Krishti i Dashur dhe Fëmija i Vogël

Mbasi u nisën prej andej, kaluan nëpër Galile; dhe ai nuk donte që ta merrte vesh njeri” (Marku 9:30).

Shërbesës publike të Zotit tashmë po i vinte fundi. Para syve të Tij tani qëndronte Kalvari. Në këto vargje të shkurtra të këtij studimi do të shohim se si dishepujt nuk e kishin kuptuar akoma arsyen e ardhjes së Krishtit, e madje, edhe kur kujtuan se e kishin kuptuar këtë arsye, kuptimi i tyre ishte sipas mishit, jo sipas Frymës.

Vuajtja e Zotit

Ai, në fakt, i mësonte dishepujt e vet dhe u thoshte atyre: “Së shpejti Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve dhe ata do ta vrasin; dhe, pasi të jetë vrarë, ai do të ringjallet ditën e tretë”. Por ata nuk i kuptonin këto fjalë dhe kishin frikë ta pyesnin” (Marku 9:31-32).

Këtu Zoti flet shumë qartë rreth vuajtjes, vdekjes dhe ringjalljes së Tij, por dishepujt nuk e kuptuan dot se çfarë po thoshte. Kishin frikë ta pyesnin, sepse mendjet i kishin të mbushura me ide të gabuara rreth mbretërimit të Mesias në tokë. Akoma besonin se Israelit do t’i kthehej menjëherë mbretëria e vet. Ishte kjo ide e gabuar, që po i pengonte ta kuptonin të vërtetën e asaj që po thoshte Zoti. Ata që i varin shpresat në doktrina të rreme, nuk arrijnë ta kuptojnë dot të vërtetën e thjeshtë e të qartë të Biblës.

Jezusi vazhdimisht iua kishte paraqitur dishepujve domosdoshmërinë e vdekjes së Tij, sepse kjo ishte arsyeja e ardhjes së Tij në tokë. Nëse një njeri e mohon domosdoshmërinë e gjakut të Krishtit për shpëtim, atëherë ai nuk mund të shpëtohet dot. Sa të shumtë janë ata njerëz, që edhe pse janë në pozita të ngritura kishtare, apo anëtarë kultesh të ndryshme, prapëseprapë, nuk arrijnë ta kuptojnë dot këtë të vërtetë themeltare?

Lakmia për supremaci

Dhe arritën në Kapernaum; dhe kur hyri në shtëpi, i pyeti: “Për çfarë diskutonit ndërmjet jush rrugës?”. Dhe ata heshtën, sepse rrugës kishin diskutuar se cili ndër ta ishte më i madhi” (Marku 9:33-34).

Në vend që të meditonin mbi rëndësinë e vdekjes sakrifikuese të Krishtit, dishepujt po debatonin se cili prej tyre do ta kishte pozitën më të lartë në Mbretërinë e Mesias. Ata po e anash-kalonin kryqin e donin të shkonin direkt tek kurora. E, në fund të fundit, kush ishin ata? Peshkatarë, tagrambledhës, e mbi të gjitha, mëkatarë. E prapëseprapë, ata lakmonin supremacinë e donin të ishin të parët! Pa dyshim, po diskutonin se kujt i takonte e drejta të ulej në vendin e nderit afër Jezusit.

Gjatë gjithë historisë së kishës, njerëz të ndryshëm kanë rënë në kurthin e lakmisë për supremaci. Pa e kuptuar mirë se kush ishte Jezusi, njerëz të tillë kanë luftuar, kanë rënë në ujdi, e kanë mashtruar të tjerët, vetëm e vetëm që të zinin poste kryesore. Nuk ishin të kënaqur me pozitën, që iu kishte dhënë Perëndia si pastorë, por donin të ishin kryepriftërinj e papa supremë. Për ç’arsye? Mëkati më i zakonshëm ndër njerëzit është krenaria (mendjemadhësia), të pëlqyerit e të vlerësuarit e vetvetes më shumë se ç’duhet. Krenaria e pengon mëkatarin që të pendohet e të kthehet tek Krishti. Krenaria e bën shpirtin të denjë për shkatërrim. Të paktë janë ata njerëz, sidomos mes atyre që kanë pozita të larta kishtare, që janë vërtet të veshur me përulësi. Profeti kishte të drejtë, kur shkroi: “Zemra gënjehet më tepër se çdo gjë tjetër dhe sëmuret në mënyrë të pashërueshme; kush mund ta njohë atë?” (Jeremia 17:9).

Të qënit i fundit

Atëherë ai u ul, i thirri të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Nëse dikush don të jetë i pari, le të bëhet i fundit i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve” (Marku 9:35).

Në ditët e sotme, askush nuk do që të jetë “i fundit”. Nuk duam të jemi të fundit, kur vjen puna për të marrë bekime, por kënaqemi të jemi të fundit në rradhë, kur bëhet fjalë për vdekje apo sëmundje. Bota kujton se të jesh i madh, do të thotë të kesh supremaci. Por, për të krishterin, të jesh i madh, do të thotë të bëhesh shërbëtor. Pak rëndësi ka se ç’thotë bota. Krishti këtë kërkon prej nesh. Në sytë e Tij, ai që është më i përuluri i shërbëtorëve të Tij, ai është shenjtori më i madh.

Duhet ta kontrollojmë veten e ta zhdukim fare mëkatin e të kënaqurit të vetvetes dhe ta zëvendësojmë atë me vetë-sakrifikim e vetëmohim.

Personi i Vogël

Dhe mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre: “Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar” (Marku 9:36-37).

Për ta ilustruar atë që po thoshte, Jezusi mori në krahë një fëmijë. Me këtë, Ai dukej sikur po i pyeste dishpepujt: “Kush po më qëndron Mua më afër tani?” Nuk ishin ata, që kujtonin se iu takonte të zinin pozita të lavdishme, por një fëmijë i vogël, njeriu më i vogël e më i parëndësishmi mes tyre. Dishepujt duhej t’iu shërbenin madje edhe fëmijëve të vegjël, nëse donin të pranoheshin në Mbretërinë e Perëndisë. Fëmijët e vegjël i përkasin Atij, ndaj, ata që i mohojnë fëmijët, mohojnë vetë Krishtin: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve” (Mateu 19:14). Ata që nuk pranojnë t’i duan e t’iu shërbejnë fëmijëve, nuk kanë vend në Qiell: “Por ai që do të skandalizojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë tek unë, do të jetë më mirë për atë t’i varet në qafë një gur mulliri (që e sjell rrotull gomari) dhe të zhytet në thellësi të detit” (Mateu 18:6).

Shembulli i fëmijës iu tregoi dishepujve gjithashtu se për të qenë i madh, duhet të jesh i gatshëm të besosh si një fëmijë. “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve” (Mateu 18:3-4). A iua zhduku ky lloj mësimi dishepujve dëshirën për të qenë të parët? Siç do ta shohim edhe tek kapitulli i 10-të i Ungjillit sipas Markut, ata akoma nuk kishin hequr dorë prej krenarisë dhe rëndësisë që i kushtonin vetes.

Përfundim

Jezusi nuk na ka thirrur për të jetuar një jetë lluksi e pasurie. Ai nuk i nderon as papat, kardinalët, kryepriftërinjtë, peshkopët, etj. Përkundrazi, pasuesit e Tij janë të gjithë ata, që nuk kërkojnë asgjë për vete, por bëjnë një jetë të përulur si shërbëtorë. Do të ketë raste, kur puna për të cilën na ka thirrur Ai, do të jetë e vështirë e demoralizuese. Bota do të na konsiderojë si dështakë, humbës e në vend të fundit. Por Zoti do të na nderojë si “më shumë se fitimtarë” (Romakëve 8:37). 

Mbrapa

Advertisements