Këshilla e Shpëtimtarit lidhur me Ardhjen e Tij të Dytë

Profecitë që kanë lidhje me Ditët e Fundit, mund të na duken të frikshme. Por Zoti i inkurajon besimtarët, duke iu premtuar atyre se do t’i ngushëllojë në momente të vështira. Ai i di dobësitë tona. E di se sa shpejt ligështohemi, kur na persekutojnë.

Persekutimi

Kujdesuni për veten! Sepse do t’ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t’ju rrahin ndër sinagoga; do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre…Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i bëjnë të vdesin” (Marku 13:9, 12).

Njeriut i ka rënë për risk që të vuajë, qysh prej kohës kur mëkatoi Adami, “Por njeriu lind për të vuajtur, ashtu si shkëndija për t’u ngjitur lart” (Jobit 5:7). Në këtë pasazh, Zoti bën fjalë për ato vuajtje, që do të përjetohen vetëm nga pasuesit e vërtetë të Krishtit.

Besimtari duhet ta ketë parasysh se bota do t’i shkaktojë vuajtje, “Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen” (2 Timoteut 3:12). Nuk duhet të habitemi, nëse doktrinat tona nuk përshtaten me ato të autoriteteve fetare apo politike. Jetojmë në një epokë, kur i krishteri ka shumë të ngjarë që të burgoset, ngaqë predikon Ungjillin, e ngaqë dikush ofendohet prej predikimit të tij. Ungjilli i vërtetë është ofendim për ata, që janë të humbur.

Besimtari duhet ta ketë parasysh se anëtarët e familjes së vet do t’i shkaktojnë vuajtje. Nganjëherë, të afërmit tanë janë armiqtë më të ashpër të Ungjillit të Krishtit. Duket sikur urrejtja ndaj së vërtetës është më e fuqishme sesa lidhjet familjare të gjakut, “Dhe armiqtë e njeriut do të jenë ata të shtëpisë së vet” (Mateu 10:36).

Duhet t’i marrim parasysh gjëra të tilla, ndërkohë që e ndjekim Krishtin. Duhet ta bëjmë llogari sesa shumë na kushton që të jemi të krishterë dhe nuk duhet ta mendojmë si një gjë të jashtëzakonshme, kur ata që na rrethojnë, na shkaktojnë vuajtje e shqetësime, “Shumë të dashur, mos ju duket çudi për provën e zjarrit që u bë ndër ju për t’ju provuar, se si ju ndodhi diçka e jashtëzakonshme. Por gëzohuni, duke qenë pjestarë të mundimeve të Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlloheni. Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju; nga ana e tyre ai blasfemohet, kurse nga ana juaj ai përlëvdohet” (1 Pjetrit 4:12-14). Këtu në Mbretërinë e Bashkuar të Anglisë, po e shohim se si kishës së vërtetë të Krishtit i është hequr e drejta e dhënë prej Perëndisë, për ta përhapur Lajmin e Mirë mes atyre që nuk besojnë. Besimtarët kërcënohen prej Policisë, e cila influencohet shumë prej homoseksualëve dhe fesë Islamike. Në një të ardhme të afërt, nuk do të habitemi, kur qeveria t’i mbyllë fare kishat tona.

E megjithatë, e kemi për detyrë që ta predikojmë fjalën e Perëndisë dhe t’i durojmë sharjet, talljet, persekutimin dhe të burgosurit. “Skandali i kryqit” egziston akoma (Galatasve 5:11) dhe ata që kanë lindur “sipas mishit” do të vazhdojnë t’i përndjekin ata që kanë “lindur sipas Frymës” (Galatasve 4:29).

Predikimi

Por më parë duhet që t’u përhapet ungjilli gjithë popujve” (Marku 13:10).

Djalli e di “se ka pak kohë” (Zbulesa 12:12), prandaj kjo është edhe arsyeja pse ungjilli ndalohet së predikuari sot në botë. Por, para ardhjes së Krishtit, kryqi i Tij do të predikohet në të gjitha kombet, pavarësisht se ç’thonë djajtë apo politikanët e ligë. “Dyert e ferrit nuk do ta mundin” dot kishën e Krishtit (Mateu 16:18). Burra e gra besnike do të vazhdojnë ta shpallin të vërtetën, edhe pse, nga njëra anë, ata që i dëgjojnë, i kanë zemrat e ngurtësuara prej mëkatit dhe nga ana tjetër, qeveritë përpiqen ta pengojnë të predikuarit e Ungjillit. Mund të na lidhin me zinxhirë e me legjislacion, “por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga” (2 Timoteut 2:9).

Durimi

Tani, kur t’ju çojnë për t’ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë…Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet” (Marku 13:11, 13).

Atyre “që janë përndjekur për hir të drejtësisë” (Mateu 5:10), do t’iu jepet një ndihmë e veçantë në momente vështirësie. Fryma e Shenjtë do t’i ndihmojë, në mënyrë që të qëndrojnë të fortë dhe të vazhdojnë ta përhapin fjalën e Perëndisë. Atyre do t’iu jepen fjalë mençurie, me qëllim që armiqtë të mos jenë në gjendje t’iu kundërshtojnë. Kjo ishte e vërtetë për kishën e parë, për kishën gjatë kohës së Mesjetës dhe do të jetë e vërtetë edhe për kishën në fund të epokës.

Kërkohet durim e ngulmim, sepse vetëm kështu arrihet shpëtimi përfundimtar. Ata që kompromentohen me botën, për momentin, duket sikur kanë fituar dhe i kanë shpëtuar vdekjes. Por, më në fund, ata do ta humbin shpirtin e tyre dhe përjetësinë. Vetëm ata, që i durojnë vuajtjet, do ta marrin shpërblimin që iu takon. Të korrurat e shumta iu përkasin atyre, që gjunjëzohen para Krishtit, jo para botës. “Ata që mbjellin me lotë, do të korrin me këngë gëzimi” (Psalmi 126:5)… “Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie” (2 Korintasve 4:17).   

Përfundim

Mund të na tallin, të na rrahin e të na burgosin, për shkak të besimit, por, shumë shpejt, bota do ta shohë se ne jemi ata, që kanë korrur fitoren. Nganjëherë, mund të ndihemi të dëshpëruar dhe të braktisur, por nuk duhet ta harrojmë se Zoti është me ne, “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë, por nuk jemi të ngushtuar deri në fund; jemi ndërdyshas por jo të dëshpëruar; jemi të përndjekur por jo të braktisur; të rrëzuar, por jo të shkatërruar” (2 Korintasve 4:8-9). Duhet t’i fitojmë “shpirtrat” tanë “me durimin” tonë (Luka 21:19). Do të vijë dita, kur ata që na tallin, do të turpërohen, por besimtarët do të shpërblehen prej Zotit, “Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket” (1 Pjetrit 5:4).

Mbrapa

Advertisements