Krishti dhe Urdhërime

Për të tretën herë, një drejtues fetar vjen tek Zoti Jezus Krisht me një pyetje, që, sipas tij, është vështirë për t’i dhënë përgjigje. Më parë, Jezusi iua kishte mbyllur gojën marrëzisë së farisenjve dhe të saducenjve. Tani e kanë rradhën skribët. Ata nuk e dinin se përgjigjia e Krishtit ndaj gjëegjëzës së tyre do të bëhej burim bekimi për të gjithë ata, që e duan dhe e lexojnë fjalën e Perëndisë. Fjalët e Gjyqtarëve 14:14 janë vërtet me vend: “Nga gllabëruesi doli ushqimi”.

Urdhërimi më i madh

Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?”. Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: “Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,” dhe: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!”. Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten”. Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta” (Marku 12:28-31).

Fjalët e këtij njeriu mund të tingëllojnë si fjalë të sinqerta, por, në fakt, zemrës së tij i mungonte sinqeriteti: “Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë” (Mateu 22:35). Nuk e dimë se ç’lloj përgjigje priste skribi prej Jezusit. Ndoshta ai kujtoi se Zoti do ta lavdëronte, ngaqë i dinte dhe i zbatonte mirë të gjitha urdhërimet. Atij, jo vetëm që iu tregua se cili ishte urdhërimi më i madh, por gjithashtu edhe urdhërimi tjetër, që vinte pas tij. Këto dy thënie të Jezusit janë, në fakt, përmbledhje e Dhjetë Urdhërimeve. Katër urdhërimet e para kanë të bëjnë me dashurinë ndaj Perëndisë, kurse gjashtë të tjerat bëjnë fjalë rreth marrëdhënies sonë me të tjerët (shiko Eksodi 20:1-17). Perëndia i dha Izraelit vetëm Dhjetë Urdhërime, por skribët i kishin ndarë ato në 613 urdhërime: 248 urdhërime, që tregonin se “ç’duhet bërë” dhe 365 urdhërime, që tregonin se “ç’nuk duhet bërë”. Ata i vinin rëndësi të madhe festës së shabatit, rrethprerjes, flijimeve dhe rrobave fetare. Prandaj, kur skribi pyeti se cili ishte “më i pari nga të gjithë urdhërimet”, ai, në fakt, po pyeste se cili prej të 635 urdhërimeve ishte më i rëndësishmi. Jezusi, duke i lënë mënjanë të gjitha ligjet e tepërta, hyri drejt e në temë: “Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët” (Mateu 22:40).

Njerëzit religjiozë (të dhënë pas fesë) e përqëndrojnë vëmendjen vetëm tek njëri prej këtyre urdhërimeve. Ata, ose thonë se e duan Perëndinë, por nuk tregojnë aspak dashuri për të tjerët, ose janë shumë humanitarë (bamirës), por nuk ia kanë falur zemrën Perëndisë. Është e pamundur ta kënaqësh Perëndinë, duke iu bindur njërit prej urdhërimeve e duke e neglizhuar tjetrin. Këto dy urdhërime japin shumën, që del, po të mbledhim së bashku adhurimin, shenjtërinë, perëndishmërinë e drejtësinë. Dashuria për Perëndinë duhet të përfshijë edhe dashurinë për fqinjin, i cili është krijesë e Perëndisë, ashtu siç jemi edhe ne: “Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit” (Romakëve 13:10). Nuk është për t’u habitur, pra, që Pali shkroi: “Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria” (1 Korintasve 13:13).

Dashuria jonë duhet t’i drejtohet në fillim Perëndisë. Po t’i drejtohet dikujt tjetri, atëherë jeta jonë do të shkojë drejt shkatërrimit. Askush dhe asgjë nuk duhet të na e rrëmbejë këtë “dashuri të parë” prej Zotit (Zbulesa 2:4). Duhet të veprojmë ashtu si autori i psalmit 73, kur tha: “Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje” (Psalmi 73:25). Mund të gabojmë, duke treguar dashuri të tepruar ndaj të tjerëve, qoftë me vepra, qoftë në mendime. Por dashuria ndaj Perëndisë nuk mund të jetë kurrë e tepruar. Ai e meriton të gjithë dashurinë tonë. I bekuar vërtet është ai, që synon t’i zbatojë që të dyja këto urdhërime të Krishtit.

A mund të themi me ndershmëri të plotë se e duam Perëndinë ashtu siç duhet dashur? Shpesh, si njerëzit e ligjit, ashtu edhe ne, përpiqemi ta vërtetojmë se e nderojmë Perëndinë, duke bërë gjithçka që na urdhëron Ai, por pa e dashur Atë vërtet me gjithë zemër. Askush nuk është bërë i drejtë në sytë e Perëndisë, ngaqë ka zbatuar ligjin: “Siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një…sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit” (Romakëve 3:10, 20). I vetmi njeri, që mund t’i zbatojë me të vërtetë urdhërimet, është ai, që e do Perëndinë dhe e vë Atë në plan të parë në jetën e tij.

Gjendja e mjeruar

Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij; dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet”. Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë”. Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë” (Marku 12:32-34).

Është e qartë se ky skrib e kuptoi atë, që po thoshte Jezusi. E vuri re se Zoti nuk ishte thjesht një marangoz analfabet prej Nazaretit, por ishte mjeshtër i fjalës së Perëndisë. Sipas Krishtit, ky njeri nuk ishte larg prej Mbretërisë së Perëndisë. Por, a do të bëhej, vallë, ai pasues i Krishtit, apo do të hezitonte, për shkak të pozitës që kishte? Bibla nuk na tregon më shumë lidhur me këtë skrib, ndaj duhet të nxjerrim si konkluzion se ai e hodhi poshtë Mesian e tij. Ndoshta fjalët e Gjonit 12:43 mund të shërbejnë si përkufizim i gjendjes së mjeruar të zemrës së tij: “Donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë”. Ka shumë mundësi që skribi të ketë vdekur jashtë Mbretërisë së Perëndisë.

Të shumtë janë ata, si brenda, ashtu edhe jashtë kishës, që dinë shumë rreth Biblës e nuk janë larg prej Mbretërisë. Por, pak rëndësi ka se sa afër i është njeriu shpëtimit. Po qe se nuk e pranon Krishtin si Shpëtimtar, atëherë ai do të jetë përjetësisht i humbur. Të qënit religjioz, por jo i shpëtuar, është ndoshta gjendja më e mjeruar shpirtërore, në të cilën mund të gjendet njeriu.

Këtu ka një paralajmërim edhe për ne. Duhet të sigurohemi se nuk po i varim shpresat e shpëtimit tonë tek njohuria intelektuale, apo tek detyrimet fetare. Mund ta dimë Biblën përmendësh dhe ta besojmë se ajo është e vërteta absolute, por, po qe se nuk e kemi atë në zemër e nuk udhëhiqemi prej saj në jetën tonë, atëherë po gënjejmë vetveten: “Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten” (Jakobi 1:22). Për t’u shpëtuar, nuk mjafton vetëm që të mos “jesh larg prej Mbretërisë së Perëndisë”. Pali thotë: “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23). Egziston mundësia, pra, që edhe ne ta vëmë veten tonë në pozitën e skribit, në të njëjtën gjendje të mjeruar si ai: “Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë” (Hebrenjve 4:1).

Përfundim                      

Cili urdhërim është më i rëndësishmi? Jezusi, në vend që t’i ndante urdhërimet në 613 kategori, na tregoi se ka vetëm dy urdhërime bazë. Prandaj nuk është vështirë për ta parë se cili urdhërim është më i rëndësishmi. Që të dy kanë rëndësi jetike për pasuesin e vërtetë të Krishtit, sepse është e pamundur për ta zbatuar urdhërimin e parë, pa e zbatuar edhe të dytin: “Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh? Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet” (1 Gjonit 4:20-21).

Mbrapa

Advertisements