Kthimi i Mikalit

“Gjatë luftës midis shtëpisë së Davidit dhe shtëpisë së Saulit, Abneri qëndroi i lidhur fort me shtëpinë e Saulit. Sauli kishte pasur një konkubinë të quajtur Ritspah, bijë e Ajahut; dhe Ish-Boshethi i tha Abnerit: “Pse ke hyrë te konkubina e atit tim?”. Abneri u zemërua shumë nga fjalët e Ish-Boshethit dhe iu përgjigj: “Mos vallë jam një kokë qeni i Judës? Deri më sot jam treguar besnik i shtëpisë së Saulit, atit tënd, i vëllezërve dhe i miqve të saj dhe nuk të kam dorëzuar në duart e Davidit, dhe pikërisht sot ti më qorton për fajin që kam kryer me këtë grua! Perëndia t’i bëjë Abnerit këtë dhe më keq në rast se nuk i bëj Davidit atë që Zoti i është betuar: ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba”. Ish-Boshethi nuk iu përgjigj dot as edhe me një fjalë të vetme Abnerit, sepse ia kishte frikën. Atëherë Abneri i dërgoi në emër të tij lajmëtarë Davidit për t’i thënë: “Kujt i përket vendi? Bëj aleancë me mua dhe dora ime do të jetë me ty për të ta sjellë tërë Izraelin”. Davidi iu përgjigj: “Kam diçka për të të kërkuar: Unë do të bëj aleancë me ty, por ti nuk do të ma shohësh fytyrën po nuk më solle më parë Mikalin, bijën e Saulit, kur të vish të më shikosh”. Kështu Davidi i dërgoi lajmëtarë Ish-Boshethit, birit të Saulit, për t’i thënë: “Ma kthe bashkëshorten time Mikal, me të cilën u fejova për njëqind lafsha të Filistejve”. Ish-Boshethi dërgoi ta marrin te burri i saj Paltiel, bir i Laishit. Burri i saj shkoi me të dhe e ndoqi duke qarë deri në Bahurim. Pastaj Abneri i tha: “Shko, kthehu prapa!”. Dhe ai u kthye” (2 Samuelit 3:6-16).

Parathënie

Ngjarja kryesore e këtij studimi është kthimi i Mikalit, gruas së Davidit. Kjo ndodhi për shkak të pabesisë dhe të sjelljes së paturpshme të Abnerit ndaj mbretit Ish-Bosheth (2 Samuelit 3:6-11). I inatosur, Abneri merr hak kundër Ish-Boshethit dhe kërkon që të bashkohet me Davidin. Ky bashkim miratohet me kushtin, që Davidit t’i kthehet në fillim gruaja.

Koalicioni

Abneri u ofendua, kur Ish-Boshethi e qortoi, ngaqë kishte fjetur me njërën prej konkubinave të Saulit, të quajtur Ritspah. Prandaj edhe mori hak, duke i premtuar Davidit se do të bashkohej me të. “Ta kaloj mbretërinë nga shtëpia e Saulit dhe të vendosë fronin e Davidit mbi Izrael dhe mbi Judën, nga Dani deri në Beer-Sheba” (2 Samuelit 3:10). Ish-Boshethi kishte frikë t’i kthente Abnerit përgjigje. Abneri, nga ana tjetër, nuk i tregoi Davidit arsyen e vërtetë pse kërkonte të bashkohej me të.

Vini re sesi Abneri donte të bënte aleancë me Davidin, jo me Ish-Boshethin. Ai e konsideronte veten si udhëheqësin e vërtetë të Izraelit dhe, pa dyshim, Davidi e dinte se kush po e drejtonte mbretërinë. Abneri “i afrohet mbretit David, jo si një njeri që i ka bërë të liga Davidit, por si një njeri, që i ofron t’i bëjë atij një nder të madh” (W. G. Bleiki). Abnerit s’i mungonte aspak arroganca. Ai e vinte veten para popullit.

Kushti

Davidi e pranoi ofertën e Abnerit, me kusht që t’i kthehej Mikali. E dinte se Abneri ishte mendjemadh, një njeri të cilit, siç e kishte treguar edhe koha, nuk mund t’i zihej besë kollaj. Prandaj ndoshta kërkesa për t’ia kthyer Mikalin, mund të ketë shërbyer si një sprovë për ta përulur Abnerin. Davidi refuzoi për ta takuar Abnerin, derisa t’i plotësohej dëshira. Kjo mund të ketë qenë gjithashtu edhe një sinjal, për t’i treguar atij se s’ishte si Ish-Boshethi, që t’ia kishte frikën. Abneri nuk do të mund ta kontrollonte dot Davidin, ashtu siç vepronte me mbretin kukull, Ish-Boshethin.

Pse donte Davidi, që t’i kthehej Mikali? S’ka dyshim se, sipas ligjit, ajo ishte gruaja e tij dhe ai akoma kishte ndjenja për të. Por kjo manovër u bë më shumë për arsye politike. “Davidi e kërkon Mikalin, jo vetëm nga dashuria që ka për të, por edhe nga ana politike, me qëllim që ajo t’ia forconte edhe më tepër titullin e tij si mbret mbi të gjithë kombin” (Gjon Uesli). Me Mikalin përkrah tij, Davidi tani kishte mundësinë për të hyrë në familjen e Saulit dhe për t’iu treguar të gjithëve se ai ishte mbreti i ligjshëm i Izraelit. E megjithatë, në pasazhin në hyrje të këtij studimi na thuhet se Davidi e anashkaloi Abnerin dhe iu drejtua direkt Ish-Boshethit, i cili, nga ana tjetër, e ngarkoi Abnerin, për ta kryer një detyrë të tillë. Ka shumë të ngjarë që Abneri t’ia ketë mbushur mendjen Ish-Boshethit, që t’ia përmbushte Davidit kërkesën.

Në pamje të parë, historia e kthimit të Mikalit na duket si e trishtuar. Por nuk duhet të tregohemi aq të dhembshur ndaj Paltielit. Ai e dinte se Mikali ishte e martuar me Davidin, ndaj edhe nuk duhej të ishte martuar me gruan e një tjetri. Mund të na duket, pra, si një ngjarje e trishtuar, por, në fakt, ishte thjesht korrigjim i një gabimi. Le të mos e harrojmë se, që nga fillimi, Davidi kishte qenë i pafajshëm në këtë drejtim. Atij i takonte ta merrte përsëri Mikalin. Kjo nuk do të thotë se Paltieli nuk e donte vërtet Mikalin. E donte, por kjo dashuri nuk ishte e mjaftueshme për ta shenjtëruar mëkatin, që kishte bërë. Disa komentatorë të Biblës thonë se Davidi mëkatoi, duke u martuar për së dyti me Mikalin. Por kjo nuk është e saktë, ngaqë ai kurrë nuk e divorcoi vetë atë. Ligjërisht, ai ishte akoma i martuar me të. Ishin martesat e tjera të tij ato, që ishin kryer kundër vullnetit të Perëndisë, jo ajo me Mikalin.

Përfundim

Ky studim është, në fakt, historia e dy grave: Ritspah dhe Mikali. Të dyja u ndodhën në një situatë të vështirë, të krijuar prej të tjerëve. Abneri tani po merrej me shkatërrimin e autoritetit të Ish-Boshethit. Ritspah më vonë u nderua prej Davidit, për mbrojtjen që i bëri trupave të vdekur të bijve të Saulit (2 Samuelit 21:1-14). “Pastaj Abneri u drejtoi fjalën pleqve të Izraelit, duke thënë: “Prej shumë kohe kërkoni Davidin si mbretin tuaj. Tani erdhi koha të veprojmë, sepse Zoti ka folur për Davidin, duke thënë: “Me anë të Davidit, shërbëtorit tim, unë do të shpëtoj popullin tim të Izraelit nga duart e Filistejve dhe nga tërë armiqtë e tij”. Abneri foli edhe me ata të Beniaminit. Pastaj Abneri shkoi te Davidi në Hebron për t’i njoftuar tërë ato që iu dukën të mira Izraelit dhe gjithë shtëpisë së Beniaminit” (2 Samuelit 3:17-19). As Davidi nuk është plotësisht i pafajshëm këtu, ngaqë duhet ta ketë ditur se po e ndihmonte (edhe pse jo drejtpërsëdrejti) Abnerin në rrëzimin e Ish-Boshethit. “Nuk është e mundur ta ngremë lart karakterin dhe nderin e Davidit, në një kohë që ai kërkon që t’i plotësohen dëshirat e veta, në kurriz të Ish-Boshethit” (Xhejmisën, Foset dhe Braun). Por e vëmë re se, nëpërmjet këtyre ngjarjeve, Perëndia po përmbushte vullnetin e Tij, për ta ribashkuar mbretërinë nën emrin e Davidit. 

Mbrapa

Advertisements