Krishti i Dashur dhe Pozita e Bartimeut

Të gjitha ngjarjet e përshkruara në Bibël na janë dhënë, me qëllim për të na zbuluar jo vetëm të vërteta shpirtërore, por edhe për të na treguar fuqinë e Zotit. Historia e Bartimeut të verbër është më shumë sesa një tregim historik; ajo është një pikturë e besimit të vërtetë.

Besimi i thjeshtë

Kështu arritën në Jeriko. Kur ai po dilte nga Jeriko me dishepujt e tij dhe me një turmë të madhe, biri i Timoteut, Bartimeu i verbër, ishte ulur gjatë rrugës dhe lypte. Kur dëgjoi se ai që po kalonte ishte Jezusi Nazareas, filloi të bërtasë dhe të thotë: “Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!” (Marku 10:46-47).

Bartimeu, biri (parashtesa “bar” do të thotë “biri”) i Timoteut, ishte lypës. Sapo e mori vesh se po afrohej Jezusi, i thirri me të madhe. Nga ana fizike, Bartimeu ishte i verbër, por me shpirt shikonte si s’ka më mirë. E dinte se kush ishte Jezusi. Priftërinjtë dhe mësuesit e ligjit ishin ata, që ishin me të vërtetë të verbër. Bartimeu e kishte kuptuar se Jezusi ishte Mesia, i paralajmëruar prej profetëve. Ja pra, një njeri, i cili nuk kish parë dot asnjë prej mrekullive të Jezusit, por thjesht kish dëgjuar se ç’po ndodhte dhe kish qenë në gjendje ta kuptonte atë që thoshte fjala e Perëndisë. Bartimeu kishte besim se Zoti mund ta shëronte, edhe pse vetë nuk kishte parë ndonjë dëshmi të mrekullive të Krishtit, rreth të cilave kishte dëgjuar kaq shumë.

Pali na mëson se “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Romakëve 10:17). Historia e Bartimeut i vërteton plotësisht këto fjalë të Zotit: “Lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar!” (Gjoni 20:29). Edhe neve nuk na lejohet ta shohim Jezusin me sytë e trupit, por, prapëseprapë, mund të besojmë se gjithçka, që është thënë rreth Tij, është e vërtetë: “Të cilin, megjithëse ju nuk e keni parë, e doni, duke besuar në Të, megithëse tani nuk e shihni, dhe ngazëllohuni nga një hare e patregueshme dhe e lavdishme” (1 Pjetrit 1:8). Kemi fjalën e Perëndisë, që na inkurajon. Një besim i tillë është thelbi i shpëtimit dhe i veprës së fuqishme të Perëndisë në jetën tonë. Besimi i thjeshtë i të verbërit bëri që ai t’i thërriste Zotit, që të vinte e ta prekte plot mëshirë. Këtë kuptim ka edhe lutja që bëhet me besim.

Besimi i fortë

Shumë e qortonin që të heshte, por ai bërtiste edhe më fort: “Bir i Davidit, ki mëshirë për mua!” (Marku 10:48).

Bartimeu nuk mori ndonjë inkurajim prej turmës, kur filloi të thërriste në emër të Zotit. Por ai ishte i vendosur, që të mos i linte që ta pengonin ata, që nuk besonin. Nuk lejoi që të sharat e atyre që e rrethonin, t’ia hiqnin besimin që kishte tek Mesia. Në vend që të pushonte, ai bërtiti edhe më fort, derisa të gjithë e morën vesh se po i thërriste Jezusit që ta ndihmonte.

Nuk ka shumë rëndësi se ç’mendon bota rreth nesh, kur thërrasim në emër të Zotit në lutje. Mund të na përbuzin, ashtu siç e përbuzën lypësin e verbër edhe banorët e Jerikos. Por bota kurrë nuk do të marrë gjë prej Zotit, po s’i thirri vetë Atij. Kurrë nuk duhet t’ua vëmë veshin atyre, që synojnë të na bëhen pengesë në besim.

Pse i kanë njerëzit zemrat kaq të ngurtësuara, kur vjen puna për ta kërkuar Krishtin? Pse heqin dorë shpejt, pikërisht atëherë kur Zoti fillon të veprojë në jetën e tyre? Përgjigja është kjo: ata nuk e shohin gjendjen e tyre të vërtetë shpirtërore dhe seriozitetin e mëkatit. Nuk janë të bindur se janë aq mëkatarë, sa të mallkohen në zjarrin e Ferrit. Vetëm kur njeriu e kupton fajin, atëherë ai është gati t’i thërrasë Jezusit që ta shpëtojë. Vetëm ata që vijnë tek Krishti për të marrë mëshirë, do të shërohen prej sëmundjes së mëkatit.

Besimi serioz

Dhe Jezusi qëndroi dhe urdhëroi që ta thërrasin. Ata e thirrën, pra, të verbërin duke i thënë: “Merr zemër, çohu, ai po të thërret!”. Atëherë ai hodhi tej rrobën e tij, u ngrit dhe erdhi te Jezusi. Dhe Jezusi mori fjalën dhe i tha: “Çfarë do që unë të të bëj?”. I verbëri i tha: “Rabboni, që të më kthehet të parit!”. Dhe Jezusi i tha: “Shko, besimi yt të shëroi”. Dhe në çast atij iu kthye të parit dhe nisi të ndjekë Jezusin në udhë” (Marku 10:49-52).

Bartimeu mori përgjigje ndaj lutjes së vet. Besimi i tij tek Jezusi i solli shërimin, për të cilin kishte nevojë të ngutshme. Jezusi i tha të shkonte, por ai mori vendimin për ta ndjekur Zotin. Bartimeu, jo vetëm që kishte një besim të thjeshtë e të fortë, por edhe një besim serioz. E kishte seriozisht të besuarit tek Jezusi. Ata njerëz, që më parë e kishin sharë e qortuar, filluan ta lavdëronin vetë Perëndinë, kur panë Bartimeun e shëruar, tek po e ndiqte dhe po e përlëvdonte Perëndinë: “Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë” (Luka 18:43). Bartimeu nuk do të kishte qenë një dëshmitar i fuqishëm i mëshirës së Zotit, po qe se nuk do të kishte patur një besim serioz tek Krishti.

Ata që janë çliruar prej Jezusit, duhet ta ndjekin Atë, d.m.th. t’i binden fjalës së Tij. Zoti mund të tërheqë drejt Vetes, vetëm ata, që e ndjekin afër kryqit, në rrugën e shenjtërisë e të besimit të vërtetë. Ata, për të cilët derdhi gjakun Krishti, duhet t’ia përkushtojnë veten me gjithë zemër Atij: “Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon” (2 Korintasve 5:14). Ata që mburren e thonë se kanë lindur sërish, por që nuk e ndjekin Zotin në jetën e përditshme, janë mashtrues të mjerë: “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë”, vetëm ata janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14).

Nëse Bartimeu do ta kish mbajtur gojën mbyllur atë ditë, ai do ta kishte humbur rastin për ta takuar edhe një herë tjetër Jezusin. Zoti nuk shkoi më në Jeriko. Sa njerëz ka, që e kanë humbur rastin për t’i thirrur sot Zotit?

Përfundim

A na i ka hapur sytë Fryma e Shenjtë e Perëndisë? “Dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët, dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij” (Efesianëve 1:18-19). Nëse po, atëherë duhet ta vërtetojmë këtë, duke e ndjekur Zoti çdo ditë të jetës sonë.

Mbrapa

Advertisements