Krishti i Shumëpritur dhe Ardhja e Papritur e Tij

Të krishterët gjithmonë e kanë ditur se një ditë Zoti Jezus Krisht do të kthehet përsëri në tokë, por të paktë janë ata, që jetojnë, duke e pritur Atë me padurim në zemrat e tyre. A do të jetë, vallë, ardhja e dytë e Zotit një ngjarje e papritur dhe e padëshiruar?

Pema

Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë” (Marku 13:28-31).

Shumica e komentatorëve të Biblës bien dakort me njëri-tjetrin lidhur me pemën e fikut, që përfaqëson Shtetin e Izraelit. Vetë Bibla përdor të njëjtin simbolizim, kur flet për Izraelin: “Unë gjeta Izraelin si rrushi në shkretëtirë, pashë etërit tuaj si fiqtë e parë mbi një fik të ri” (Osea 9:10). Jezusi e përdori fikun në një shëmbëlltyrë tjetër, lidhur me mungesën e besnikërisë nga ana e Izraelit: “Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoi fryte, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoj frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?”. Por ai u përgjigj dhe tha: “Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t’i hedh pleh dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh”” (Luka 13:6-9). Izraeli u njoh si nga ana politike, ashtu edhe nga ajo gjeografike në vitin 1948. Në këtë mënyrë, fiku filloi të “nxirrte përsëri gjethe”.

Mateu i shton vargut 29 fjalën “të gjitha” (d.m.th. “të gjitha këto gjëra”, shiko Mateu 24:33), duke sugjeruar kështu gjithçka që Zoti kishte thënë lidhur me ditët e fundit. Këtu përfshihen të gjitha shenjat deri në periudhën e shtrëngatës dhe gjatë gjithë saj, neverinë e shkretimit, si edhe ri-shfaqjen e Izraelit në skenën botërore.

Është e vërtetë se fjala ‘brez’ mund të ketë kuptimin e një numri të caktuar vitesh (ca thonë 40 vjet, të tjerë 70). Por, ka shumë të ngjarë që Jezusi t’i jetë referuar botës (ose njerëzve), që jetojnë në kohën para ardhjes së Tij të dytë. Nëse viti 1948 është pika e referencës për fillimin e mbarimit, d.m.th. “lulëzimi i fikut” (shiko Luka 21:29-30), atëherë është e mundur që Ai të kthehet, para se të mos ketë mbetur njeri, që e mban mend ri-themelimin e  Shtetit të Izraelit. Një lloj interpretimi i tillë e parandalon gjithashtu edhe caktimin e një date aktuale për Marrjen e Kishës për në Qiell, apo për Ardhjen e Dytë të Krishtit.

Pak rëndësi ka se çfarë interpretimi i bëjmë profecive të Ditëve të Fundit, sepse çdo fjalë e dalë nga goja e Krishtit, do të bëhet realitet pikërisht në kohën dhe në vendin e duhur: “Bari thahet, lulja fishket, por fjala e Perëndisë tonë mbetet përjetë” (Isaia 40:8)…Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11).

Udhëtari

Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment. Është sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrijë zgjuar” (Marku 13:32-34).

Ky tekst nuk na thotë se Jezusi nuk do ta dinte dot kurrë kohën se kur do të kthehej në tokë. Gjatë jetës së Tij tokësore, Ai iu bind vullnetit të Atit të Tij dhe fliste e vepronte vetëm kur i thoshte i Ati: “Sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar” (Gjoni 6:38). Bibla nuk na lejon që të caktojmë data, lidhur me Ardhjen e Dytë të Krishtit.

Marku përdor shëmbëlltyrën e “udhëtarit”, i cili nuk i ka dhënë shërbëtorëve të tij udhëzime të sakta lidhur me kthimin e vet. Ata thjesht duhet t’i binden çdo lloj urdhërimi që iu ka dhënë, derisa të kthehet, si edhe ta presin që të vijë në çdo moment. Fjala “rrini zgjuar” ka kuptimin e bërjes vazhdimisht rojë. Prandaj, pra, nuk mund ta presupozojmë dot se Zoti nuk do të kthehet sot. Dikush ka thënë se “ardhja e Krishtit për kishën e Tij nuk është e pamundur, por ka mundësi që të ndodhë në çdo ditë të javës”.

Koha

Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes; që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë. Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!” (Marku 13:35-37).

Parrulla e tërë këtij pasazhi është “rrini zgjuar”. Kjo nuk do të thotë vetëm që të bëhesh gati. Në vend që ta humbin kohën kot e të jenë shpirtërisht të fjetur, besimtarët e vërtetë janë syzgjuar dhe merren me punën e Zotit: “Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll” (1 Thesalonikasve 5:6). “Fjetja” këtu sugjeron pjesëmarrjen në veprat e kësaj bote: “Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam. Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës. Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë” (Romakëve 13:11-14).

Askush nuk e di kohën se kur do të kthehet Zoti, por që të gjithë mund të përgatitemi për këtë ngjarje. I zoti i shtëpisë mund të mos e dijë se kur do t’i vijë hajduti për ta vjedhur, por prapëseprapë, ai merr masa për një mundësi të tillë: “Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia” (Mateu 24:43). Në ditët e Noeut, njerëzit ishin të mirë-informuar lidhur me gjykimin që po afronte, por, prapëseprapë, ata vendosën që të mos ia vinin veshin paralajmërimeve, ndaj edhe nuk e çanë kokën për t’u përgatitur, apo për të ndenjur zgjuar: “Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut” (Mateu 24:37-39).

Përfundim

Jezusi do të vijë përsëri në tokë, por ata, që jetojnë jetë të shkujdesura, do ta shohin se ardhja e Tij ka për të qenë e papritur dhe e padëshiruar. Jezusi vërtet që do të vijë përsëri, por ka për të ardhur për të Tijët, jo për ata që hiqen sikur janë të Tijët. Ngjarja e ardhshme me rëndësi të madhe në kalendarin profetik ka shumë mundësi që të jetë Marrja e Kishës për në Qiell. Të krishterët besnikë e të bindshëm ndaj Krishtit janë pjesë e Kishës së Tij: “Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:8).

Mbrapa

Advertisements