Kreu dhe Lajmëtarët e Tij

Parathënie

Ky studim përshkruan dërgimin e dymbëdhjetë apostujve, që u zgjodhën për të predikuar. Ishte vetë Kreu i fuqishëm i kishës, i cili iu dha atyre mandatin për të kryer këtë detyrë. Krishti iu kishte shërbyer, tani ata po dërgoheshin për t’iu shërbyer të tjerëve. Ata duhet të kenë qenë gati për këtë detyrë, sepse përndryshe, Zoti nuk do t’i kishte dërguar. Në dallim nga shërbëtorët e ditëve të sotme, ata nuk ishin pa përvojë, apo të parrahur me jetën. Jezusi iu besoi thirrjen më të lartë, që mund të marrë njeriu.

Dy nga dy 

Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra. Dhe i urdhëroi të mos marrin asgjë tjetër udhës, përveç një shkop vetëm: as trasta, as bukë, as denar në brez; dhe të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë tunika” (Marku 6:7-9).

Vetëm Marku na tregon se Zoti i dërgoi apostujt dy nga dy. Kemi një shprehje në anglisht që thotë: “Dy vetë janë shoqëri, por tre vetë janë një turmë”. Jezusi e dinte se shërbëtorët e Tij do të kishin nevojë për shoqërinë e njëri-tjetrit, ngaqë puna që iu kishte ngarkuar do të sillte herë të mira, herë të këqija. Një shoqëri e tillë do të ishte mjet inkurajimi dhe mbështetjeje. Ata do të kishin mundësi të flisnin me njëri-tjetrin rreth gjërave të mëdha, që do të kryheshin në emrin e Krishtit. Ata, gjithashtu, do ta ngushëllonin njëri-tjetrin në kohë tundimi dhe vështirësie: “Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre. Në fakt në se rrëzohen, njeri ngre tjetrin; por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet, sepse nuk ka njeri që ta ngrerë!” (Predikuesit 4:9-10).

Në librin e Veprave të Apostujve, është jashtëzakonisht e vështirë të gjesh një njeri, që të punonte vetëm për vetëm. Parimi i themeluar nga Krishti u vu në zbatim edhe në kishën e hershme. Ne jemi thirrur për të qënë bashkëpunëtorë për kauzën e Mbretërisë: “Bashkëpunëtorë të tij” (2 Korintasve 6:1). Kur punojmë për Zotin, nuk duhet ta neglizhojmë, por duhet ta ndihmojmë njëri- tjetrin, sepse kështu forcohemi edhe më shumë në Krishtin: “Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij” (Fjalët e Urta 27:17). Është pothuajse e pamundur që një besimtar të egzistojë i izoluar nga të tjerët, sepse si Trup i Krishtit që jemi, kemi nevojë për mbështetjen shpirtërore dhe morale të njëri-tjetrit: “Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (Hebrenjve 10:24-25). “Kështu, pra, janë shumë gjymtyrë, por një trup i vetëm. Dhe syri nuk mund t’i thotë dorës: “Unë nuk kam nevojë për ty”; dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: “Unë nuk kam nevojë për ju” (1 Korintasve 12:20-21).

Përsa kohë që predikonin Fjalën e Perëndisë, apostujt nuk duhej të ngarkoheshin me punët e kësaj bote. Nuk do ta kryenin kurrë detyrën, po qe se do të shqetësoheshin për paranë, ushqimin, rrobat dhe vendin e fjetjes. Sa shumë “ungjilltarë të mëdhenj” ka sot, që nuk pranojnë t’iu predikojnë turmave të vogla, që kërkojnë të flenë në hotele lluksoze, që veshin rroba të modës dhe që kërkojnë t’iu jepen oferta të mëdha parash? Apostujt nuk ishin të tillë. Ata i kishin vënë shpresat tek Perëndia për plotësimin e nevojave të tyre të përditshme. Po qe se do të merrnin me vete më shumë sesa ç’ishte e domosdoshme, atëherë ata që i dëgjonin, do të kujtonin se besimi tek Krishti do t’i pasuronte. Ata u dërguan si njerëz të thjeshtë e të kursyer, e megjithatë, si përfaqësues të Krishtit, ata ishin të pajisur me fuqinë e Tij.

Qyteti që mund të tolerohet 

U tha akoma: “Kudo që të hyni në një shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend. Në qoftë se disa nuk ju presin dhe nuk ju dëgjojnë, kur të largoheni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre. Në të vërtetë ju them se ditën e gjyqit Sodoma dhe Gomorra do të trajtohen me më shumë tolerancë se sa ai qytet” (Marku 6:10-11).

Ja, ku qëndronte arsyeja se përse duhej shoqëria e dy vetëve. Apostujt do të takoheshin me njerëz në qytete të ndryshme, që do t’i mohonin ata dhe mesazhin e tyre. Do ishte e lehtë për një njeri të vetëm, që të brengosej e të hiqte dorë nga detyra e ngarkuar. Qytetet që do t’i pranonin, do të bekoheshin begatisht, por ato që nuk do t’i pranonin, do të ishin nën zemërimin dhe gjykimin e Perëndisë. Mëkati më i madh që mund të bëjë një person është që ta dëgjojë Ungjillin (Lajmin e Mirë) dhe të mos besojë: “Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë” (Gjoni 3:18). Të mohuarit e dhuratës së shpëtimit, që jepet falas prej Perëndisë, do ta “zhytë njeriun në pikën më të thellë të Ferrit (J. C. Ryle). Apostujve iu duhej ta pranonin çdo lloj vendi që t’iu jepej për të fjetur, jo të bënin pazar lart e poshtë për një vend më të mirë. Mesazhi nuk duhet të kompromentohet kurrë prej dëshirës së mishit për të patur lluks, rehat dhe shkujdesje.

Jetojmë në një komb, i cili, në përgjithësi, refuzon ta pranojë Krishtin dhe fjalën e Tij. Mbretëria e Bashkuar (e Britanisë së Madhe) është e zhytur në gropën e ujërave të zeza të mëkatit dhe padrejtësisë, në të cilën, një ditë, ajo do të fundoset plotësisht. Po të mos kemi një ringjallje, atëherë ky komb, që dikur ishte i bekuar prej Perëndisë, do të mallkohet prej Tij dhe do të përjetojë gjykimet e Tij. Ky vend ka më shumë faj, sesa ato vende të shkatërruara nga Perëndia në të kaluarën, sepse, po qe se ato vende do ta dëgjonin Ungjillin e Krishtit, ato ndoshta do të pendoheshin dhe do të ktheheshin tek Perëndia. Si besimtarë, ne jemi drita në këtë vend (Mateu 5:14), por, edhe pse e duam atdheun, jemi thirrur ta shkundim pluhurin nga këmbët tona, nëse ky popull e refuzon mesazhin, që po i sjellim (shiko Veprat e Apostujve 13:51, 18:6).

Të dymbëdhjetët duke dhënë mësim

Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin” (Marku 6:12-13).

Mesazhi që duhej t’iu transmetonin apostujt të humburve, ishte një mesazh i qartë dhe i thjeshtë. Ata predikuan domosdoshmërinë e pendesës për çdo burrë, grua dhe fëmijë, para se këta të bëheshin të drejtë në sytë e Perëndisë. Ata e dinin se “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23) dhe se kishin nevojë për të “rilindur” (Gjoni 3:3). Përveç kësaj, asgjë tjetër nuk mund ta shpëtojë njeriun prej mëkatit dhe ta sjellë atë në Qiell. Prandaj predikuesi i sotëm nuk duhet t’ia mbushë mendjen mëkatarit me asgjë tjetër përveç kësaj. Predikimi i fjalës do të shoqërohej edhe me mrekulli, por apostujt nuk bënë “Fushata Mrekullish dhe Shërimi”, me qëllim që t’i tërhiqnin të humburit tek Krishti. Fjala e Perëndisë duhet të vijë gjithmonë e para: “Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?” (Romakëve 10:14).  

Përfundim   

Ne deklarojmë se jemi pasardhësit e apostujve, por a i shërbejmë Zotit, ashtu siç i shërbyen edhe ata? A predikojmë të njëjtin mesazh, që i predikuan edhe ata botës? Në Qiell nuk do të ketë njerëz të papenduar, prandaj na është dhënë mandati, që ta thërrasim të pendohet atdheu, në të cilin na ka vendosur Perëndia.

Mbrapa

Advertisements