Krishti dhe Çezari

Drejtuesit fetarë përdorën çdo lloj mënyre të mundshme për ta zënë Jezusin në kurth e për ta bërë Atë që ta ndëshkonte vetë Veten. U treguan aq dinakë dhe aq mashtrues, sa edhe “djalli”, ati i tyre (Gjoni 8:44). Në tekstin që po studiojmë këtu, Marku na përshkruan sadopak mençurinë e Zotit Jezus Krisht.

Plan-thurësit

Pastaj i dërguan disa farisenj dhe herodianë për ta zënë në gabim në fjalë” (Marku 12:13).

Farisenjtë dhe herodianët, që ishin armiq të betuar të njëri-tjetrit, u mblodhën së bashku për t’i bërë Jezusit një pyetje aq të vështirë, saqë, sipas mendimit të tyre, një marangoz analfabet prej Nazaretit nuk do të ishte dot në gjendje t’i përgjigjej. Farisenjtë ishin formalistë të dhënë pas bestytnive (supersticiozë), që e kishin mendjen vetëm tek ritet e ceremonitë. Herodianët donin vetëm që t’iua bënin qejfin të tjerëve. Ata e përbuznin cilindo, që dëshmonte se kishte një marrëdhënie personale me Perëndinë. Farisenjtë e urrenin regjimin romak, por herodianët ishin pak më tolerantë. “Ata e përgjonin me kujdes dhe i dërguan disa spiunë të cilët, duke u paraqitur si njerëz të drejtë, ta zinin në gabim në ndonjë ligjëratë dhe pastaj t’ia dorëzonin pushtetit dhe autoritetit të guvernatorit” (Luka 20:20).

Të njëjtën gjë shohim tek ndodh edhe sot në qarqet fetare. Njerëzit e kësaj bote, formalistët, etj. nuk kanë fare simpati të vërtetë për ata që e duan Perëndinë. Ata i përbuzin sidomos të gjithë pasuesit e vërtetë të Jezus Krishtit. Si bota, ashtu edhe kisha e rreme janë gati për t’u mbledhur së bashku e për t’i ndaluar besimtarët, që të mos predikojnë mesazhin e shpëtimit. Nuk duhet të presim mëshirë prej atyre, që e urryen Shpëtimtarin dhe fjalën e Tij.

Hilet e mashtrimet

Këta erdhën dhe i thanë: “Mësues, ne e dimë se ti je i vërtetë pa pyetur për njeri, sepse nuk merr parasysh dukjen e njerëzve, por u mëson udhën e Perëndisë sipas së vërtetës. A është e ligjëshme t’i paguhet taksa Cezarit apo jo? Duhet t’ia paguajmë apo jo? Por ai, duke njohur hipokrizinë e tyre, u tha atyre: “Përse më tundoni? Më sillni një denar që ta shoh!” (Marku 12:14-15).

Dukej sikur ishte e pamundur t’i përgjigjeshe pyetjes që i bënë ata Jezusit, e të mos ziheshe në rrezik. “Atëherë farisenjtë u veçuan dhe bënin këshill se si ta zinin gabim në fjalë” (Mateu 22:15). Po qe se Zoti do të thoshte: “Paguajini taksat Çezarit”, atëherë farisenjtë do ta ndëshkonin, ngaqë kishte përkrahur Romën. Po qe se Ai do t’u thoshte të mos paguanin taksa, atëherë herodianët do ta akuzonin me të drejtë para Pilatit, si një njeri që po iu mësonte të tjerëve se si të ngrinin krye kundër Romës. E shohim, pra, arsyen se përse këto dy grupe njerëzish të ligë u mblodhën së bashku për ta mashtruar Jezusin. E kishin përgatitur mirë kurthin e tyre. Thjesht po ndiqnin të njëjtat hile e mashtrime si të “gjarpërit të lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun” (Zbulesa 12:9). Vini re se si Jezusi nuk kishte në zotërim të Tij as qoftë edhe një monedhë të vetme, por iu desh ta merrte një borxh.

Për vite me rradhë, pyetje të tilla kanë shkaktuar hutim e shastisje mes besimtarëve. Ku përfundojnë të drejtat e kishës e ku fillojnë të drejtat e shtetit? A duhet që besimtari t’i bindet çdo ligji, të nxjerrë nga autoritetet e vendit, ku banon? Djalli kënaqet, kur i hedh të krishterët në gjyq, në bazë të akuzave të sajuara. Kishat kombëtare (që financohen prej shtetit), bashkëpunojnë me shtetin, me qëllim që t’ua mbyllin gojën atyre, që predikojnë fjalën e Perëndisë. Sa kohë ka që Kisha e Anglisë, apo Kisha e Romës nuk është ngritur të flasë një herë e të thotë se është e paligjshme të arrestohen predikues në rrugë, tek iu flasin njerëzve për Jezusin?

Bestytnia

Ata ia prunë. Dhe ai u tha atyre: “E kujt është kjo fytyrë dhe ky mbishkrim?”. Ata i thanë: “E Cezarit”. Atëherë Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “I jepni Cezarit atë që është e Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë”. Dhe ata u çuditën nga ai” (Marku 12:16-17).

Edhe pse drejtuesit fetarë ishin gati ta thërrisnin Jezusin “Mësues”, prapëseprapë, Ai i kuptoi lajkat dhe hipokrizinë e tyre. Ata e quajtën Atë “Mësues”, por Ai i quajti ata “hipokritë”. “Por Jezusi, duke e njohur ligësinë e tyre, tha: “Pse më tundoni, o hipokritë?” (Mateu 22:18). Para Tij, ata qëndronin me “buzë të zjarrta dhe zemër të keqe”, që “janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte” (Fjalët e Urta 26:23). Jezusit nuk i lanë shumë mbresa as të folurit e tyre lajkatar, as ligjëratat e bukura.

Kur Jezusi i pyeti rreth monedhës, që ia prunë, ata iu përgjigjën menjëherë se fytyra (imazhi) mbi të i përkiste Çezarit Tiberius. Monedha ishte shenjë, për t’iu kujtuar vazhdimisht se ishin nën sundimin e hekurt të Romës, për shkak të mëkatit dhe të pabesisë së tyre ndaj Perëndisë. Këta hipokritë i përdornin çdo ditë monedhat romake, pa menduar se po bënin ndonjë gabim. S’ka dyshim se ata nuk e pritën përgjigjen, që iu dha Jezusi. Monedhën e kishte prodhuar Çezari, ndaj i përkiste atij. Por bindja shpirtërore i përkiste vetëm Perëndisë. Jezusi, në fakt, po iu thoshte farisenjtë mendjemëdhenj: “Mos e refuzoni që t’i paguani taksa Romës”, kurse herodianëve të kësaj bote, Ai po iu thoshte: “Mos e neglizhoni nderimin e Perëndisë, por bëni ashtu siç iu thotë Ai”. Vërtet imazhi i Çezarit ishte mbi monedhë, por njeriu ishte krijuar në imazhin e Perëndisë (shiko Zanafilla 1:26-27).

Përfundim

E kemi për detyrë t’i bindemi ligjeve të vendit, ku banojmë, n.q.s. ato ligje nuk ndërhyjnë në ligjin e Perëndisë. Qeveria është e caktuar prej Perëndisë: “Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia” (Romakëve 13:1). Por, kur ligji i vendit dhe ligji i Perëndisë ballafaqohen me njëri-tjetrin, atëherë besimtari duhet t’i bindet gjithmonë në fillim Perëndisë: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve” (Veprat e Apostujve 5:29). Duhet t’i bindemi gjithmonë urdhërit të Jezusit, për ta ndarë ungjillin me ata që nuk besojnë, madje edhe kur qeveria të nxjerrë ligje, që e ndalojnë këtë veprim (shiko Mateu 28:19).

Duhet t’i kërkojmë mençuri Perëndisë, që të dimë se si të sillemi me ata që na kundërshtojnë. Djalli do ta përdorë qeverinë për ta dobësuar e për ta hedhur poshtë kishën. Për ne, vendimi i Perëndisë, ashtu siç përfshihet edhe në fjalën e Tij, është i pandryshueshëm e definitiv, ndaj edhe duhet t’i bindemi.

Mbrapa

Advertisements