Krahu i Perëndisë nuk është i shkurtër!

Kësaj pyetjeje duhet t’i japim një përgjigje të shkurtër. A besojmë se Perëndia është në gjendje të bëjë gjithçka, apo jo? A është në gjendje Ai t’i mbajë të gjitha premtimet që na ka bërë? Zoti na thotë: “Tani do të shikosh në se fjala ime do të shkojë në vend apo jo” (Numrave 11:23).

Dora e Zotit është e fortë. Ai vazhdon të na tërheqë akoma afër Vetes. Përulet për të na ngritur prej dëshpërimit dhe zhdekurajimit. Dora e Tij është gjithmonë gati për të na shëruar në momente vështirësie në jetë. Dora e Tij është sidomos e fortë, kur vjen puna për t’i shpëtuar të humburit. “Është me të vërtetë dora ime tepër e shkurtër për të shpëtuar apo nuk paskam forcën për të çliruar?” (Isaia 50:2). Oferta e trefishtë e shpëtimit na jepet nëpërmjet Jezus Krishtit.

Shpëtimi në të kaluarën

Kur e pranojmë ofertën e shpëtimit, që na jep Perëndia, me anë të gjakut të Birit të Tij, jemi të shpëtuar prej ndëshkimit që sjell mëkati. Mëkatarin, që jeton pa e patur Krishtin si Shpëtimtar, e pret vetëm gjykimi i Ferrit. Por ata që janë penduar dhe që e kanë pranuar Krishtin si Zot, do të bekohen me jetë të përjetshme në praninë e Tij. Ç’të drejtë kemi që e deklarojmë një gjë të tillë? Përgjigjen e gjejmë tek Numrave 11:23 (siç e pamë edhe më lart). Në fjalën e Tij, Perëndia iu ka premtuar besimtarëve jetë të përjetshme. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16).

Dallimi mes atyre që janë të shpëtuar dhe atyre që janë të humbur, qëndron tek ajo që besojnë. Nëse besojmë se Perëndia, jo vetëm që dëshiron, por gjithashtu është në gjendje të na shpëtojë prej mëkatit dhe mallkimit, atëherë e marrim shpëtimin në momentin kur pendohemi me të vërtetë. Të tjerët mendojnë se Perëndia nuk është në gjendje t’i shpëtojë, ose se Ai nuk ka nevojë që t’i shpëtojë, ndaj edhe marrin rrugën drejt Ferrit. “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë. Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta” (Gjoni 3:17-19). Duhet ta falenderojmë, pra, Perëndinë, për punën e mrekullueshme të pastrimit, që ka kryer në jetën tonë.

Mos ishte, vallë, e pafuqishme dora e Perëndisë për të na shpëtuar? Nëse na shpëtoi ne, atëherë Ai është po aq në gjendje për të na ruajtur, po me të njëjtën dorë çliruese. “Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim” (Gjoni 10:29).

Shpëtimi i tanishëm

Shpëtimi nuk i përket vetëm të kaluarës. Një ide e tillë e shkurton fare dorën e Perëndisë! Shpëtimi në Krishtin është një realitet i përditshëm për të gjithë ata, që ia kanë përkushtuar jetën shërbesës së Tij. Kjo ide na shprehet qartë prej Palit tek Romakëve 6:4, “Kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës”. Kështu thuhet edhe tek 1 Gjonit 1:7, “Por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat”.

Shpëtimi i tanishëm është një marrëdhënie e vazhdueshme me Krishtin. E si mund të themi se e morëm jetën e përjetshme, kur e pranuam Jezusin si Zot, në një kohë që nuk duam të jetojmë duke i shërbyer çdo ditë Atij? Egzistenca jonë fizike vihet në dukje prej jetës sonë së përditshme. Jeta jonë shpirtërore vihet në dukje prej shërbesës sonë të përditshme ndaj Zotit. “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Galatasve 2:20). Fuqinë transformuese të dorës së Perëndisë e vëmë re vazhdimisht në jetën tonë të përditshme. Vetëm kur qëndrojmë të sigurtë në dorën e Atij që na shpëtoi, vetëm atëherë mund të rritemi e të maturohemi në Krishtin. Vetëm kur qëndrojmë në Të, vetëm atëherë i kuptojmë dhe i marrim vërtet bekimet e Tij. “Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen. Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet” (Gjoni 15:4-7).

Shpëtimi i së ardhshmes

Besimtari është shpëtuar prej fuqisë së mëkatit me anë të gjakut të Krishtit. “Por janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin Jezus. Atë ka paracaktuar Perëndia për të bërë shlyerjen nëpërmjet besimit në gjakun e tij, për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë” (Romakëve 3:24-25). Besimtari ka gëzim të vazhdueshëm, sepse përjeton prezencën e Perëndisë dhe lavdinë e Tij. “Në qoftë se qëndroni në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit që ju keni dëgjuar…” (Kolosianëne 1:23)… “Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë” (2 Pjetrit 1:10). Një ditë, kemi për t’i kuptuar plotësisht pasojat e këtij “shpëtimi madh” (Hebrenjve 2:3).

Do ta kuptojmë pjesërisht plotësinë e shpëtimit, në momentin e vdekjes, kur hyjmë në Mbretërinë e Qiellit, por një nga pasojat e këtij shpëtimi ka për të qenë Ardhja e Dytë e Krishtit në tokë. Deri sa të vijë ai moment, kemi për t’u kënaqur me bekimet e lavdishme të prezencës së Tij. “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:1-3). Na pret, pra, një e ardhshme e shndritshme, të cilën nuk kemi për ta kuptuar dot, derisa të na shfaqet, e megjithatë, e presim me padurim. “Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai” (1 Gjonit 3:2).

Përfundim

A e ka të shkurtër krahun Perëndia? Absolutisht jo! Krijimi i universit na dëshmon fuqinë e Tij (Psalmi 8:3). Akoma më e rëndësishme dhe më e fuqishme është vepra e Tij e shpëtimit. Shpëtimi në Krishtin na vërteton se Zoti është “i fuqishëm për të shpëtuar” (Isaia 63:1).

Mbrapa