Kjo është padrejtësi!

Nganjëherë na duket sikur jeta jonë është e mbushur vetëm me shqetësime dhe probleme, me sëmundje dhe strese nga më të ndryshmet. Jeta duhet të na shkojë si në vaj, ngaqë jemi besimtarë! Por psalmi 73 na e shpjegon më mirë këtë dilemë.

Perëndia është i mirë

Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra” (Psalmi 73:1).

Ky psalm u shkrua prej Asafit, një njeri i perëndishëm, i cili shkroi edhe 12 psalme të tjera. Ai mbante një pozicjon të rëndësishëm shpirtëror si drejtues i korit të adhurimit në kohën e Davidit (1 Kronikasve 16:4-5). E fillon psalmin e tij me një deklaratë: “Perëndia është i mirë”. Mirësia e Perëndisë është e rrënjosur thellë tek dashuria e Tij: “Perëndia është dashuri” (1 Gjonit 4:8, 16). Perëndia është gjithmonë i mirë ndaj nesh, edhe atëherë kur punët nuk na shkojnë në vijë! “Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë” (Mateu 7:11).

Vizjoni i humbur

Autori i psalmit e dinte mirë këtë të vërtetë, por edhe ai, ashtu si ne, e pati të vështirë për ta besuar, tek shikonte të tjerët që pasuroheshin për vete, pa e vrarë mendjen për mëkatin. Më poshtë do t’iu hedhim një sy tre gjërave, që na e largojnë vëmendjen prej Perëndisë.

  1. Xhelozia: “Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij” (Psalmi 73:2-3). Asafi duhej ta kishte përqëndruar vëmendjen tek bekimet e mrekullueshme që i kishte dhënë Zoti, por, përkundrazi, ai u bë xheloz për pasurinë e njerëzve të këqij. Në hebraisht, fjala “mirëqënie” do të thotë “paqe”. Asafit, pra, iu duk padrejtësi fakti që mëkatarët jetonin në paqe, në një kohë që ai vetë kishte një mal me probleme! Një padrejtësi e tillë ishte mëse e mjaftueshme për t’ia shkatërruar fare besimin.
  2. Lakmia: “Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë. Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë. Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe. Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë. Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë. E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën. Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre, dhe thonë: “Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?”. Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre” (Psalmi 73:4-12). Asafit i dukej sikur njerëzit e këqij kishin gjithçka: shëndet, pasuri, etj. Ishin në gjendje të bënin ç’t’iu donte qejfi, pa e vrarë mendjen se Zoti do t’i ndëshkonte. I tallnin besimtarët dhe flisnin keq për Zotin. Për ta jeta ishte kollaj. Për Asafin, kjo ishte padrejtësi!
  3. Kotësia: “Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes” (Psalmi 73:13-14). “E pse duhet t’i shërbej Zotit, kur mund të marr shpërblime edhe më të mëdha, po të mos i shërbej Atij?” – mund të kishte thënë me mendjen e vet Asafi. “A ia vlen të jetosh një jetë të shenjtë e të perëndishme?” Por mendime të tilla vinin prej djallit, me qëllim që t’ia shkatërronin besimin Asafit. Mëkatarët vërtet që mund të bëjnë ç’të duan, por ne duhet të jetojmë sipas urdhërimeve të Perëndisë dhe madje edhe të vuajnë për shkak të Tij. Kjo na duket padrejtësi.

Vizjon i ri

Kur nuk ecim nëpërmjet besimit (2 Korintasve 5:7), mendja na turbullohet dhe nuk e shohim dot rrugën, për shkak të mëkatit. Por sapo t’i kthejmë sytë tek Krishti, besimi na forcohet. Më poshtë do t’iu hedhim një sy pesë gjërave, të cilat na bëhen edhe më të qarta, kur i shikojmë ato me sytë e Perëndisë.

  1. Përgjegjësia: “Sikur të kisha thënë: “Do të flas edhe unë kështu,” ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu” (Psalmi 73:15). Nëse kemi dyshime rreth besimit tonë të krishterë, atëherë nuk duhet t’i ndajmë dyshime të tilla me të tjerët, sepse mund t’i keqësojmë edhe më tepër punët. Shpeshherë flasim me të tjerët rreth problemeve të tilla, ngaqë duam që atyre t’iu vijë keq për ne. Por në fakt, mund të bëhemi shkaktarë të dobësimit të besimit të tyre. Më mirë të shkojmë e të flasim me ata, që janë besimtarë më të pjekur e më të rritur, sesa me besimtarët e rinj, apo më të dobët në besim.
  2. Rinovimi: “Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë. Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre” (Psalmi 73:16-17). Asafi e pa se mungesa e besimit as nuk e ngushëlloi, as nuk iu dha përgjigje pyetjeve të tij. Në fakt, lakmia dhe xhelozia ia keqësuan edhe më shumë situatën. Po të vazhdonte kështu, do të përfundonte në disfatë. Ndaj ai e përqëndroi përsëri vëmendjen tek Zoti dhe u bekua me një vizjon të ri. Iu rinovua mendja dhe e kuptoi sesa gabim e kishte patur. Nuk ia vlente ta shiste shpirtin për ca vite të shkurtra rehati!
  3. Kuptimi: “Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri! Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë” (Psalmi 73:18-20). Tani Asafi i pa gjërat me sytë e Perëndisë. Të ligët po shkonin drejt ferrit! Nuk po begatoheshin fare – në fakt, nuk kishin për çfarë të jetonin! Kot që i lakmonte e bëhej xheloz Asafi për ta! Edhe ne,  në vend që t’i lakmojmë mëkatarët, le t’i paralajmërojmë ata rreth fatit që i pret, po nuk besuan në Krishtin.
  4. Bindja: Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda, unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë” (Psalmi 73:21-22). Xhelozia e bërë Asafin si një bishë të egër, me dëshira të pakontrolluara. Fryma e Shenjtë e bindi për mëkatin. Sot teoria e evolucjonit thotë se njeriu ka ardhur nga kafsha, ndaj edhe njerëzit sillen si kafshë! Është mëkati ai, që e bën njeriun si kafshë. Le të mos i imitojmë, pra, mëkatarët.
  5. Përkushtimi: “Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi. Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje. Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua” (Psalmi 73:23-28). Asafi i premton Perëndisë se do t’ia dëgjojë këshillën. Edhe neve na ka bekuar Zoti me praninë, mbrojtjen, udhëheqjen dhe lavdinë e Tij. Në fakt, nuk na mungon asgjë. Ajo që na nevojitet është vetëm Perëndia. Dhe Ai na i plotëson dhe ka për të na i plotësuar të gjitha nevojat. “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19). Nuk kemi nevojë për pasuritë e përkohshme të kësaj bote, në një kohë që na presin pasuri të përjetshme në Parajsë. Asafi u kënaq me Perëndinë dhe ia përkushtoi sërish jetën shërbesës së Tij. Tani ai ishte gati t’iu tregonte të gjithëve rreth pasurive të tij qiellore dhe bekimeve të tij tokësore.

Përfundim

Nganjëherë njerëzve të mirë iu ndodhin gjëra të këqija, por ajo që ka rëndësi është mënyra sesi reagojmë në situata të tilla. Po të ndodhemi në të njëjtën situatë si Asafi, atëherë le ta përqëndrojmë vëmendjen tek Zoti, i cili na e hap zemrën, mendjen dhe sytë, për ta parë se ç’vlen më shumë në jetë. Atëherë do ta kuptojmë se nuk do të mund ta mbajmë dot gojën mbyllur, por do të duam që t’iu tregojmë të tjerëve jo për pasurinë e mëkatarëve, por për fuqinë e Perëndisë dhe premtimet të Tij. Jeta vërtet që mund të na duket nganjëherë e padrejtë, por Zoti është gjithmonë i drejtë dhe i mirë.

Mbrapa