Krishti i Kryqëzuar

Në këtë studim do të shohim gjërat e tmerrshme, që i ndodhën Zotit Jezus Krisht gjatë orëve të fundit të jetës së Tij tokësore. Marku na jep thjesht një përshkrim të shkurtër të kryqëzimit dhe vdekjes së Jezusit, duke lënë pa përmendur ngjarje të ndryshme që ndodhën para momentit të Kalvarit. (Për këto, si edhe për fjalët që tha Jezusi mbi kryq, shikoni Ungjijtë sipas Mateut, Lukës dhe Gjonit).

Ja, ku është pra, Biri i përjetshëm i Perëndisë, duke vuajtur në mënyrë të pafajshme për mëkatet e tërë botës. Përmes këtyre vuajtjeve, shohim të manifestuar dashurinë e Tij: “Dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri” (Efesianëve 3:19)… “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Romakëve 5:8)… “Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pjetrit 3:18).

Romakët

Atëherë ushtarët e çuan Jezusin në oborrin e brendshëm domëthënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën” (Marku 15:16).

Zoti iu dorëzua ushtarëve romakë, sikur të ishte një kriminel. Vuajti, si në duart e johebrenjve, ashtu edhe të hebrenjve, prandaj edhe i tërë njerëzimi është fajtor për vdekjen e Tij. Hebrenjtë dhe johebrenjtë e gjykuan pa të drejtë, por një ditë, e tërë bota do të gjykohet prej Tij: “Të gjithë, pra, do të dalim përpara gjykatës së Krishtit. Sepse është shkruar: “Rroj unë, thotë Perëndia, se çdo gjë do të ulet para meje, dhe çdo gjuhë do ta lavdërojë Perëndinë!”. Kështu, pra, secili nga ne do t’i japë llogari Perëndisë për veten e vet” (Romakëve 14:10-12)… “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27). Vetëm ata prej hebrenjve dhe johebrenjve, që e pranojnë Atë si Mesia, do të qëndrojnë të pafajshëm para fronit të Tij: “Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim” (Juda :24).

Tallja

E veshën në purpur dhe, si thurën një kurorë me ferra, ia vunë mbi krye. Pastaj nisën ta përshëndesin duke i thënë: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve!”. Dhe e goditnin në krye me një kallam, e pështynin dhe, duke u gjunjëzuar përpara tij, e adhuronin. Pasi e tallën, ia hoqen purpurën, e veshën me rrobat e tij dhe e nxorën jashtë për ta kryqëzuar” (Marku 15:17-20).

Jezusi u vu në lojë prej ushtarëve romakë, të cilët e veshën me rroba me ngjyra mbretërore dhe i vunë mbi kokë një kurorë me ferra. Duke vepruar kështu, ushtarët u tallën me mësimet dhe me Mbretërinë e Jezusit. Një ditë, të gjitha kombet do ta shohin Krishtin e lavdëruar, të veshur me rrobat mbretërore të Qiellit, duke mbajtur mbi krye kurorën e Tij të përjetshme: “Dhe mbi rrobën e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETËRVE dhe ZOTI I ZOTËRVE” (Zbulesa 19:16)… “Që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm” (1 Timoteut 6:15-16). Kur ishte në tokë, Jezusi u vu në lojë prej njerëzve, por, në Qiell, do të adhurohet prej të gjithëve: “Që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:10-11).

Lehtësimi i Barrës

Ata e detyruan një kalimtar, një farë Simoni nga Kirena që kthehej nga ara, babai i Aleksandrit dhe i Rufit, që ta mbante kryqin e tij” (Marku 15:21).

Disa komentatorë të Biblës kanë sugjeruar se Zoti ishte aq i rraskapitur pas të rrahurit me kamzhik, saqë nuk e mbante dot kryqin. Por, ka shumë të ngjarë që Ai ta ketë lejuar një gjë të tillë, me qëllim që të na ilustronte një të vërtetë të rëndësishme: “Nëse dikush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, ta marrë çdo ditë kryqin e vet dhe të më ndjekë” (Luka 9:23).

Shpenguesi

Pastaj e çuan Jezusin në vendin të quajtur Golgota, që do të thotë: “Vendi i Kafkës”. I dhanë të pijë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori. Dhe, pasi e kryqëzuan, i ndanë rrobat e tij duke hedhur short, për të ditur çfarë do t’i binte secilit. Ishte ora e tretë kur e kryqëzuan. Dhe mbishkrimi që tregonte shkakun e dënimit, i cili ishte vënë përmbi të, thoshte: “Mbreti i Judenjve” (Marku 15:22-26).

Golgota (ose Kalvari) është vendi, ku u pagua flijimi për mëkatet tona. Asnjëri prej autorëve të ungjijve nuk e përshkruan momentin, kur u ngulën gozhdët në duart dhe këmbët e Çlirimtarit, apo kur u ngrit lart kryqi dhe zuri vend në vrimën e hapur në dhe. Nuk ishte druri apo hekuri, që na shpëtoi, por gjaku i çmuar i Krishtit.

Bota i mori rrobat, por Krishti i hoqi botës mëkatin: “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të” (2 Korintasve 5:21). U mallkua prej njerëzve dhe u bë mallkim për ta: “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne (duke qenë se është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru” (Galatasve 3:13). E dha jetën e Vet, që të shpëtoheshim: “I cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi” (Titit 2:14). U hodh poshtë nga njerëzit, me qëllim që ne të pranoheshim nga Perëndia: “Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij” (Zbulesa 1:6).

Vjedhësit

Bashkë me të kryqëzuan edhe dy vjedhës, njërin në të djathtën e tij dhe tjetrin në të majtën e tij. Kështu u përmbush Shkrimi që thotë: “Ai u përfshi ndër keqbërësit” (Marku 15:27-28).

Ai, që nuk kishte mëkatuar kurrë, u “përfshi midis keqbërësve” (shiko Isaia 53:12), me qëllim që ne (nga natyra dhe nga veprimet, të humbur në mëkat) të shpalleshim të pafajshëm nëpërmjet gjakut të Tij (shiko 2 Korintasve 5:21 më lart).

Ata që e fyen

Dhe ata që kalonin aty afër e fyenin, duke tundur kokën, dhe duke thënë: “Hej, ti që e shkatërron tempullin dhe e rindërton në tre ditë, shpëto veten tënde dhe zbrit nga kryqi!”. Po ashtu edhe krerët e priftërinjve me skribët, duke e tallur, i thoshnin njeri tjetrit: “Të tjerët i shpëtoi, por veten s’mund ta shpëtojë. Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë”. Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të, e fyenin atë” (Marku 15:29-32).

Të gjithë të pranishmit rreth e përqark kryqit, e shanë dhe e fyen Krishtin. Është interesant fakti se Pilati i dha titullin “Mbreti i Judenjve” dhe judenjtë vetë e quajtën “Mbreti i Izraelit”. Por, kur Krishti nuk zbriti nga kryqi, e quajtën mashtrues. Këta njerëz të ligë nuk do të kishin besuar në Jezusin, edhe sikur Ai të bënte atë që donin ata. Krishti ishte në gjendje për të zbritur prej kryqit, por Ai qëndroi atje, i varur, për ne: “Dhe, duke bërë paqen me anë të gjakut të kryqit të tij, duke fituar pas, me anë të tij, të gjitha gjërat, si ato që janë mbi dhe si dhe ato që janë në qiejt. Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija, tani ju paqtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë juve përpara vetes së tij shenjtorë, faqebardhë dhe të pafajshëm” (Kolosianëve 1:20-22).

Përfundim

Ungjijtë e tjerë kanë të regjistruar më shumë informacion, që ka lidhje me pasazhin e këtij studimi. Por, ajo që ka shkruar Marku, duhet të na e mbushë zemrën me një ndjenjë mirënjohjeje të thellë për borxhin e madh që kemi ndaj Krishtit. Ai pagoi atë çmim, të cilin ne vetë nuk do të mund ta paguanim dot kurrë, edhe sikur të jetonim njëmijë jetë të tjera. Pra, duhet të jemi mirënjohës që “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16)… “Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme” (2 Korintasve 9:15).  

Mbrapa

Advertisements