Koha është tani

Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit. Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë” (Efesianëve 5:15-18).

Parathënie   

Sot, teknologjinë e kemi në majë të gishtave, e prapëseprapë, na duket sikur s’na del koha për të bërë të gjitha ato gjëra, që duam t’i bëjmë. Njerëzit vrapojnë sa andej, këtej, sikur t’i vinte fundi botës! E megjithatë, një ditë, kanë për ta parë sesa vite kanë shkuar dëm kot, duke u marrë me punë të parëndësishme, që iu kanë sjellë veç shqetësime e boshllëk shpirtëror. “Ne në të vërtetë i përkasim së djeshmes dhe nuk dimë asgjë, sepse ditët tona mbi tokë janë si një hije” (Jobit 8:9).

Limiti i kohës

Koha ikën shpejt, jo vetëm kur jemi duke bërë qejf, por edhe kur plakemi. 70-ë vitet e jetës njerëzore janë shumë pak të krahasuara me përjetësinë. “Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje” (Psalmi 90:10). Në internet, gjendet një orë, e quajtur Ora e Vdekjes, e cila të llogarit se sa minuta e se sa sekonda të kanë mbetur në këtë botë. Kjo orë e bazon jetëgjatësinë mesatare të njeriut tek mosha 75-ë vjeçare. Por puna qëndron këtu: askush nga ne nuk e di se sa kohë na ka mbetur në këtë botë. “Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë”, ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Është avull që duket për pak, dhe pastaj humbet” (Jakobit 4:13-14).

Koha e përshtatshme

Duhet ta përdorim çdo minutë të jetës sonë për lavdinë e Perëndisë, duke jetuar ashtu siç na thotë Ai vetë. Pali na këshillon, që ta shfrytëzojmë kohën, “sepse ditët janë të mbrapshta“. Djalli do të përdorë gjithçka, që t’i vijë përdore, me qëllim që të na e grabisë kohën, që kemi. “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar” (Gjoni 10:10). Kjo duket qartë në jetën e Martës, e cila vraponte sa andej këtej, pa i dalë koha, që të ulej në praninë e Jezusit. “Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra; por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet” (Luka 10:41-42).

E shohim, pra, se edhe punët e përditshme shtëpiake na e grabisin kohën tonë të çmuar. Nëse i lejojmë punët, takimet, apo njerëzit e ndryshëm që të na bëhen barrë, atëherë do të vuajmë depresion, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Kohën e shfrytëzojmë më së miri, atëherë kur jemi të angazhuar me punën e Zotit. Por edhe në këtë punë, Jezusi na thërret, që të çlodhemi në Të. “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak” (Marku 6:31). A e shfrytëzojmë ashtu siç duhet kohën, kur rendim sa andej, këtej, si të marrë?

Koha e Zotit

Duhet t’i lëmë kohë vetes, për të qëndruar çdo ditë në praninë e Zotit, sepse vetëm kështu e kuptojmë se cili është vullneti i Tij për jetën tonë. Shqetësimet, frika dhe ankthi mund të na mbysin, kurse lutja, studimi i Biblës dhe bindja ndaj Perëndisë na bën, që ta shohim jetën me një sy tjetër. Ditarët tanë dëshpërues kthehen atëherë në ditarë adhurimi. “Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë…Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona” (Psalmi 90:12, 14). Nëse nuk e dimë sesi ta shfrytëzojmë ashtu siç duhet kohën, atëherë le të marrim mësim prej Perëndisë. “Ditët e mia janë në dorën tënde” (Psalmi 31:15).

Të shumtë janë ata njerëz, që e shkojnë dëm kot jetën, duke pirë alkol. Është për të të ardhur keq, kur i sheh njerëz të tillë, tek përkulen përpara banakut, e në mes të natës, i tërheqin këmbët zvarrë drejt shtëpisë, madje ka raste, kur duhet t’i mbajnë të tjerët për krahu, që të mos rrëzohen, aq të dehur janë. Pijanecët as që nuk e mbajnë mend fare se ç’iu ndodhi natën e kaluar. Nuk kemi nevojë, pra, që ta kalojmë kohën si bota. Nëse ecim në shenjtëri dhe jemi të mbushur me Frymën e Shenjtë, atëherë do ta nderojmë Perëndinë edhe me vetë kohën tonë.

Përfundim

Mbillni për vete sipas drejtësisë, korrni sipas dhemshurisë, lëroni arën tuaj të lënë djerrë, sepse është koha për të kërkuar Zotin, derisa ai të vijë dhe përhapë mbi ju drejtësinë” (Osea 10:12). Në vend që të vrapojmë sa andej këtej, e të habitemi sesa shpejt na ikën koha, le t’i lutemi Perëndisë. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do të bëhemi të ndërgjegjshëm për ato vite, që na kanë mbetur, por edhe do ta shohim jetën me një sy tjetër, me syrin e përjetësisë. Po ta dimë se Jezusi na ka shpëtuar, atëherë duhet ta pranojmë se Ai kërkon prej nesh, që ta shfrytëzojmë ashtu siç duhet edhe kohën, që na ka dhënë. “Dhe në qoftë se thërrisni si Atë atë që, pa favorizuar njeri, gjykon sipas veprës së gjithsecilit, kalojeni kohën e shtegtimit tuaj mbi dhe me frikë, duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:17-19).   

Mbrapa