Këmbëngulja e Filistenjve

“Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i Izraelit, tërë Filistejtë dolën në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi zbriti në qytetin e fortifikuar. Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit. Atëherë Davidi u këshillua me Zotin duke i thënë: “A duhet të dal kundër Filistejve? A do m’i lësh në duart e mia? Zoti i dha këtë përgjigje Davidit: “Dil, sepse pa tjetër do t’i lë Filistejtë në duart e tua”. Kështu Davidi shkoi në Baal-Peratsim, ku i mundi, dhe tha: “Zoti ka krijuar një të çarë midis armiqve të mi përpara meje, si një e çarë e hapur nga ujërat”. Filistejtë i braktisën atje idhujt e tyre dhe Davidi dhe njerëzit e tij i morën me vete. Më vonë Filistejtë dolën përsëri dhe u përhapën në luginën e Refaimëve. Kur Davidi u këshillua me Zotin, ai i tha: “Mos u dil përballë; merrua krahët, hidhu mbi ta përballë Balsamit. Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për të mundur ushtrinë e Filistejve”. Davidi veproi pikërisht ashtu si kishte urdhëruar Zoti dhe i mundi Filistejtë që nga Geba deri në Gezer” (2 Samuelit 5:17-25).

Parathënie

Sapo e morën vesh se Davidi e kishte bashkuar Izraelin me Judën dhe i kishte tani ato nën sundimin e vet, filistenjtë u grumbulluan për ta shkatërruar kombin e sapoformuar. Ishin shumë të inatosur, ngaqë Davidi iua kishte marrë Jeruzalemin dhe e kishte bërë atë kryeqytetin e Izraelit. Në tekstin e mësipërm, bëhet fjalë për dy beteja, që ka të ngjarë të jenë zhvilluar njëra pas tjetrës.

Refaimi

Lugina e Refaimit ndodhej në jug-perëndim të Jeruzalemit. Ajo përfshinte një zonë rreth 9 km katrorë, e cila konsiderohej si një luginë shumë pjellore. Sipas autorit W.G. Blleik, Refaimi ishte “porta natyrale” e Jeruzalemit. Refaimi njihej gjithashtu edhe me emrin “Lugina e Gjigandëve” (marrë nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Filistenjtë “dolën në kërkim të Davidit”. Kjo do të thotë se ata donin ta vritnin Davidin. Kujtonin se po ta hiqnin atë qafe, atëherë Izraeli do të shkatërrohej fare. Davidi sapo i kishte shpëtuar përndjekjeve të Saulit, që donte ta vriste. Por tani ai kishte të tjerë armiq. Filistenjtë përgatitën një ushtri të madhe në Refaim, vetëm e vetëm që ta hiqnin qafe Davidin. Shpresonin që t’i frikësonin izraelitët, ndaj edhe u përhapën nëpër të gjithë luginën e madhe. Donin që izraelitët t’ua dorëzonin atyre Davidin, me qëllim që ta shpëtonin lëkurën e vet.

Por Davidi, në vend që të shkonte e t’i sulmonte, iu lut Zotit, që ta drejtonte lidhur me këtë çështje. Është e qartë se ushtria e tij e vogël as që krahasohej me atë, që kishin mbledhur filistenjtë. Gjithashtu, filistenjtë kishin sjellë me vete edhe perënditë (ose idhujt) e tyre kombëtarë, me shpresën se ata do t’iu sillnin fitore në fushën e betejës, kurse Davidi kishte përkrah të vetmin Perëndi të vërtetë. Filistenjtë dolën në kërkim të Davidit, kurse Davidi doli në kërkim të Perëndisë, d.m.th. iu lut Atij, që t’i tregonte vullnetin e Tij dhe ta drejtonte me praninë dhe fuqinë e Vet. “Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua” (Fjalët e Urta 3:5-6).

Perëndia e urdhëroi Davidin, që ta sulmonte armikun. Do të ishte Zoti Ai, që do t’i dorëzonte filistenjtë në duart e Davidit, duke përdorur Izraelin si mjet të fitores. Ky premtim u përmbush plotësisht. Ushtria e madhe e filistenjve e bënte luginën të dukej sikur ishte përmbytur me ujë! Por Davidi qe në gjendje t’i mundte. Filistenjtë i lanë nga mbrapa perënditë e tyre dhe Izraeli i dogji. Sa mirë, tek e shohim Davidin, duke iu bindur vullnetit të Perëndisë lidhur me këtë çështje, sepse, po t’i kishte çuar idhujt e filistenjve si trofe lufte në Jeruzalem, ndoshta izraelitët do të fillonin t’i adhuronin. “Do t’u vini flakën shëmbëlltyrave të tyre të gdhendura” (Ligji i Përtërirë 7:5). Kjo fitore, pra, ishte korrur si kundra armikut të Izraelit, ashtu edhe kundra perëndive të rreme. Davidi nuk e ngriti lart veten përpara popullit, por, përkundrazi, e lavdëroi Perëndinë për fitoren. “Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi” (Psalmi 115:1). Davidi ia vuri emrin luginës “Baal-Peratsim”, ose “Perëndia korri fitore”. Nuk dihet arsyeja pse Davidi ia ndryshoi emrin Refaimit, duke zgjedhur emrin “Baal” në vend të emrit “El” (që është emri i Zotit në gjuhën hebraishte). Por ka të ngjarë që ky emër të ketë shërbyer si një mjet kujtese për filistenjtë, për t’iu thënë atyre se as perënditë e tyre nuk mund t’i ndihmonin dot.

Refaimi – pjesa e dytë

S’kaloi shumë kohë dhe filistenjtë u grumbulluan përsëri kundra Davidit. Ndoqën pothuajse të njëjtin plan si më përpara. Me sa duket, nuk donin ta pranonin se ishin mundur prej duarve të Davidit, ndaj edhe u mblodhën përsëri në luginë. Ashtu si filistenjtë, edhe Davidi ndoqi të njëjtin plan si më përpara, d.m.th. ai përsëri iu lut Zotit, që ta drejtonte.

Ndoshta filistenjtë kujtuan se izraelitët do t’i sulmonin në të njëjtën mënyrë si edhe më parë, ndaj edhe i zunë pozicionet njëlloj si në betejën e parë. Por kësaj rradhe, Perëndia i tha Davidit që t’iu binte filistenjve nga kurrizi, jo ballë për ballë. Sapo të viheshin në pozicionin e duhur, Davidit dhe ushtrisë së tij iu duhej të prisnin, derisa ta dëgjonin zhurmën e hapave, që do të vinte prej majës së pemëve, e pastaj do të sulmonin. “Zhurma e hapave” ishte “zhurma e marshimit” të Ushtrisë Qiellore (të ëngjëjve të Perëndisë), që po afrohej, për ta inkurajuar Davidin dhe për t’i frikësuar filistenjtë.

Filistenjtë u mundën si edhe më përpara. Vetë Perëndia i doli përpara Izraelit si Mbreti dhe Udhëheqësi i tyre i vërtetë, ndaj edhe ishte Ai, që iu solli atyre përsëri fitoren. Filistenjtë patën humbje të mëdha, sepse Davidi i mundi që nga Geba (rreth 15 km në veri të Jeruzalemit) e deri në Gezer (35 km në veri-perëndim të Jeruzalemit). Kjo do të thotë se filistenjtë humbën shumë toka, ndërkohë që Davidi mori nën zotërim të tij një sasi më të madhe territori për Izraelin. Disa komentatorë biblikë sugjerojnë se, si pasojë e kësaj beteje të dytë me filistenjtë, kufijtë e Izraelit u shtuan nga 9000 km katrorë në 90000 km katrorë. Kjo sasi toke e fituar iu dha fisit të Benjaminit.

Përfundim   

Këto dy fitore i sollën lavdi Perëndisë dhe nder Davidit. Tek 1 Kronikasve 14:16-17 lexojmë: “Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe ata mundën ushtrinë e Filistejve nga Gabaoni deri në Gezer. Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti solli tmerrin e tij mbi të gjitha kombet”. Kjo na vërteton se 1 Samuelit 2:30 është një premtim, që Perëndia ka për ta mbajtur gjithmonë. “Unë nderoj ata që më nderojnë”.

Mbrapa

Advertisements