Konspiratorët guximtarë

“Atëherë Hushai u tha priftërinjve Tsodak dhe Abiathar: “Ahithofeli ka këshilluar Absalomin dhe pleqtë e Izraelit kështu e kështu, ndërsa unë i këshillova në këtë dhe atë mënyrë. Prandaj tani dërgoni me nxitim njeri që të informoni Davidin dhe i thoni: “Mos kalo natën në fushat e shkretëtirës, por pa tjetër shko më tutje, me qëllim që mbreti dhe gjithë njerëzit që janë me të të mos shfarosen”. Por Jonathani dhe Ahimaatsi mbetën në En-Rogel, sepse nuk mund të dukeshin që hynin në qytet; kështu një shërbëtor do të shkonte për t’i informuar, dhe ata do të shkonin për të njoftuar mbretin David. Por një djalë i pa dhe njoftoi Absalomin. Të dy u nisën atëherë me nxitim dhe arritën në Bahurim në shtëpinë e një njeriu që kishte në oborr një sternë dhe zbritën në të. Pastaj gruaja mori një mbulesë, e shtriu mbi grykën e sternës dhe shpërndau mbi të grurë të bluar, pa u vënë re nga njeri. Kur shërbëtorët e Absalomit shkuan në shtëpinë e gruas dhe pyetën: “Ku janë Ahimatsi dhe Jonathani?,” gruaja u përgjigj: “Ata e kaluan rrëkenë”. Ata filluan t’i kërkojnë, por nuk i gjetën dhe u kthyen në Jeruzalem. Pas nisjes së këtyre të fundit, të dy dolën nga sterna dhe shkuan të njoftojnë mbretin David. Dhe i thanë Davidit: “Shpejtoni dhe kaloni menjëherë lumin, sepse kjo është ajo që Ahithofeli ka këshilluar kundër jush”. Atëherë Davidi u ngrit me gjithë njerëzit që ishin me të dhe kaloi Jordanin. Në të gdhirë nuk kishte mbetur as edhe një pa e kaluar Jordanin. Kur Ahithofeli pa që këshilla e tij nuk ishte ndjekur, shaloi gomarin dhe shkoi në shtëpinë e vet në qytetin e tij. Vuri në rregull gjërat e shtëpisë dhe vari veten. Kështu vdiq dhe u varros në varrin e të atit” (2 Samuelit 17:15-23).

Parathënie

Këtu shohim gjashtë persona, të cilët u treguan besnikë ndaj Davidit dhe ishin gati ta rrezikonin jetën për të. Ata ishin gjithashtu vigjilentë, duke parë vazhdimisht se ç’po ndodhte në kampin e Absalomit. Hushai lajmëroi Tsodakun dhe Abiatharin, të cilët i dërguan lajm Jonathanit dhe Ahimaatsit, me anë të një shërbëtoreje. Nga pamja e jashtme, e gjitha kjo mund të dukej si lojë, por të gjithë këta shokë të Davidit u treguan vigjilentë dhe i mbajtën mend mirë të gjitha fjalët dhe mesazhet, që do t’i jepnin njëri-tjetrit. Jeta e Davidit varej nga informacioni, që do t’i jepnin shokët.

Paralajmërimi

Jonathani dhe Ahimaatsi, bijtë e priftërinjve, Tsodak dhe Abiathar, i çuan Davidit mesazhin urgjent të Hushait. Një paralajmërim i tillë duhej transmetuar, pa e marrë vesh Absalomi, apo spiunët e tij, sepse, përndryshe, konspiratorët do të egzekutoheshin, duke e vënë kështu në rrezik vetë jetën e Davidit. Hushai e këshilloi Davidin, që të mos fshihej në shkretëtirë, por ta kapërcente lumin Jordan, në mënyrë që ta distanconte veten edhe më shumë prej Absalomit. Me sa duket, Hushai pati frikë se mos Absalomi ndërronte mendje dhe ia vinte veshin këshillës së Ahithofelit, ndaj edhe e pa të arsyeshme ta paralajmëronte Davidin rreth një mundësie të tillë. “Ka mundësi që mbretit dhe njerëzve të tij t’iu ndërrohet mendja dhe Ahithofeli mund t’ia mbushë mendjen mbretit, që të të ndjekë me shpejtësi” (Gjon Uesli).

Dy djemtë e rinj banonin në En-Rogel, afër Jeruzalemit, në pritje të lajmit prej etërve të tyre. Tsodaku dhe Abiathari, pra, ishin treguar të mençur në këtë drejtim, sepse askush nuk do të dyshonte gjë, po qe se ata do të shkonin t’iu bënin një vizitë të bijve. E megjithatë, ata u treguan tepër të kujdesshëm, sepse nuk shkuan vetë, por dërguan një shërbëtore, ndoshta me pretekstin për të mbushur ujë. Ajo iu dha djemve lajmin e Hushait.

Pusi (Sterna)

Gjithçka po shkonte mirë e bukur, derisa Jonathani dhe Ahimaatsi u ballafaquan me një problem të paparashikuar. Një djalë i pa, tek po flisnin me shërbëtoren. Fatmirësisht, Jonathani dhe Ahimaatsi e morën vesh se djali po shkonte t’i raportonte Absalomit, ndaj edhe u fshehën brenda një pusi në Bahurim, fshati në të cilin banonte edhe Shimei (2 Samuelit 16:5-13). Por, siç do ta shohim, jo të gjithë banorët e këtij fshati ishin të një mendjeje me Shimein. Davidi kishte miq besnikë edhe në vendet më armiqësore. Dy djemtë e rinj u treguan të zgjuar, që u strehuan në Bahurim, ngaqë askush nuk do të dyshonte se miqtë e Davidit do të fshiheshin aty. En-Rogeli ka të ngjarë të ketë qenë në krahinën e Bahurimit, sepse fjala “En-Rogel” do të thotë “pusi i madh”, d.m.th. vendi ku gratë e fshatit lanin rrobat.

Para se të vinin njerëzit e Absalomit për kontroll, gruaja e shtëpisë e mbuloi mirë pusin me një mbulesë. Disa komentatorë të Biblës sugjerojnë se gruaja po bënte gjoja sikur po thante grurin e bluar mbi grykën e mbuluar të pusit. Pusi ishte, pra, një gropë e mbushur me ujë, me qëllim që e gjithë shtëpia ta kishte ujin afër për të kryer punët e përditshme. Puse të tilla ishin pronë vetëm e familjeve të pasura. Gruaja iu tha njerëzve të Absalomit se djemtë e kishin kapërcyer ujin e lumit Jordan, në një kohë që ata ishin brenda në ujin e pusit! Ata as që nuk i vunë në dyshim fare fjalët e saj, por u kthyen mbrapsht tek Absalomi, për t’i raportuar atij se djemtë ia kishin mbathur.

Uji

Sapo u larguan njerëzit e Absalomit, Jonathani dhe Ahimaatsi vazhduan misjonin e tyre sekret, për t’i dhënë Davidit mesazhin e Hushait. Davidi e pranoi këshillën dhe e kapërceu menjëherë Jordanin. Gjeti strehë në qytetin e fortifikuar të Mahanaimit. Nga pamja e jashtme, kjo mund të dukej si disfatë për Davidin, ngaqë ai po tërhiqej gjithnjë e më larg Jeruzalemit. Por në fakt, ky ishte fillimi i kthimit të tij në kryeqytet. Shumë shpejt, Davidi do të dilte fitimtar ndaj armiqve të tij. Ka të ngjarë që Ahithofeli ta ketë kuptuar se s’i kishte mbetur më rrugëdalje tjetër, veçse ta vriste veten e të mos binte në duart e Davidit. Në Mahanaim, Davidi grumbulloi rezerva dhe e forcoi edhe më shumë ushtrinë e tij, para se të nisej drejt Jeruzalemit.     

Përfundim   

Thuhet se Psalmet 41, 42 dhe 43 u kompozuan prej Davidit, për të përkujtuar ngjarjet e këtij kapitulli. Secili prej këtyre psalmeve bën fjalë rreth armiqve të njeriut të drejtë, por përfshin gjithashtu edhe faktin se Perëndia gjithmonë i ruan njerëzit e Tij. “O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit” (Psalmi 42:6).

Perëndia po e mbronte Davidin, edhe pse ai nuk e dinte këtë gjë. Plani dhe qëllimet e Perëndisë nuk shkatërrohen prej ca pengesave, që dalin gjatë rrugës. Davidi pati sukses, falë besnikërisë së disa konspiratorëve guximtarë, të cilët i raportuan lajmet e nevojshme.

Mbrapa

Advertisements