Kthejini sytë nga Jezusi!

“Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht, i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat” (Filipianëve 3:20-21).

Parathënie

Besimtarët e ngrenë kokën lart nga toka drejt Qiellit, kurse mëkatarët “mendojnë vetëm për gjërat tokësore” (Filipianëve 3:19). “Shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja” (Luka 21:28)… “Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë” (Kolosianëve 3:2). Na pret një e ardhme e lavdishme, nëse jetojmë sipas standarteve të drejta të Perëndisë dhe jo sipas standarteve të kishave të korruptuara.

Qytetaria

I krishteri duhet ta ketë mendjen tek gjërat qiellore. Nuk jemi më qytetarë të tokës, por të Qiellit, të Mbretërisë së Perëndisë. Jemi bërë të huaj dhe udhëtarë në këtë botë (Hebrenjve 11:13), por Perëndia “na ringjalli me të, dhe me të na vuri të rrimë në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efesianëve 2:6). Ashtu siç mund ta kuptojmë, p.sh. nga mënyra e veshjes se nga cili vend është dikush, ashtu edhe bota duhet ta vërë re menjëherë se ne jemi ndryshe prej tyre nga mënyra se si sillemi. Jemi bij të Perëndisë. Tek Gjoni 15:19, Jezusi na tha se nuk i përkasim më kësaj bote: “Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren”. Pse ndodh kjo? Përgjigja është e thjeshtë: ngaqë jemi “rilindur” (Gjoni 3:3). Fjala “qytetari” ka të njëjtin kuptim si fjala “qytet” tek Hebrenjve 11:16. “Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet”.

Krishti

Të krishterët e presin me padurim kthimin e “Shpëtimtarit, Zotit Jezus Krisht”. Si në Dhiatën e Re, ashtu edhe në shumë profeci të Dhiatës së Vjetër na thuhet se Zoti Jezus ka për të ardhur përsëri një ditë në këtë tokë. Ndaj edhe duhet ta përqëndrojmë vëmendjen tek ky fakt i lavdishëm, sepse ata që e presin vërtet kthimin e Krishtit, nuk e kanë mendjen tek gjërat e kësaj bote. E “presim Zotin” të vijë. Në Bibël ka shumë vargje që e përshkruajnë Jezus Krishtin si Zot, por këtu Pali përdor fjalën “Zot” në vend të fjalës “Jehova”. Jezusi ynë është Jehovai! Ata që e mohojnë këtë të vërtetë, nuk kanë për të patur kurrë jetë të përjetshme. “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:2-3).

Kur një mbret apo mbretëreshë e deklaron se ka për të vizituar një qytet të caktuar, banorët e atij qyteti fillojnë përgatitjet për ta mirëpritur dhe nuk i lënë punët deri në momentin e fundit. Sa keq që po bëhen kaq pak përgatitje prej botës sot për ta mirëpritur “Mbretin e Mbretërve dhe Zotin e Zotërve” (Zbulesa 19:16)! Në greqisht, fjala “pres” përbëhet prej tre fjalësh të tjera: 1. Pranoj ose mirëpres me gëzim dhe hare; 2. Harroj gjithçka tjetër që mund të më pengojë; 3. Zgjat kokën për ta parë mirë titullarin. Këto tre fjalë, pra, të grupuara së bashku, na e përshkruajnë bukur kuptimin e fjalës “pres” dhe na bëjnë që vërtet ta presim me padurim kthimin e Krishtit. “Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mateu 24:44)… “Duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht, i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira” (Titit 2:13-14)… “Kështu edhe Krishti, pasi u dha vetëm njëherë për të marrë mbi vete mëkatët e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin për shpëtim” (Hebrenjve 9:28).

Transformimi

Trupi ynë tokësor ka për t’u transformuar krejtësisht, kur Zoti Jezus Krisht të na thërrasë për të shkuar në praninë e Tij. “Kurdo ne e mbajmë në trupin tonë vdekjen e Zotit Jezus, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë” (2 Korintasve 4:10). Pali na thotë se trupi ynë është “i përunjur”. Ka nga ata që mund të mos bien dakort me këtë fjalë, por thjesht fakti se egziston një industri e tërë, që prodhon artikuj kozmetike, na tregon se rinia dhe bukuria nuk zgjasin ngahera, por trupi duhet mbajtur dhe riparuar vazhdimisht, që të duket si i ri. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për modën dhe rrobat që veshim. Të gjithë përpiqemi për t’u dukur më mirë sesa të tjerët, më të bukur sesa fytyra që shohim çdo mëngjes në pasqyrë, ndaj edhe lyhemi e zbukurohemi! Pali na thotë se mishi (trupi) ynë është i pavlefshëm dhe plot vdekje.

Të gjithë e kanë qejf transformimin, por një transformim thjesht nga ana e jashtme është i kotë. Në fakt, vetëm Jezusi na ndryshon në mënyrë cilësore, duke na bërë të denjë për Qiellin. “Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment, sa hap e mbyll sytë, në tingullin e burisë së fundit; sepse do të bjerë buria, të vdekurit do të ringjallen të paprisshëm dhe ne do të shndërrohemi, sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore”. O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Korintasve 15:51-55).

Trupat tanë mishorë kanë për t’u transformuar përgjithmonë. Në greqisht, folja “transformoj” ka kuptimin e një ndryshimi të plotë dhe të përhershëm. “Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem” (Psalmi 17:15)… “Dhe në qoftë se Fryma i atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në ju” (Romakëve 8:11). Në Qiell nuk do të ketë dyqane që shesin artikuj kozmetike! Trupat tanë kanë për t’u bërë “të lavdishëm”. Vini re gjithashtu se ne nuk mund ta realizojmë dot vetë një transformim të tillë – është vepër e Krishtit, sipas energjisë krijuese të Tij. Në Midrashin (një libër i judenjve) thuhet se “Perëndia i shenjtë dhe i bekuar ka për t’i zbukuruar trupat e të drejtëve në të ardhmen, ashtu si trupi i bukur i Adamit”. Në fakt, trupat tanë të rinj kanë për t’i ngjarë bukurisë së Krishtit!     

Përfundim                     

Në këtë studim, Pali na ka përshkruar shkurtimisht pjesën e fundit të proçesit të shpëtimit. Bibla na mëson se shpëtimi është vepra e Perëndisë në jetën tonë dhe ai ka për t’u përfunduar, ose kur Krishti të kthehet, ose kur të shkojmë ne vetë në praninë e Tij. “Duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit” (Filipianëve 1:6). Kështu pra, jemi rilindur (jemi shpëtuar), po përtërihemi dita-ditës, tek ndjekim Frymën e Shenjtë dhe, një ditë, do të kemi një trup të ringjallur, që as nuk ka për të vdekur, as nuk ka për t’u kalbur kurrë. Lavdi Perëndisë që Krishti “edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë” (Hebrenjve 7:25)… Ai “mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim” (Juda, vargu 24)… “Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje” (Psalmi 48:14). Duhet ta përqëndrojmë vëmendjen tonë, pra, çdo ditë tek Zoti. Le t’i kthejmë sytë vazhdimisht tek Jezusi! “Po, unë vij shpejt. Amen”. Po, eja, Zoti Jezus” (Zbulesa 22:20).

Mbrapa

Advertisements