Krishti Dashamirës dhe Fëmijët e Bekuar

Atëherë i prunë disa fëmijë të vegjël që ai t’i prekte ata; por dishepujt i qortonin ata që i prunë. Kur Jezusi e pa këtë, i indinjuar, u tha atyre: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë. Në të vërtetë po ju them se kushdo që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë në të”. Dhe, si i mori në krahë, i bekoi duke vënë duart mbi ta” (Marku 10:13-16).

Është gjë interesante për t’u vënë re se si Marku e vendos këtë histori rreth Jezusit, tek bekoi fëmijët, pas mësimit të Tij lidhur me martesën dhe divorcin. Janë fëmijët ata, që vuajnë më shumë, kur ndahet familja. Përsëri, e shohim se dishepujt nuk kishin mësuar asgjë nga takimi i tyre i mëparshëm me një fëmijë të vogël.

Në këtë studim, do të zbulojmë arsyen pse është kaq e rëndësishme për kishën, që t’iu zgjasë dorën e t’i ndihmojë fëmijët.

Fëmijët janë të çmuar në sytë e Krishtit

Dishepujt u përpoqën që t’i largonin ata fëmijë, që po i sillnin tek Zoti për të marrë bekimin e Tij. Ata duhet të gëzoheshin, ngaqë po shihnin një turmë fëmijësh rreth e rrotull Jezusit. Por, në sytë e tyre, ata vetë ishin më të rëndësishëm sesa kushdo tjetër. Kjo rëndësi e vetvetes iua kishte verbuar shikimin dhe iua kishte ngurtësuar zemrën. Xhorxh Makdonald dikur tha se ai nuk besonte në krishtërimin e një njeriu, po qe se fëmijët nuk luanin kurrë para portës së tij. Dishepujt i qortuan prindërit, por Jezusi i qortoi dishepujt, ngaqë i penguan fëmijët të vinin tek Ai. Atyre ndoshta iu kujtua paralajmërimi i Jezusit lidhur me ofendimin e të vegjëlve: “Dhe kush do të skandalizojë një nga këta të vegjël që besojnë në mua, do të ishte më mirë për të t’i varet në qafë një gur mulliri dhe të hidhet në det” (Marku 9:42). Edhe sot e kësaj dite, Jezusi akoma iu zgjat dorën fëmijëve dhe pret që edhe kisha të veprojë në të njëjtën mënyrë. Çdo fëmijë është i çmuar në sytë e Zotit.

Fëmijët janë shpresa për shpëtimin në Krishtin

Bibla nuk na mëson se foshnjet duhet të pagëzohen, por, në të njëjtën kohë, i inkurajon prindërit që t’iu mësojnë atyre rreth Krishtit që në moshë të vogël. Pagëzimi i foshnjeve ka qenë vegla në dorën e Satanait, për t’i mallkuar shpirtra të panumërt për në Ferr, sepse kur rriten, këta fëmijë kujtojnë se janë tanimë të shpëtuar dhe janë anëtarë të kishës së Krishtit. Në çfarë moshe mund ta pranojnë fëmijët Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar? Përgjigja ndryshon sipas llojit të fëmijës, por këtu po japim tre udhëzime, që mund të na ndihmojnë:

  1. Kur e kuptojnë gjendjen e tyre të vërtetë, d.m.th. e dinë se janë mëkatarë në sytë e Perëndisë. Edhe pse bota kujton se fëmijët janë plotësisht të pafajshëm, Bibla thotë të kundërtën: “Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat” (Psalmi 51:5). Prindërit dhe të afërmit, që vazhdimisht iu thonë edhe fëmijëve më të prapë se ata janë të mirë, shkaktojnë dëm të madh.
  2. Kur e kuptojnë se vepra e Krishtit mbi Kalvar ishte për shpëtimin e tyre personal. Sapo ta kuptojnë arsyen pse Jezusit iu desh të vdiste në kryq, nuk ka nevojë pse të hezitohet për t’i sjellë ata tek Ai, për të marrë bekimin më të madh nga të gjithë.
  3. Kur janë në gjendje të mbështeten vetëm tek Krishti për shpëtim. Nëse me të vërtetë e dinë se vetëm gjaku i Krishtit është e vetmja mënyrë shpëtimi, atëherë ata mund të shpëtohen. Gjatë gjithë brezave të kaluar, prindër të perëndishëm iu kanë thënë fëmijëve të tyre se fetë e botës janë të rreme dhe nuk e çojnë dot njeriun tek Perëndia apo tek shpëtimi. Fëmijët duhet ta kuptojnë atë që tha Jezusi: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Fëmijët që dëshirojnë ta rrëfejnë besimin e tyre në Krishtin, duhet të inkurajohen e jo të qortohen për këtë gjë.

Fëmijët janë të përpunueshëm në duart e Krishtit       

Fëmijët mësojnë shumë shpejt se si të mëkatojnë, por ata mund të mësojnë t’i binden Zotit edhe më shpejt, po qe se iu jepet rasti. Këshilla e Hebrenjve 3:13 mund të përdoret edhe në këtë situatë: “Por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: “Sot,” që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit”. Edhe pse fëmijët janë mëkatarë, ata nuk janë aq të ngurtësuar në zemër prej mëkatit, sa ç’mund të jenë të rriturit. Fëmijët janë jashtëzakonisht të hapur ndaj mësimeve të Biblës. Ato gjëra që i mësojnë, sa janë të vegjël, iu mbeten në mendje për tërë jetën. Ka shumë njerëz të moshuar, të cilët ruajnë kujtime të dashura të mësimeve të mira që morën në Shkollën e së Dielës (në Takimin e Fëmijëve) në kishë, kur ishin të vegjël. “Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket” (Fjalët e Urta 22:6)… “Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate” (Predikuesit 12:1). Na thuhet se fëmijët nuk janë në gjendje t’i kuptojnë mirë mësimet e Krishtit, por shumica e pyetjeve që bëjnë ata, tregon se ata kuptojnë jo mirë, por shumë mirë. Nuk duhet ta nënvlerësojmë mendjen e fëmijëve, përndryshe mund të bëhemi po aq fajtorë sa edhe dishepujt, në përpjekjet tona për t’i larguar fëmijët prej Krishtit. E kush jemi ne, që ta ulim poshtë vlerën që kanë fëmijët për punën e Perëndisë?

Fëmijët janë shërbëtorë të mundshëm të Krishtit

Vlerën dhe dobinë që kanë fëmijët për punën e Zotit, e vëmë re në disa pasazhe në Bibël. Këtu po japim vetëm dy prej tyre: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç’janë këto për aq njerëz?” (Gjoni 6:9)… “Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri” (1 Samuelit 2:18).

Le të mos harrojmë se Perëndia e ka një plan për jetën e secilit fëmijë. Ai është gati t’iu japë fuqi edhe atyre. Kush e di, ndoshta mund të ndodhet një vrasës gjigandësh mes atyre, që janë nën kujdesin tonë? Kush e di, ndoshta Perëndia do t’i përdorë ata, kur të rriten, për të sjellë një rilindje të madhe? Le t’iua zgjasim dorën fëmijëve e t’i sjellim ata tek Krishti. Diku, mes tyre, egziston një David, një Samuel, një Pal, një Timote, një evangjelist, apo një pastor, që është ende fëmijë. Perëndia madje përdor një fëmijë, për të shpjeguar se si do të jetë Mbretëria Njëmijëvjeçare e Krishtit: “Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë” (Isaia 11:6).

Përfundim

Nuk ishin dishepujt ata, që u bekuan atë ditë. Përkundrazi, Jezusi përsëri i mori fëmijët në krahë dhe i bekoi. Edhe dishepujt do të bekoheshin, po t’i kishin sjellë fëmijët tek Krishti, por e humbën bekimin, ngaqë i kishin zemrat e ngurtësuara. W.Graham Skroxhi ka thënë: “Bëj maksimumin për vete dhe jepua pastaj maksimumin tënd fëmijëve”.

Po të mos bëhemi si fëmijë të vegjël, me besim dhe përulësi si fëmija, nuk do të hyjmë dot në Mbretërinë e Krishtit. Kaq e rëndësishme është kjo çështje. Fëmijët nuk duhet të presin sa të rriten, që të shpëtohen. Por të rriturit duhet të bëhen si fëmijët, përndryshe ata nuk mund të marrin shpëtimin.

Vans Havner ka thënë: “Për këtë brez, që po rritet, duke parë filma me dhunë e duke dëgjuar komedi qesharake, unë lakmoj një fëmijëri, të ushqyer me fjalën e Perëndisë. Të rinjve modernë, të ushqyer me plehra e të lodhur nga argëtimet e shumta, mund t’iu duket e mërzitshme lumturia e jetës së kaluar, kur fjala “Amen!” ishte në gojën e shumicës së njerëzve, kurse tani dëgjohet vetëm shprehja: “E çfarë pastaj?”

Mbrapa

Advertisements