Kini kujdes se mos ju mahnitin me magji!

Prej kohësh në atë qytet ishte një njeri që quhej Simon, i cili merrej me magji dhe i bënte të çuditeshin njerëzit e Samarisë, gjoja sikur ishte njeri i madh. Dhe të gjithë, nga më i madhi te më i vogli, ia vinin veshin, duke thënë: “Ky është fuqia e madhe e Perëndisë’’. Dhe e dëgjonin, sepse prej një kohe të gjatë ai i kishte mahnitur me mjeshtrinë e tij prej magjistari” (Veprat e Apostujve 8:9-11).

Parathënie                           

Sot Perëndia dhe fjala e Tij nuk vlerësohen prej botës. Por fatkeqësisht, kjo gjë vihet re edhe mes besimtarëve. Edhe pse sot Biblën mund ta lexojë kushdo, prapëseprapë të paktë janë ata, që e studjojnë atë. Pastorë të ndryshëm, në vend që të predikojnë fjalë biblike, të cilat i prekin zemrat e njerëzve me Frymën e Shenjtë, hiqen si aktorë komikë, duke argëtuar turmat e duke i mahnitur ato me fjalë boshe. Kështu besimtarëve iu bëhet mendja lëmsh dhe nuk e kuptojnë se cilët janë mësuesit e vërtetë të Perëndisë dhe cilët janë “magjistarët” e djallit.

Mungesa e njohurisë

Në këtë studim, shohim sesi një njeri i quajtur Simon, ishte magjistar, por pretendonte se fuqinë e kishte prej Perëndisë. Njerëzit ishin mashtruar prej magjive që ai kishte bërë në emër të Zotit. Pse? Ngaqë nuk e dinin të vërtetën. E njëjta gjë ndodh edhe sot në disa prej kishave, ku njerëzit mahniten prej historive të ndryshme, të treguara bukur prej pastorëve të rremë. Mahniten prej magjive të tilla, ngaqë, ashtu si na thuhet edhe tek Osea 4:6, “Populli im vdes për mungesë njohurish”. Populli i Perëndisë duhet ta kishte ditur mirë të vërtetën, por e kishte lënë atë pas dore, e kishte neglizhuar dhe e kishte zëvendësuar atë me diçka tjetër fallco. Të shumtë janë ata besimtarë sot, të cilët nuk e dinë se ç’thotë Bibla. Pa dyshim, Simoni kishte si pikësynim të pasurohej sa më shumë prej atyre që e dëgjonin. Këtë qëllim kanë edhe mësuesit e rremë të ditëve të sotshme.

Le të shkojnë të tjerët deri në skajet më të largëta të botës, për të dëgjuar pastorë të ndryshëm të famshëm. Ne duhet ta inkurajojmë veten, duke e ditur se i përkasim Atij, fuqia e të Cilit vjen vërtet prej Perëndisë. “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mateu 28:18). Ata që e ndjekin Jezusin, nuk “mahniten” prej magjive të profetëve të rremë.

Mungesa e mençurisë

Një problem tjetër në kishat e sotshme është fakti se të paktë janë ata pastorë, që flasin guximshëm e pa patur frikë se mos i ofendojnë të tjerët me fjalën e Perëndisë. Të krishterët duhet t’iu binden urdhërave të Zotit, jo të robit! Një problem i tillë egzistonte edhe në kishën e parë. “Prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë. Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave” (2 Timoteut 4:2-4). Njerëzit e sotshëm nuk duan t’ia dinë fare për shpëtimin, shenjtërinë, apo mëkatin. Përkundrazi, ata kanë qejf të shkojnë në ato kisha, ku nuk predikohet Krishti i kryqëzuar. Salomoni tha kështu: “Kur nuk ka një vizion profetik, populli bëhet i shfrenuar” (Fjalët e Urta 29:18). Me pak fjalë, pra, kur njerëzit nuk duan të udhëhiqen prej Zotit, ata bëhen si të çmendur dhe shumë shpejt përfundojnë në shkatërrim.

Gjatë gjithë historisë botërore, njerëzit janë mashtruar prej profetëve të rremë, jo vetëm në kishën katolike (me idhujt e saj), por gjithashtu edhe prej të ashtu-quajturve “njerëz të Perëndisë”, të cilët i kanë larguar besimtarët prej së vërtetës. Ka ardhur koha, që kisha e vërtetë e Krishtit të bëhet gati për ta takuar Zotin, duke i hedhur poshtë mësimet dhe mësuesit fallco. “Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri” (1 Timoteut 4:7). Përrallat nuk ia ngrenë lart shpirtin shërbëtorit të Krishtit, që dëshiron të jetojë një jetë të perëndishme.

Mungesa e disiplinës

Samaritanët kishin kohë që ishin mahnitur prej magjive të Simonit, por situata ndryshoi, sapo u predikua fjala e Perëndisë. “Dhe Filipi zbriti në qytetin e Samarisë dhe u predikoi atyre Krishtin. Dhe turmat, me një mendje të vetme, dëgjonin me vëmendje gjërat që thoshte Filipi, duke dëgjuar dhe duke parë mrekullitë që ai bënte. Frymëra të ndyra, pra, dilnin nga shumë të idemonizuar, duke bërtitur me zë të lartë; dhe shumë të paralizuar e të çalë shëroheshin. Dhe në atë qytet u bë gëzim i madh” (Veprat e Apostujve 8:5-8). Njerëz të tillë u bënë pasues të Krishtit. “Por, kur i besuan Filipit, që shpalli lajmin e mirë të gjërave të mbretërisë së Perëndisë dhe emrin e Jezu Krishtit, burra dhe gra u pagëzuan” (Veprat e Apostujve 8:12). Kaq të fuqishme ishin magjitë e Simonit, saqë, për një moment, edhe vetë Filipi u mahnit prej sinqeritetit të këtij njeriu. Por apostujt e tjerë e kuptuan menjëherë se Simoni nuk ishte i shpëtuar vërtet (Veprat e Apostujve 8:18-23). Po sikur Pjetri të ishte treguar liberal dhe të mos kishte predikuar fjalën e Perëndisë, por ta kishte lejuar Simonin të vazhdonte t’i mahniste njerëzit me magjitë e tij? Sa vetë do ishin shpëtuar atë ditë? Predikimi pa kompromentime i fjalës së Perëndisë bëri të mundur manifestimin e fuqisë së Zotit. Kishave të sotshme iu mungon një disiplinë e tillë.

Përfundim

Bibla thotë: “Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit” (Kolosianëve 2:8). Madje edhe një kishë e rrënjosur mirë në fjalën e Perëndisë, mund të ndikohet negativisht prej doktrinave fallco, nëse i lejon ato që ta udhëheqin. Ndaj edhe apostulli Pal i kritikoi besimtarët Galatas: “O Galatas të marrë! Kush ju ka yshtur që të mos i bindeni së vërtetës, ju, që para syve tuaj Jezu Krishti është përshkruar i kryqëzuar midis jush?” (Galatasve 3:1). Nuk kemi pse të “mahnitemi” prej magjive, nëse i qëndrojmë besnikë fjalës së Perëndisë dhe i mbajmë sytë të ngulur tek Kryqi. Le të jemi gjithmonë vigjilentë dhe ta dëgjojmë zërin e Frymës së Shenjtë, me qëllim që të mos mashtrohemi prej magjistarëve në kishë.

Mbrapa