arsye për t’u ndjerë i gëzuar. Sa keq është atëherë, kur dëshmia që i tregojmë botës, është thjesht fytyra jonë e vrenjtur! Dhiata e Re e Popullit thotë kështu: “Feja nuk është e zymtë, apo e thartë, por plot me gëzim. Në këtë mënyrë, shenjtorët janë të lumtur, edhe atëherë kur e tërë bota është e vrenjtur. Besimtari ka një burim të fshehtë gëzimi, një Shpëtimtar gjithnjë të pranishëm, një shpresë të bekuar”.

Le të shkatërrohet bota rreth e rrotull nesh. Prapëseprapë, mund të jemi të gëzuar në Zotin. “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakukut 3:17-18)… “U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: “Lëvduar qoftë Zoti” (Psalmi 40:16)… “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush” (Mateu 5:11-12).

Të qënit i gëzuar tregon se i përkasim Perëndisë

Zoti, Perëndia yt, në mes teje është i fuqishmi që shpëton. Ai do të mbushet me gëzim për ty, në dashurinë e tij do qëndrojë në heshtje, do të gëzohet për ty me britma gëzimi” (Sofonia 3:17). Gëzimi është një nga virtytet, që Perëndia e ndan me popullin e Tij. Ai dëshiron që edhe ne ta ndjejmë të njëjtin gëzim, që ndjen edhe Ai në zemër. “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjoni 15:11). Në fakt, ajo që vërteton se Shpirti i Shenjtë është brenda nesh, është gëzimi. “Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi…” (Galatasve 5:22). Është Fryma e Shenjtë Ai, që na nxit, që të jemi të gëzuar. “Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!” (Romakëve 15:13). Ky gëzim është gëzim qiellor, jo thjesht imitim i gëzimit njerëzor.

Këndvështrimi ynë plot gëzim

Vetëm në Dhiatën e Re (pa marrë në konsideratë atë të Vjetrën), na thuhet më shumë se 140 herë që të jemi të gëzuar, sepse gëzimi i Perëndisë brenda nesh na sjell fitore. “Gëzimi i Zotit është fuqia juaj” (Nehemia 8:10). Nuk duhet ta jetojmë jetën, sikur të ishim të vdekur. “Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë Zotin” (Psalmi 115:17). Nuk jemi njerëz të kësaj toke. Përkundrazi, destinacioni ynë është Qielli, d.m.th. prania e Krishtit. “Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme” (1 Pjetrit 1:8). Kështu pra, mund të jemi të gëzuar, pavarësisht sesa e vështirë mund të jetë jeta. “Gëzohuni gjithnjë në Zotin; po jua them përsëri: Gëzohuni!” (Filipianëve 4:4).

Duhet të gëzohemi, si në momente të bukura, ashtu edhe në momente të vështira. “Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim” (Psalmi 31:7)… “Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni. Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet” (1 Pjetrit 4:12-14).

Përfundim                      

Gëzimi ynë nuk ndikohet prej ngjarjeve të jetës. Ai është gëzim shpirtëror, sepse mund të jemi të gëzuar, madje edhe atëherë kur ndihemi të mërzitur. Të qënit i gëzuar vërteton se i besojmë Zotit. Ky gëzim rrjedh nga bindja, që tregojmë ndaj vullnetit të Tij. “Si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar” (2 Korintasve 6:10). Gjon Uesli e quajti një gëzim të tillë: “lumturi e pandërprerë tek Perëndia”.

Mbrapa

Advertisements