Kam vepruar si budalla!

“Tani, të lutem merre shtizën që është pranë kokës së tij dhe enën e ujit dhe të ikim”. Kështu Davidi mori shtizën dhe kanën e ujit që ishte pranë kokës së Saulit dhe iku. Asnjeri nuk pa gjë, asnjeri nuk vuri re, asnjeri nuk u zgjua; të gjithë flinin, sepse një gjumë i thellë i dërguar nga Zoti i kishte zënë. Pastaj Davidi kaloi në krahun e kundërt dhe u ndal larg, në majën e malit; kishte një lartësi të madhe midis tyre. Atëherë Davidi u thirri njerëzve të Saulit dhe të Abnerit, birit të Nerit, dhe u tha: “Abner, nuk po përgjigjesh?”. Abneri u përgjegj dhe tha: “Kush je ti që po i bërtet mbretit?”. Davidi i tha kështu Abnerit: “A nuk je një njeri trim? Dhe kush është baraz me ty në Izrael? Pse, pra, nuk e ruajte mirë mbretin, zotërinë tënde? Njëri nga populli erdhi në fakt për të vrarë mbretin, zotërinë tënde. Ajo që ke bërë nuk është aspak e mirë. Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ju meritoni vdekjen, sepse nuk e keni ruajtur mirë zotërinë tuaj, të vajosurin e Zotit! Dhe tani shiko ku është shtiza e mbretit dhe kana e ujit që ishte pranë kokës së tij!”. Sauli njohu zërin e Davidit dhe tha: “A është zëri yt, o biri im David?”. Davidi u përgjegj: “Éshtë zëri im, o mbret, o imzot!”. Pastaj shtoi: “Pse zotëria im e persekuton shërbëtorin e tij? Ç’kam bërë? Çfarë të keqe kam kryer? Prandaj tani, të lutem, dëgjo, o mbret, o imzot, fjalët e shërbëtorit tënd. Në rast se Zoti të nxit kundër meje, ai le të pranojë një blatim! Por në rast se janë njerëz, qofshin të mallkuar përpara Zotit, sepse sot më kanë përzënë që të më pengonin të merrja pjesën në trashëgiminë e Zotit, duke më thënë: “Shko t’u shërbesh perëndive të tjera”. Tani, pra, gjaku im mos rëntë në tokë larg pranisë të Zotit! Sepse mbreti i Izraelit doli për të kërkuar një plesht, ashtu si gjuajnë një thëllëzë nëpër male”. Atëherë Sauli tha: “Kam mëkatuar; ktheu, biri im David, sepse nuk do të bëj më asnjë të keqe, sot jeta ime ishte e çmuar në sytë e tua; ja, kam vepruar si një budalla dhe kam gabuar rëndë”. Davidi u përgjegj: “Ja, shtiza e mbretit; le të vijë këtu një nga të rinjtë e ta marrë. Zoti do t’i japë secilit simbas drejtësisë dhe besnikërisë së tij; sot në fakt Zoti të kishte dhënë në duart e mia, por unë nuk desha të shtrija dorën time kundër të vajosurit të Zotit. Ashtu si sot jeta jote ka qenë e çmuar në sytë e mi, kështu ka për të qenë e çmuar jeta ime në sytë e Zotit; dhe ai të më largojë çdo fatkeqësi”. Atëherë Sauli i tha Davidit: “Qofsh i bekuar, biri im David. Ti do të bësh vepra të mëdha dhe ke për të dalë me siguri fitimtar”. Kështu Davidi vazhdoi rrugën e tij dhe Sauli u kthye në shtëpinë e vet” (1 Samuelit 26:11b-25).

Parathënie

Përsëri, Davidi përpiqet ta bindë Saulin se nuk e ka patur kurrë qëllim, që t’i bëjë keq atij dhe se gjithmonë i ka qëndruar besnik mbretit. Davidi manovroi bukur, kur e lejoi Abishain, që t’ia merrte mbretit shtizën dhe enën e ujit, sepse tani ai mund ta vërtetonte para të gjithëve se kishte patur mundësi për ta vrarë Saulin, po të donte.

Gabimi i Abnerit

Sapo arriti në anën tjetër të luginës, Davidi thirri me të madhe, duke i zgjuar të gjithë nga gjumi. Abneri u ngrit i nevrikosur, por, shumë shpejt, do t’i acarohej edhe më shumë gjaku, kur Davidi i tha se ç’gabim të madh kishte bërë si roje kryesore, që ishte në ushtrinë e Saulit. Abneri u përpoq ta ndërronte bisedën, duke e pyetur Davidin se pse po e ofendonte mbretin, duke e zgjuar nga gjumi. Por Davidi nuk iua vuri veshin fjalëve të Abnerit, duke i thënë se meritonte vdekjen, ngaqë nuk e kishte mbrojtur siç duhej Saulin. Davidi e vuri në lojë rojen trim, të cilin e kishte zënë gjumi në krye të detyrës! Davidi veproi kështu, me qëllim që t’i tregonte Saulit se kush ishin me të vërtetë shërbëtorët e tij besnikë. Mateo Henri na e paraqet Davidin me këto fjalë: “Shiko tani se kush janë miqtë e vërtetë të mbretit – ti, që e neglizhove dhe e lë atë të ekspozuar, apo unë që e mbrojta, kur ishte i pambrojtur”. Abneri nuk mund t’i kthente dot përgjigje akuzave të Davidit. “Kjo tallje sarkastike erdhi si rezultat i futjes së Davidit në kamp, në mes të ushtarëve të përgjumshëm” (Nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Besnikëria e Davidit

Davidi i lutet mbretit, që t’ia marrë në konsideratë mendimet dhe veprimet e tij, duke u përpjekur kështu, që ta bëjë Saulin ta kuptojë se ai është i pafajshëm. Davidi thotë se është hedhur poshtë prej atyre, që janë në pushtet. Për ta, ai është një njeri pagan dhe i paligjshëm. Jo vetëm që ata e kanë bërë Davidin ta braktisë shtëpinë dhe familjen e vet, por gjithashtu edhe vendin e adhurimit. Këto mendime shprehen bukur prej Davidit tek Psalmi 42:1-3, “Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi. Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë? Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: “Ku është Perëndia yt?“. “Dashuria, që tregojmë ndaj shtëpisë së Perëndisë dhe ndaj popullit të Tij, vërteton se jemi me të vërtetë të krishterë” (Çarls Çapman).

Davidi i lutet Saulit që t’ia falë jetën. Me përulësinë më të madhe, ai ia krahason veten mbretit me një plesht dhe me një zog malesh, dy qënie këto me shumë pak vlerë. Askush nuk do të merrte me vete nga pas një ushtri të tërë, për të gjuajtur një plesht të bezdisshëm, apo një thëllëzë të padëmshme.

Sauli budalla

Sauli u bind, kur dëgjoi ligjëratën e Davidit. “Duket sikur hipokriti e kishte persekutuar Davidin, në kundërshtim me ndërgjegjen e tij dhe në kundërshtim me premtimin, që i kishte dhënë dikur” (Bibla Studimore e Gjenevës). Sauli e konsideroi veten si budallai i pallatit mbretëror, e jo si një mbret i nderuar. Edhe pse i erdhi keq, që e gjeti veten në një situatë të tillë të turpshme, prapëseprapë, nuk duhet ta imagjinojmë se ai ishte me të vërtetë i copëtuar në zemër, ngaqë e kishte trajtuar aq keq Davidin. “Le të mos e ngatërrojmë keqardhjen me pendimin” (Aleksandër Maklaren). Ndoshta Saulit iu kujtuan fjalët e Samuelit: “Ti ke vepruar pa mend” (1 Samuelit 13:13). Fatkeqësisht, Sauli do të tregohej budalla, deri sa të vdiste. E pse ishte budalla? Përgjigja është e thjeshtë: ai vazhdimisht refuzoi, që t’i bindej Zotit. “Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve. Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia” (1 Samuelit 15:22-23). Është interesante për t’u theksuar fakti se Sauli, ngaqë nuk donte ta dëgjonte Zotin, u ngatërrua me shtrigën (mediumin) e Endorit (shiko 1 Samuelit 28).

Sauli kujtoi se ishte e mundur të pajtohej me Davidin, por Davidi e dinte mirë se mbreti nuk do ta mbante fjalën. Sauli u bind se Davidi ia kishte konsideruar jetën si një gjë të çmuar. Pajtimi do të bëhej realitet, nëse edhe Sauli do t’ia konsideronte jetën Davidit si të tillë. Sauli s’e kishte mbajtur kurrë fjalën, ndaj ishte plotësisht e mundur që edhe tani ai donte përsëri t’i bënte keq Davidit.

Lamtumira

Davidi, në vend që t’i zinte besë Saulit, i tha që t’i dërgonte dikë, që ta merrte shtizën dhe enën e ujit. Davidi nuk do të binte në kurthin e një lajkatari. Ai i drejtohet Perëndisë, që të bëhet Gjykatësi i tij. Davidi kishte besim se Perëndia do ta mbronte prej të gjithë atyre, që donin t’i bënin keq. Fatkeqësisht, as këto fjalë bindëse nuk arritën ta bënin mbretin, që të pendohej. “Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme dhe një e ndezur zjarri që do të përpijë kundërshtarët” (Hebrenjve 10:26-27).

Duke u larguar, Sauli e bekoi Davidin, duke treguar kështu se ai e dinte mirë se Perëndia kishte për ta bërë atë mbret të Izraelit. Ndoshta Sauli e pranoi të vërtetën, por tanimë kishte kaluar koha, që kjo e vërtetë të ndikonte për mirë në zemrën dhe mendjen e mbretit. Të gjithë ata, që janë në Ferr, e dinë të vërtetën, por kjo e vërtetë nuk i bën dot të lirë. 

Përfundim

Kjo ishte hera e fundit, që Davidi e pa Saulin gjallë. Atë ditë, ai u largua prej kampit, duke u lutur e duke shpresuar se mbreti do të pendohej. Nga Bibla, nxjerrim si konkluzion se Sauli kurrë nuk u pendua dhe se, pa dyshim, shkoi në Ferr. Në këtë studim, pra, shohim dy jetë: atë të një njeriu besnik dhe atë të një budallai. Besnik është ai njeri, që është simbas zemrës së Zotit (1 Samuelit 13.14).

Mbrapa

Advertisements