Kisha me dhëmb të thyer

Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur” (Fjalët e Urta 25:19).

Parathënie                           

Ndoshta kemi patur raste, kur na është thyer dhëmbi, apo na është ndrydhur këmba dhe kemi patur shumë dhimbje. Salomoni, si me të qeshur, na përshkruan njeriun e pabesë në kishë. Një dhëmb i thyer i jep dhimbje gjithë gojës. Një këmbë e ndrydhur ta ngadalëson ecjen. Kështu, pra, edhe një njeri i pabesë nuk është as bekim, as mbështetje për kishën.

Nuk i zihet besë

Një njeri i pabesë, ashtu si dhëmbi i thyer, apo këmba e ndrydhur, iu shkakton dhimbje të gjithë atyre, që duan të ecin me Zotin dhe të rriten në besim. Këtij njeriu nuk i zihet dot besë në kohë fatkeqësie. Në fakt, ai është vetë shkaktari i problemeve të ndryshme! Ç’ndihmë mund t’i japë një njeri i tillë kishës, kur ajo persekutohet prej djallit? Do të ishte marrëzi, po qe se kisha do t’i varte shpresat tek një njeri i tillë i pabesë. Isaia na thotë se, kur mbështetemi tek njeriu i pabesë, është njëlloj sikur të mbështetemi tek një “kallam i thyer.. që pret dorën e atij që mbështetet mbi të dhe e shpon” (Isaia 36:6).

Secili prej anëtarëve të kishës është përgjegjës, në filim përpara Perëndisë, pastaj para pastorit dhe të tjerëve. “Kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit” (Romakëve 12:5). Prandaj, nëse nuk i jemi besnikë kishës, nuk i jemi besnikë as vetë Perëndisë, sepse Atij do t’i japim një ditë llogari për jetën tonë. E kemi për detyrë që t’i shërbejmë besnikërisht kauzës së Tij. Ata që thirren prej Zotit për t’i shërbyer, e marrin mirë parasysh besnikërinë ndaj Tij. Por një sjellje e tillë duhet të vihet re jo vetëm tek pastorët, por tek secili prej anëtarëve të kishës. “Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës, që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet” (Hebrenjve 6:11-12).

Të devotshëm

Perëndia na ka thirrur për t’iu bindur dhe për të qëndruar të patundur në Të. Nëse nuk i jemi besnikë, atëherë bëhemi të pavlefshëm, ashtu si një dhëmb i thyer, apo një këmbë e ndrydhur. Në Dhiatën e Vjetër, prifti nuk duhej të kishte “një thyerje të këmbës apo të dorës” (Levitikut 21:19). Perëndia kishte deklaruar se “njolla” të tilla ishin të papranueshme për atë që i shërbente Zotit. E njëjta ide shprehet, pra, edhe prej Salomonit (siç e vumë re më lart), si edhe prej Palit tek Romakëve 12:1-2. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë”.

Të paktë janë ata besimtarë, që e vrasin mendjen rreth besnikërisë ndaj Zotit dhe shërbesës së Tij. Përkundrazi, shumica mendojnë vetëm për vete, si e si të pasurohen e të bëhen të famshëm. Kisha e shekullit të parë  ishte komplet ndryshe. Anëtarët e saj dëshironin që t’i qëndronin besnikë të vërtetës së fjalës së Perëndisë. Donin të ishin të shenjtë në jetën e tyre të përditshme. E dinin mirë se, në mënyrë që të pranoheshin prej Zotit, duhej që t’i shërbenin besnikërisht Atij, sepse ky ishte vullneti i Tij. Besimtarët e sotshëm, në vend që ta ndjekin Krishtin, kopjojnë jetën e atyre që nuk janë të shpëtuar, duke kujtuar se Zoti nuk iua vë re mëkatin. “Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë. Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme. Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet. Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit” (Galatasve 6:7-10). 

A ia kemi paraqitur vërtet veten tonë Zotit si një flijim të gjallë? A jemi të përkushtuar ndaj shërbesës dhe kishës së Tij? Nëse jo, atëherë jemi si një dhëmb i thyer, apo një këmbë e ndrydhur. Nuk duhet të heqim dorë prej së shërbyerit, me qëllim që t’ia bëjmë qejfin vetes. Duhet ta kryqëzojmë çdo mendim, çdo fjalë dhe çdo veprim. Presim që pastori të jetë në kishë çdo të djelë, por ne vetë bëjmë pushim! “Pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa” (Hebrenjve 10:25).      

Përfundim

Duhet t’i vëmë si pikësynim vetes, që të tregohemi besnikë në çdo aspekt të jetës. Këtu përfshihet edhe roli që luajmë në kishë. E lëmë në baltë kishën dhe i zhdekurajojmë anëtarët e saj besnikë, kur nuk jemi të pranishëm nëpër takime. Janë anëtarët ata, që e bëjnë kishën! Mungesa e besnikërisë prodhon një kishë të dobët dhe të çalë. Pa dyshim që asnjëri prej nesh nuk dëshiron që të jetë si një dhëmb i thyer apo një këmbë e ndrydhur në trupin e Krishtit! Le të tregohemi besnikë në shërbesën tonë ndaj Tij. “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58).

Mbrapa