Kënga e vrasësit

“Davidi shkonte kudo që Sauli e dërgonte dhe dilte me sukses. Kështu Sauli e vuri në krye të luftëtarëve dhe shihej me sy të mirë nga gjithë populli, madje edhe nga shërbëtorët e Saulit. Gjatë kthimit të tyre, kur Davidi po kthehej nga vrasja e Filisteut, gratë e të gjitha qyteteve të Izraelit i dolën para mbretit Saul, duke kënduar dhe hedhur valle me dajre, me thirrje gëzimi dhe me vegla muzikore. Kështu gratë u përgjigjeshin njera tjetrës duke kënduar, dhe thoshnin: “Sauli vrau mijëshin e tij dhe Davidi dhjetëmijëshin e tij.” (1 Samuelit 18:5-7).

Parathënie

Ajo ngjarje, që filloi si diçka e pafajshme dhe e sinqertë, do të kthehej një ditë në një nga sprovat më të vështira të Davidit. Gratë kënduan një këngë mikëpritjeje për heroin, ashtu siç nderohen edhe sot e kësaj dite nëpër qytete të ndryshme futbollistët, apo sportistët e talentuar. Por mbreti Saul u ofendua prej kësaj kënge. Në vend që të hakmerrej kundër këngëtarëve, ai mori si vendim, që ta shkatërronte vetë Davidin.

Ngritja në pozitë

Davidi e meritonte të ngrihej në pozitë të lartë, për shkak të suksesit të madh, që kishte arritur në fushën e betejës. Mbreti Saul e bëri Davidin gjeneral të ushtrisë së tij. Politikanët gjithmonë i kanë ngritur në pozitë heronjtë e popullit, me qëllim që të përfitojnë sadopak prej tyre. Kështu pra, Davidit iu dha “posti më i lartë ushtarak”, i dyti pas Abnerit, komandantit të ushtrisë (citat i marrë nga Mateo Pull). E dimë se më vonë mbretit do t’i vinte keq, që e kishte ngritur Davidin në pozitë.

Fjalia e parë e tekstit të studimit tonë na vë në dukje faktin se Davidi nuk përdori kurrë asnjë lloj intrige, për ta ngritur veten në pozitë. Përkundrazi, ai i shërbeu me besnikëri Saulit, duke bërë gjithçka, që i thuhej.  Ai kishte gjithmonë sukses. Davidi nuk ishte si politikanët, që mendojnë vetëm për vete. Si pasojë, Perëndia e bekoi fuqimisht. Davidit nuk i hyri vetja në qejf, kur e ngritën në pozitë. Mateo Henri ka thënë: “Ai ishte në gjendje ta përballonte gjithë këtë respekt e nder, që iu dha papritur e pa kujtuar, pa i hyrë fare vetja në qejf”.

Të gjithë e nderonin Davidin dhe kishin respekt të madh për të, ngaqë ai e vinte teorinë në praktikë, d.m.th. bënte atë, që thoshte. Njerëzit habiteshin aq shumë me mënyrën e jetesës së tij, si brenda, ashtu edhe jashtë pallatit mbretëror, saqë edhe ata, që i kishin shërbyer Saulit për vite me rradhë, nuk u inatosën, kur Davidi u ngrit në pozitë. Fakti qëndronte këtu se, askush nuk gjente dot ndonjë arsye, për ta kritikuar Davidin. S’ka dyshim se Davidi i shërbeu besnikërisht Perëndisë, pavarësisht nëse e vunë re apo jo të tjerët. “Kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve” (Romakëve 12:17)… “Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit, duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër, duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit, duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti” (Efesianëve 6:5-8)… “Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë. Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit, duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit” (Kolosianëve 3:22-24).

Fama

Lajmi i fitores së Davidit kundër Goliathit u përhap aq shpejt, saqë kur u kthye ushtria në Jeruzalem, këngëtarët kishin dalë rrugëve, duke kënduar e duke i thurur Davidit lavde. Kjo ishte hyrja triumfuese e Davidit në Jeruzalem. Dymijë vjet më vonë, i njëjti qytet do ta priste edhe Zotin Jezus Krisht në të njëjtën mënyrë, siç e pritën edhe Davidin: “Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem, mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!” (Gjoni 12:12-13)… “Shumë njerëz i shtronin rrobat e tyre rrugës dhe të tjerë pritnin degë nga pemët dhe i hidhnin rrugës. Dhe si ata që pararendnin, edhe ata që ndiqnin Jezusin, thërrisnin dhe thonin: “Hosana! Bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! E bekuar është mbretëria e Davidit, atit tonë, që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet shumë të larta!” (Marku 11:8-10).

Gratë kënduan sesi Davidi kishte vrarë me dhjetëra mijëra filistenj, por kjo, natyrisht, ishte një shprehje figurative. Izraelitët e konsideruan vrasjen e gjigandit të barabartë me vrasjen e të gjithë filistenjve. Të gjithë u gëzuan, kur Sauli vrau amonitët (shiko 1 Samuelit 11). Por tani, njerëzit po gëzoheshin edhe për Davidin. Për pak çaste, popullsia e Jeruzalemit e harroi sesa mizor dhe mosbesues mund të tregohej Sauli. “Gratë izraelite thjesht po e uronin Davidin, shpëtimtarin e tyre, për fitoren e korrur në emër të kombit. Por harruan për pak çaste se po e lavdëronin nënshtetasin më shumë sesa vetë sovranin” (marrë nga komentimi që i bëjnë Biblës autorët Xhejmisën, Foset dhe Braun).

Përfundim

Nëpërmjet këtij studimi, e shohim sesi një veprim i sinqertë dhe i parëndësishëm mund t’ia ndryshojë përgjithmonë jetën njeriut. Kënga e grave të Jeruzalemit ia ndryshoi përgjithmonë jetën Davidit. Por, Davidi, në vend që të gëzohej prej kësaj kënge, do të hidhërohej e do të persekutohej për vite me rradhë. 

Mbrapa

Advertisements