Krishti i ndëshkuar pa të drejtë

Në këtë studim, Zotin Jezus Krisht e shohim duke qëndruar si kriminel përpara drejtuesve fetarë të Jeruzalemit. Këta burra, të ashtu-quajtur “fetarë”, ishin gati për ta dënuar me vdekje të vetmin Mesia të tyre. Ai, që qëndronte përpara tyre, në të cilin “janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes” (Kolosianëve 2:3), do t’i gjykonte vetë një ditë këta burra të ligë.

Zjarri

Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët. Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit” (Marku 14:53-54).

Ndërkohë që Zoti po gjykohej prej njerëzve pa ndenja, Pjetri po ngrohej rehat pranë zjarrit. Pak orë më parë, ai e kishte braktisur Jezusin. Pa dyshim që ai duhej të ndihej i pikëlluar për atë që kishte bërë. Por, jo, ai tani ishte në mes të vetë atyre njerëzve, prej të cilëve ishte larguar me vrap pak orë më parë. Ishte gati të binte “nga shiu, në breshër”! Pjetri gjithmonë kishte qenë i vrullshëm e krenar, ndaj edhe nuk habitemi tek e shohim atë gati për t’u ballafaquar me sprova të tjera të besimit. Pa e ditur as ai vetë, Pjetri po i hapte rrugën kryerjes së mëkatit të tij më të madh – mohimit të Mjeshtrit të vet.

Ata, që largohen prej Zotit, shpejt përplasen kokë e këmbë me probleme nga më të ndryshmet, që iua shkatërrojnë edhe atë pak besim që iu ka mbetur. Ashtu si Pjetri, edhe ata duket sikur e kanë hedhur poshtë mënyrën e të arsyetuarit dhe maturinë. Si një top bore, që rrotullohet me vrull nga maja e malit, ashtu edhe njerëz të tillë marrin me vete sasi të mëdha mëkati e gjykimi. Kur besimtari largohet prej rrugës së shenjtërisë, atëherë ai është në gjendje të kryejë madje edhe mëkatin më të rëndë. Na duhet, pra, që të mos i afrohemi fare pragut të së ligës, ose, ashtu siç thotë edhe Pali: “Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë” (1 Thesalonikasve 5:22). Nëse gjejmë rehat pranë zjarrit të botës, atëherë vetë e kemi fajin, kur të digjemi. Le të mos i harrojmë fjalët, që na mësoi Jezusi në lutje: “Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu” (Mateu 6:13).

Gënjeshtra

Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin. Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin. Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë: “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: “Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar””. Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte. Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: “Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?”. Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare” (Marku 14:55-61a).

Drejtuesit fetarë nuk mund ta dënonin dot Jezusin, duke përdorur të vërtetën, por, përkundrazi, iu desh që të përdornin gënjeshtra dhe mashtrime, për të arritur në konkluzionet, që i kishin paracaktuar më parë. “E çuan më parë te Ana, sepse ishte vjehrri i Kajafës, që ishte kryeprifti i atij viti. Kajafa ishte ai që i kishte këshilluar Judenjtë se ishte e leverdishme që një njeri të vdiste për popullin” (Gjoni 18:13-14)… “Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini, ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë” (Veprat e Apostujve 2:22-23). Këta drejtues fetarë iu dhanë madje njerëzve edhe bakshish, me qëllim që ata të thurnin histori të rreme rreth Jezusit dhe t’ia shtrembëronin Atij fjalët, që kishte thënë. “Fjalët e shpifësit janë si një gjellë shumë e shijshme që zbret thellë në zorrë” (Fjalët e Urta 18:8). Edhe Davidi e kishte përjetuar vetë të ligën e shkaktuar prej gënjeshtarëve: “O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese” (Psalmi 120:2). Edhe pse ky ishte një gjyq i sajuar, prapëseprapë, dëshmitarët e rremë ishin fajtorë, ngaqë po ia ndërronin kursin drejtësisë. E megjithatë, e gjitha kjo ishte pjesë e kupës, që Shpëtimtarit iu desh ta pinte për hirin tonë. Ishte pjesë e çmimit, që duhej të paguante Ai për shpengimin tonë.

Si pasues të Krishtit që jemi, edhe ne do të tallemi prej botës. “Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti”. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën” (Gjoni 15:20). Mund të ndihemi të dëshpëruar, kur të tjerët përhapin gënjeshtra rreth nesh, por, nuk duhet të dekurajohemi e ta humbim besimin: “Lum ju kur do t’ju shajnë dhe do t’ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush” (Mateu 5:11-12). Me bindje të plotë mund ta themi se, kur bota na lavdëron e na e bën qejfin, atëherë diçka nuk është në rregull me ne: “Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë” (Luka 6:26).

Parashikimi

Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?”. Dhe Jezusi tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit”. Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: “Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë? Ju e dëgjuat blasfeminë, ç’ju duket?”. Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen. Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t’i thonë: “Profetizo!”. Dhe rojat e godisnin” (Marku 14:61b-65).

E vëmë re se Jezusi nuk iu përgjigj gënjeshtrave të tyre, por iu dha një përgjigje të theksuar, kur e pyetën rreth të qënit Perëndi dhe pozitës që kishte Ai në Hyjninë. Shprehja “Unë jam” bën fjalë rreth Jezusit si Zot dhe Krijues të gjithçkaje. Ashtu si Izraelitët, që nuk besonin në kohën e Moisiut, edhe këta drejtues fetarë e dëgjuan emrin e Atij, që po iu qëndronte përpara: “UNË JAM AI QË JAM”. Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: “UNË JAM-i më ka dërguar tek ju” (Eksodi 3:14). Që nga ai moment, asnjë Izraelit nuk mund të justifikohej, duke thënë se Jezusi nuk iu tregoi se kush ishte. Për më tepër, Jezusi iu tha se, edhe pse po e dënonin Mesian e tyre me vdekje, puna nuk do të mbaronte me kaq. Një ditë, Ai do të kthehej, jo më si Mesi, por si Mbret i Mbretërve dhe Zot i Zotërve (shiko Zbulesa 19:16). Tani, ata mund ta gjykonin Atë pa të drejtë, por një ditë, Ai do t’i gjykonte ata për atë që kishin bërë.

Cili burrë a grua ka të drejtë të sugjerojë se Krishti nuk do të kthehet përsëri? Nëse ky fakt nuk do të ishte i vërtetë, atëherë Jezusi nuk kishte pse t’i thoshte ato fjalë që tha, sidomos tek po ballafaqohej me torturën mizore të armiqve të Tij. Duhet ta jetojmë jetën, duke e ditur se Ai mund të kthehet në çdo moment të ditës. Besojmë në një Krisht, që vdiq për mëkatet tona, u varros, por u ringjall të tretën ditë, u ngrit në Qiell, por do të kthehet përsëri për të gjykuar të gjithë njerëzimin: “Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij” (2 Timoteut 4:1).             

Përfundim

Mund të habitemi me padrejtësinë e madhe të drejtuar ndaj Zotit prej atyre, që duhej të ishin shtyllat e moralitetit të kombit. Por të mos e harrojmë se duhej të ndodhte kështu, që të shpëtoheshim: “Biri i njeriut do të bjerë në duart e mëkatarëve” (Mateu 26:45). Ai nuk pagoi vetëm një pjesë të çmimit, por të gjithë çmimin, në mënyrë që të na shpengonte prej mëkatit dhe vdekjes.

Mbrapa

Advertisements