Kafi – Fjala mbështetëse

Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde. Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them:”Kur do të më ngushëllosh?”. Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua. Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t ‘u vish hakut atyre që më ndjekin? Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd. Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë. Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua. Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.” (Psalmi 119:81-88).

Parathënie  

Pasuesve të feve të rreme iu pëlqen të vuajnë, sepse kështu iu duket vetja sikur janë më besnikë ndaj zotit të tyre. Por adhuruesit e vërtetë të Perëndisë nuk kënaqen me persekutimin. E megjithatë, persekutimi dhe vuajtja vijnë atëherë kur nuk i presim, sidomos  kur duam të jetojmë në përputhje me fjalën e Zotit. “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Armiqtë e autorit të këtij psalmi jo vetëm që e sulmojnë atë, duke e abuzuar, por gjithashtu edhe duan ta shkatërrojnë përgjithmonë.

Shpirti im shkrihet

Vërtet që jemi të fortë “në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij” (Efesianëve 6:10), por nuk mund ta mohojmë dot faktin se shpesh jemi të dobët nga ana shpirtërore, emocjonale apo fizike, si rezultat i abuzimit dhe i ofendimit, që na bëjnë vazhdimisht të ligët. Është kollaj të dorëzohesh, apo të fshihesh diku, por, si autori i psalmit, ashtu edhe ne, duhet të vazhdojmë t’i besojmë Zotit dhe fjalës së Tij. Duam të çlirohemi prej të ligut, ndaj edhe i thërrasim Zotit për ndihmë. Dëshpërimi na e fortëson edhe më tepër besimin se gjithçka ka për të përfunduar mirë. “Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha” (Psalmi 34:19). Nganjëherë na duket sikur Zoti është larg, kur Ai është në fakt, shumë afër. Janë ndjenjat tona ato, që na e turbullojnë vizjonin. Në raste të tilla, ashtu si autori i psalmit, edhe ne mund të mos gjejmë dot ngushëllim apo fuqi madje as edhe tek Bibla. Vendi ku ndodhemi, mund të na duket i errët dhe ndihemi si një calik i rrudhosur dhe i ekspozuar në tym. Vuajtja dhe përndjekja mund të na duken të papërballueshme. Por nuk duhet të dorëzohemi. Përkundrazi, duhet t’i themi vetes se premtimet e Perëndisë janë të vërteta. Dhimbja mund të jetë e fortë, por fjala e Perëndisë është akoma edhe më e fortë. Mund të shtypemi dhe të dëshpërohemi, por kurrë nuk kemi për t’u shkatërruar. “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuarderi në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar” (2 Korintasve 4:8-9).

Besnikëria

Autori i psalmit ishte aq i dëshpëruar, saqë tek vargu 84 thotë: “Edhe sa duhet të vuaj, o Zot? Kur ke për të më çliruar?” Ai e dinte se përndjekësit e tij donin që ai të vdiste (vargu 87), prandaj edhe ishte aq i dëshpëruar. Armiqtë i konsideronte si gjahtarë, që donin ta zinin atë në kurth. Këta armiq nuk vepronin sipas ligjit të Perëndisë (vargu 85), por autori e dinte se Zoti ishte besnik dhe i mëshirshëm, ndaj këto vuajtje nuk vinin prej Tij, por prej djallit, që donte ta shkatërronte atë dhe gjithë besimin e tij. Djalli gjithmonë mundohet t’i gënjejë pasuesit e Krishtit, duke iu thënë atyre se është Zoti Ai, që po i ndëshkon për mëkatet e tyre. Kështu veproi ai edhe me Jobin, me qëllim që ta largonte atë prej Zotit. Autori i psalmit e dinte se fjalët e armiqve të tij ishin thjesht gënjeshtra dhe ligësi. “Ndihmomë” – i thotë ai Zotit (vargu 86). Kjo është një nga lutjet më të shkurtra në Bibël dhe i përngjan lutjes së Pjetrit, kur po fundosej prej dallgëve. I thirri Zotit: “O Zot, shpëtomë!” (Mateu 14:30). Ndoshta Zoti iu përgjigj autorit me të njëjtat fjalë siç iu përgjigj edhe Pjetrit: “O njeri besimpak, pse dyshove?” (Mateu 14:31). Autori mund të ishte hakmarrë vetë kundra armiqve të tij, por përkundrazi, shpirtin ia besoi Zotit besnik. “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t ‘i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjetrit 4:19).

Përfundim

Ky pasazh i psalmit 119-ë përfundon me një kërkesë të autorit për rifreskim shpirtëror. Ai e di se Perëndia, të Cilit i shërben, është plot “mirësi”, se dashuria e Tij e përjetshme është pjesa kryesore e besëlidhjes që Ai ka bërë me popullin e Tij. Është pikërisht kjo dashuri, që është themeli i marrëdhënies sonë me Zotin. “Po, të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi” (Jeremia 31:3). Nuk është habi, pra, që apostulli Pal e inkurajon kishën me këto fjalë: “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata? Siç është shkruar:“Për ty po vritemi gjithë ditën; u numëruam si dele për therje ”. Por në të gjitha këto gjëra ne jemi më shumë se fitimtarë për hir të atij që na deshi. Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Romakëve 8:35-39). Autori kishte besim tek Zoti. Edhe ne nuk kemi asnjë arsye pse të dyshojmë tek Ai, por përkundrazi, le të vazhdojmë t’i besojmë Perëndisë besnik. “Le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi” (Hebrenjve 10:23). Çarls Spërxhëni shkroi kështu: “Nëse i respektojmë porositë e Zotit, kemi për t’u çliruar prej premtimeve të Tij”.

Mbrapa

Advertisements