Këshilla e Ahithofelit

“Ndërkohë Absalomi dhe tërë populli, njerëzit e Izraelit, kishin hyrë në Jeruzalem; Ahithofeli ishte me të. Kur Hushai, Arkiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, Hushai i tha Absalomit: “Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!”. Absalomi i tha Hushait: “Kjo është dashuria që ke për mikun tënd? Pse nuk shkove me mikun tënd?”. Hushai iu përgjigj Absalomit: “Jo, unë do të jem me atë që Zoti, gjithë ky popull dhe tërë njerëzit e Izraelit kanë zgjedhur, dhe do të mbetem me të. A nuk duhet vallë, të vihem në shërbim të birit të tij? Ashtu si i kam shërbyer atit tënd, në të njëjtën mënyrë do të të shërbej edhe ty”. Atëherë Absalomi i tha Ahithofelit: “Jepni këshillën tuaj! Ç’duhet të bëjmë?”. Ahithofeli iu përgjigj kështu Absalomit: “Hyrë te konkubinat e atit tënd që ai ka lënë për të ruajtur shtëpinë, kështu tërë Izraeli do të mësojë që je bërë i urryer për atin tënd dhe ata që janë me ty do të marrin guxim”. Ngritën pastaj një çadër mbi taracën për Absalomin, dhe Absalomi hyri te konkubinat e atit të tij në sytë e tërë Izraelit. Në ato ditë, këshilla e dhënë nga Ahithofeli kishte po atë vlerë të atij që kishte konsultuar fjalën e Perëndisë. Këtë vlerë kishte çdo këshillë e Ahithofelit si për Davidin ashtu dhe për Absalomin” (2 Samuelit 16:15-23).

Parathënie

Në këtë pasazh lexojmë rreth pasojave të menjëhershme, që pati kurorëzimi i Absalomit gjoja si mbreti i vërtetë i Izraelit. Absalomi nuk e fillon jetën e tij si mbret me drejtësi, por përkundrazi, e shohim sesa mizor dhe mëkatar ka për t’u treguar në të ardhmen. Vepra mëkatare e Absalomit është vërtet përmbushje e profecisë së Nathanit. E megjithatë, kjo vepër është një mëkat i tmerrshëm i kryer kundra Davidit (2 Samuelit 12:11-12).

Adhurimi fallco

Absalomi e dinte se Hushai ishte mik besnik i të atit, ndaj edhe u habit, kur Hushai e nderoi. Hushai, nga ana tjetër, e dinte se do ta përgjonin, pikërisht për të njëjtën arsye, që përmendëm edhe më lart, ndaj edhe, për t’ia mbushur mendjen Absalomit, bëri gjoja sikur po e pranonte atë si mbret. Absalomi e beson, ngaqë Hushai përdor emrin e Zotit, kur i betohet se do t’i qëndrojë besnik këtij mbreti të ri. Hushai i thotë Absalomit se ai ishte i vajosuri i Perëndisë dhe trashëgimtari i duhur. Për shkak të kësaj ligjërate lajkatare, Hushai miratohet si një nga këshilltarët kryesorë të Absalomit. E vëmë re këtu se Absalomi nuk e quan Davidin “atë”, me qëllim që të mos duket sikur e do akoma. Ai po mundohet që ta largojë të atin e vet nga mendja.

Hushai u tregua fallco, si me fjalë, ashtu edhe me vepra. Nuk u tregua i sinqertë, kur e lavdëroi Absalomin, sepse, siç e kemi parë, ai thjesht po zbatonte urdhërat e Davidit, e jo urdhërimin e Perëndisë (2 Samuelit 15:32-34). Absalomi po mashtrohej, por vetë po korrte atë, që kishte mbjellur me kohë, duke mëkatuar e duke rebeluar ndaj të atit. E kishte marrë në dorë pushtetin, duke iu bërë lajka njerëzve. Tani ai vetë po bëhej pre e lajkave të të tjerëve. “Krenaria e zemrës sate të ka mashtruar” (Obadia, vargu 3).

Mëkati i tmerrshëm dhe i neveritshëm

Absalomi u mashtrua, në fillim prej adhurimit fallco të Hushait, e më vonë prej këshillës së Ahithofelit, për të kryer një mëkat të tmerrshëm e të neveritshëm. Ahithofeli konsiderohej njeri i mençur. Të gjithë e nderonin sikur të ishte një profet i Perëndisë. Mund të ketë qenë njeri i famshëm, por zemrën e kishte të ligë, pa pikë mirësjelljeje. Ky ndoshta ishte takimi i parë i qeverisë së sapo-zgjedhur të Absalomit dhe, me sa shohim, ata që ishin zgjedhur si koka shteti, nuk ishin aspak njerëz të mirë.

Ahithofeli e dinte si ta inatoste Davidin. Këshilla e tij kishte si qëllim që të krijonte një situatë, që do t’i përngjante asaj, që Davidi kishte thurur dikur ndaj vetë mbesës së Ahithofelit. Gjithashtu, Ahithofeli ishte aq dinak, sa ta merrte me mend se nuk do të kishte më pajtim mes Davidit e Absalomit, po qe se do të kryhej një vepër e tillë e ligë. Kështu, pra, në fakt, Ahithofeli po ngrihej edhe kundra udhëheqësit të tij të ri. Ai e urrente aq shumë Davidin dhe gjithçka që i përkiste atij. “Ky ishte parimi i mallkuar i Ahithofelit – një këshillë prej djallit, jo prej Perëndisë” (Mateo Henri).

Mëkati i Absalomit sikur e preu me thikë Davidin, kur e mori vesh se ç’kishte ndodhur në taracën e pallatit mbretëror. Ky mëkat, gjithashtu, do t’i kishte sjellë atij në mendje mëkatin, që ai vetë kishte kryer dikur, në po të njëjtin vend. Këtu na tregohet gjithashtu edhe mungesa e respektit, që kishte Absalomi ndaj të atit dhe ndaj grave. Po i trajtonte konkubinat si skllave. Mëkati u krye përpara të gjithëve, ndaj edhe mund të themi se të gjithë njerëzit e mirë të Jeruzalemit do të ishin habitur e tronditur prej këtij imoraliteti të paturpshëm. “Nuk ke pranuar të kesh turp” (Jeremia 3:3).

Absalomi mund të kishte marrë për vete këdo lloj gruaje, që t’i kishte qejfi, me përjashtim të konkubinave të Davidit. Por, duke e pranuar këshillën e Ahithofelit, Absalomi donte t’i tregonte Davidit dhe Izraelit se tani ai ishte mbret. Pranoi ta vinte në zbatim këtë këshillë, ngaqë “kjo i shkonte për shtat karakterit dhe mendjes së shturrur të tij, ndaj edhe nuk vonoi” (Mateo Henri). Ahithofeli tha se ky veprim do t’iu jepte krahë pasuesve të Absalomit, por a mund të forcohet njeriu prej imoralitetit, apo prej çfarëdo lloj mëkati tjetër? Njerëzit tani e dinin se ç’kishin për të pritur prej udhëheqjes së Absalomit. Imoraliteti i tij kishte si qëllim ta përçmonte e ta përulte Davidin para të gjithëve dhe ta thyente çdo lloj besnikërie, që mund të egzistonte akoma ndaj të atit.         

Përfundim   

Mëkati i Absalomit nuk u krye fshehtas, mbrapa dyerve të mbyllura, por u deklarua hapur, që ta shikonin të gjithë. Ndoshta s’do të ishte dukur aq keq, po qe se ai do të kishte qenë një njeri i rrugëve. Por fakti se Absalomi ishte udhëheqësi i kombit, na sugjeron se sjellja e tij duhej të kishte qenë më e mirë nga të tjerët. Në fakt, ai u tregua edhe më i ulët, sesa pagani më i degjeneruar. “Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet” (1 Korintasve 5:1). Veprimet e tij po shkaktonin ndotjen shpirtërore të Izraelit. Këtë duhet ta shohim edhe si një përpjekje të Satanait, për ta shkatërruar planin e Perëndisë, për ta bërë realitet mbretërimin Mesianik të Krishtit në të ardhmen. Po qe se Davidi do të hiqej nga froni dhe populli do të tregohej aq i ligë, saqë Perëndisë s’do t’i mbetej gjë tjetër veçse ta ndëshkonte, atëherë plani i Perëndisë për ardhjen e Krishtin kishte për të dështuar përfundimisht.

Mbrapa

Advertisements