Koha është tani

“Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: ‘Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë’” (Hebrenjve 3:7-8).

Parathënie
Kemi parë Domosdoshmërinë, Natyrën, dhe Mënyrën e Shenjtërimit. Por tani duhet të dimë se kur bëhet i yni ky shenjtërim. Kur mund të hyjmë në tokën (vendin) e premtuar dhe të kemi pushim nga mëkati i pranishëm brenda nesh që prej Adamit, dhe ta pranojmë Ngushëlluesin të banojë në zemrat tona?

Tani
Ky bekim është gati për popullin e Perëndisë në këtë moment. Nuk ka arsye pse të presim më gjatë për këtë bekim, apo ta lëmë atë për një ditë tjetër. A ka ndonjë arsye për t’u vonuar? Kjo varet nga gatishmëria jonë për të dëgjuar zërin e Perëndisë, kur i flet këto fjalë shpirtrave tanë, si edhe varet nëse jemi të lodhur me praninë e paperëndishmërisë në jetët tona. 

Kushti i vetëm
Pasi Fryma e Shenjtë na ka bindur për mëkatin tonë, kushti i vetëm për shenjtërim është besimi. Nëse është thjesht përmes besimit, jo përmes besimit dhe dedikimit, atëherë mundësia për shenjtërim na ofrohet tani.

Le t’i marrim në konsideratë këto dy citime, një nga Xhon Uesli, dhe tjetri nga Xhon Fleçer, të cilin Xhon Uesli e konsideronte njeriun më të shenjtë që nga koha e apustullit Gjon. 
Xhon Uesli tha: “Kërkoje (shenjtërimin) çdo ditë, çdo orë, çdo moment; pse nuk e kërkon në këtë orë, në këtë çast? S’ka dyshim që mund ta kërkosh tani, nëse beson që shenjtërimi merret përmes besimit. Dhe nëpërmjet kësaj shenje ti do ta dish me siguri nëse e kërkon shenjtërimin përmes besimit, apo përmes veprave: Nëse e kërkon përmes veprave, atëherë ti do të dëshiron të bësh diçka në fillim, pastaj të besosh; nëse mendon se duhet t’i bindesh Perëndisë në fillim, apo të bësh këtë apo atë gjë, atëherë po e kërkon shenjtërimin përmes veprave madje edhe deri në ditën e sotme. Nëse e kërkon përmes besimit, atëherë do e pranosh shenjtërimin ashtu siç je, dhe ashtu siç je, do e pranosh shenjtërimin tani. Pranoje nëpërmjet besimit, pranoje ashtu siç je, pranoje tani.”
Xhon Fleçeri flet në mënyrë akoma më kategorike: “Lufto luftën e mirë të besimit, çaj përmes të gjitha tundimeve, dëshpërimit, mendimeve që drejtohen nga bota, përmes të gjithë shoqërisë së pavlerë, rebelimit të një zemre mosbesuese dhe përmes një mendjeje mëkatare (të mishit dhe jo të frymës). Lufto derisa ta prekësh Jezusin dhe ta ndjesh virtytin shërues dhe qetësues që vjen prej Tij, dhe kur e di me qartësi rrugën tek Ai, përsëri preke Atë, derisa ta shohësh se Ai jeton brenda teje nëpërmjet punës së Shpirtit të Tij të Shenjtë. Duhet ta mbash mend se është privilegji yt të shkosh tek Ai me një besim të tillë tani dhe në çdo moment, dhe se duhet t’i sjellësh Atij vetëm një zemër të lodhur, të çorientuar, të lëkundshme, të ngurtësuar, një zemër tamam si ajo që ke tani”. 
Duke iu folur atyre që akoma nuk besojnë se mund të marrin shenjtërim në këtë moment, ai thotë: “Këtu qëndron gabimi që bëjnë shumë shpirtra të mjerë, por që janë prapëseprapë të çmuar; ata kanë frikë që të besojnë, duke menduar se po presupozojnë se kanë marrë shenjtërimin, por në të vërtetë nuk kanë ngushëllim, paqe, gëzim, dashuri, etj. Por këta njerëz nuk e kuptojnë se po presin frytet para se të jetë mbjellur pema. Kini kujdes, pra, dhe mos pritni asnjë hir para se të besoni”. 

Nuk bëjmë fjalë për besimin e rremë
E kemi thënë se besimi është kushti i vetëm për të patur këtë përvojë të lavdishme, por ky besim nuk është i atij lloji, që është i pavlerë. Nuk është besim i rremë. Besimi për të cilin bëjmë fjalë, është një forcë e fuqishme brenda nesh nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Ai na jep mundësinë ta pranojmë Krishtin si shenjtërimin dhe çlirimin tonë të plotë. Nuk mund të marrim asgjë nga Perëndia pa patur besim të vërtetë. “Edhe pa besim është e pamundur t`i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6). 

Përfundim
Cili është reagimi ynë, kur Krishti na pyet: “A dëshiron të shërohesh?” (Gjoni 5:6) A reagojmë ne me besim për të marrë shërim prej Tij, apo dyshojmë se do të mbetemi të shkretë?

Në mbyllje të shënimeve tona mbi shenjtërimin, do të marrim në konsideratë kushtet, nën të cilat një besim i gjallë dhe efikas, mund të kreyjë punën e të besuarit tonë në një shpëtim të plotë.

Mbrapa

Advertisements