Komploti i fortë

“Ndodhi që, pas katër vjetve, Absalomi i tha mbretit: “Të lutem, lermë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin. Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një kusht duke thënë: “Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t’i shërbejë Zotit!”. Mbreti i tha: “Shko në paqe!”. Atëherë ai u ngrit dhe vajti në Hebron. Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: “Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: “Absalomi u shpall mbret në Hebron”. Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë. Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, Gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komloti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit” (2 Samuelit 15:7-12).

Parathënie

Davidin e kishte paralajmëruar Nathani, për atë që do të ndodhte. “Kështu thotë Zoti: “Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote” (2 Samuelit 12:11). Këto kishin për të qenë disa prej ditëve më të errëta e më të vështira, që Davidi do të përjetonte ndonjëherë.

Hipokrizia

Teksti i studimit tonë na thotë se pas katër vjetësh, Absalomi i kërkoi të atit leje, për të shkuar në Hebron e për të përmbushur një betim, që i kishte bërë Zotit. Në disa versione (përkthime) të tjera të Biblës, thuhet se Absalomi i kërkoi leje të atit për të shkuar në Hebron pas dyzet, jo katër vjetësh, gjë që na bën të nënkuptojmë se Absalomi ishte 70 vjeç në atë kohë dhe një fakt i tillë numerik është i pamundur. “Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet” (2 Samuelit 5:4). Numri 40-ë, pra, ka të bëjë me diçka tjetër, sepse Absalomi nuk priti 40 vjet për t’i marrë leje të atit, që të shkonte në Hebron! Komentatorët e Biblës na sugjerojnë dy mundësi: 1) Përkthyesit e Biblës bënë një gabim shtypi, duke shkruar ‘4’ në vend të numrit 40-ë. 2) Kishin kaluar dyzet vjet që nga koha, kur Davidi u vajos prej Samuelit. Nuk na mbetet gjë tjetër, pra, veçse ta pranojmë si të vërtetë mundësinë e dytë, sepse edhe shumë komentatorë të tjerë, duke përfshirë këtu edhe Mateo Henrin dhe Gjon Ueslin, thonë se teoria e dytë është e saktë. “Davidi filloi të mbretërojë dhjetë vjet pas themelimit të mbretërisë së Izraelit, d..m.th. Absalomi edhi e i kërkoi leje të atit në vitin e 30-të të mbretërimit të tij” (Gjon Uesli). Bibla Studimore e Gjenevës thotë kështu: “Dyzet vjet kishin kaluar, që nga koha kur Izraelitët i kërkuan Samuelit që t’iu jepte një mbret”.

Absalomi filloi të veprojë, sapo e pa se kishte një përkrahje të madhe mes popullit. E dinte gjithashtu se i duhej t’iua largonte njerëzve çdo lloj dyshimi nga mendja, ndaj edhe shpiku një gënjeshtër, lidhur me kushtin (apo betimin) që i kishte bërë Zotit. Por puna qëndronte këtu se Absalomi ishte mjeshtër i gënjeshtrave. Më përpara, i kishte bërë njerëzit për vete me premtimet e tij politike, kurse tani Davidi vetë po i zinte besë përkushtimit fetar të Absalomit. Ndoshta Davidi po shpresonte se mos, vallë, djali i kishte ndryshuar, se ishte reformuar si njeri, por në fakt, Absalomi ishte gati ta merrte nëpër gojë emrin e Zotit, me qëllim që t’ia arrinte asaj që donte. Absalomi donte, që ta themelonte qeverinë e tij në Hebron, ndaj edhe i duhej që t’ia mbushte mendjen të atit, që ta lejonte të largohej prej Jeruzalemit. Kjo na tregon gjithashtu se, edhe pse Absalomi kishte liri të konsiderueshme veprimi, prapëseprapë atij i duhej të rrinte brenda përbrenda kufijve të qytetit. Davidi duhet ta kishte vënë në dyshim vërtetësinë e historisë së Absalomit, sidomos ngaqë ai ishte mashtruar edhe një herë tjetër prej tij, atëherë kur Absalomi vrau të vëllanë, Amnonin.

Hebroni

Kështu, pra, Absalomi mori gjithçka, që dëshironte, pa u pyetur fare prej askujt. E konsideronte Hebronin si shtëpinë e tij, ngaqë aty kishte lindur. “Në Hebron Davidit i lindën disa djem. I parëlinduri i tij qe Amnoni, që ia lindi Jezreelitja Ahinoam; i dyti qe Kileabi, ia lindi Karmelitja Abigail, dikur bashkëshorte e Nabalit; i treti qe Absalomi, bir i Maakahut, e bija e Talmait, mbret i Geshurit” (2 Samuelit 3:2-3). Duke qenë bir i Hebronit, Absalomi e përdori famën e vet si mjet mbështetjeje tek popullsia e qytetit. Për më tepër, Hebroni ishte vendi, ku i ati ishte kurorëzuar mbret (2 Samuelit 5:5), para se ai ta bënte Jeruzalemin kryeqytetin e vendit. A ka mundësi që Absalomi ta dinte se njerëzit e Hebronit ishin të pakënaqur për këtë arsye? Duke e shpallur veten mbret, Absalomi, pra, po përpiqej t’i bënte njerëzit për vete.

Ai dërgoi lajmëtarë në mbarë Izraelin, për të shpallur lajmin se tani ai ishte mbreti i ri. Shpallja e këtij lajmi duhet të jetë bërë në mënyrë të sinkronizuar, ngaqë Izraeli ishte vend i madh. Boria do binte në një kohë të caktuar, për t’iu tërhequr njerëzve vëmendjen, para se ata ta merrnin vesh lajmin. A ishin këta emisarë të dyqind vetët, që i shkuan pas Absalomit nga Jeruzalemi? Ata nuk e dinin me saktësi se ç’plane kishte bërë ai për në Hebron. Po të mos kishin qenë spiunët e tij, por thjesht njerëz të thjeshtë, që e kishin shoqëruar Absalomin, për ta ndihmuar atë në kryerjen e detyrimeve të tij fetare, atëherë ai po i përdorte ata thjesht si numër, për t’i treguar botës se kishte gjetur mbështetje të madhe mes njerëzve, e sidomos në Jeruzalem.

Absalomi i çoi ftesë gjithashtu edhe Ahithofelit. Ky njeri ishte këshilltari i Davidit dhe si i tillë, konsiderohej shumë i mençur. Por ai e tregoi veten të marrë, kur i doli përkrah Absalomit. Është interesant fakti se emri i Ahithofelit ka kuptimin “vëlla i marrëzisë dhe i shkatërrimit”. Pa dyshim që Ahithofeli, edhe pse i shërbente Davidit në pallatin mbretëror, e kishte marrë inat atë, ngaqë vetë ai ishte gjyshi i Bathshebës dhe kishte arsye për ta urryer mbretin, për atë që ai i kishte bërë asaj dhe Uriahut. Ahithofeli e pati, pra, jashtëzakonisht të lehtë për ta përkrahur Absalomin, duke kërkuar madje që Davidi të vritej (2 Samuelit 17:1-2).

Përfundim

Numri i njerëzve, që po e përkrahnin Absalomin, po rritej dita-ditës. Komploti po bëhej gjithnjë e më i fortë. Davidi e kuptoi shumë vonë atë që ç’po ndodhte, por, edhe sikur ta kishte kuptuar që më parë, nuk do të kishte arritur dot ta ndalonte, ngaqë e gjitha kjo ishte pjesë përbërëse e ndëshkimit të Perëndisë për mëkatin e tij.

Mbrapa

Advertisements