Kthimi në shkretëtirë

“Pastaj arriti te Davidi një lajmëtar për të thënë: “Zemra e njerëzve të Izraelit ndjek Absalomin”. Atëherë Davidi u tha gjithë shërbëtorëve të tij që ishin me të në Jeruzalem: “Çohuni dhe t’ia mbathim; përndryshe asnjeri prej nesh nuk ka për të shpëtuar nga duart e Absalomit. Nxitoni të ikni, që të mos na kapë në befasi dhe të bjerë mbi ne shkatërrimi, dhe të mos godasë qytetin me majën e shpatës”. Shërbëtorët e mbretit i thanë: “Ja, shërbëtorët e tu janë gati të bëjnë gjithçka që i pëlqen mbretit, zotërisë tonë”. Kështu mbreti u nis, i ndjekur nga tërë shtëpia e tij, por la dhjetë konkubina për të ruajtur pallatin. Mbreti u nis, i ndjekur nga tërë populli, që u ndal te shtëpia e fundit. Tërë shërbëtorët e mbretit kalonin përpara dhe pranë tij; tërë Kerethejtë, tërë Pelethejtë dhe tërë Gitejtë, gjithsej gjashtëqind veta që e kishin ndjekur nga Gathi, ecnin para mbretit. Atëherë mbreti i tha Itait nga Gathi: “Pse vjen edhe ti me ne? Kthehu dhe rri me mbretin, sepse ti je i huaj dhe për më tepër i mërguar nga atdheu yt. Ti ke arritur vetëm dje dhe sot do të të duhej të endesh sa andej e këtej, kur unë vetë nuk e di se ku po shkoj? Kthehu prapa dhe kthe me vëllezërit e tu në mirësi dhe në besnikëri”. Por Itai iu përgjigj mbretit duke thënë: “Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron dhe që jeton mbreti, zotëria im, në çdo vend që të jetë mbreti, zotëria im, për të vdekur ose për të jetuar, aty do të jetë edhe shërbëtori yt”. Atëherë Davidi i tha Itait: “Shko përpara dhe vazhdo”. Kështu Itai, Giteu, shkoi tutje me gjithë njerëzit e tij dhe tërë fëmijët që ishin me të. Tërë banorët e vendit qanin me zë të lartë, ndërsa tërë populli kalonte. Mbreti kapërceu përruan e Kidronit dhe tërë populli kaloi në drejtim të shkretëtirës. Dhe ja po vinte edhe Tsadoku me tërë Levitët, të cilët mbanin arkën e besëlidhjes së Perëndisë Ata e vendosën arkën e Perëndisë dhe Abiathari ofroi flijime, deri sa tërë populli mbaroi daljen nga qyteti. Pastaj mbreti i tha Tsadokut: “Çoje në qytet arkën e Perëndisë! Po të kem gjetur hirin e Zotit, ai do të më kthejë dhe do të bëjë që ta shoh përsëri qytetin bashkë me banesën e tij. Por në rast se thotë: “Nuk të pëlqej,” ja ku jam, le të më bëjë atë që i pëlqen”. Mbreti i tha akoma priftit Tsadok: “A nuk je ti shikues? Kthehu në paqe në qytet me dy bijtë tuaj: Ahimaatsin, birin tënd, dhe me Jonathain, birin e Abiatharit. Shikoni, unë do të pres në fushat e shkretëtirës, deri sa të më vijë nga ana juaj ndonjë fjalë për të më njoftuar”. Kështu Tsadoku dhe Abiathari e çuan përsëri në Jeruzalem arkën e Perëndisë dhe qëndruan aty. Davidi mori të përpjetën e malit të Ullinjve dhe, duke u ngjitur, qante; ecte kokëmbuluar dhe këmbëzbathur. Dhe tërë njerëzit që ishin me të ishin kokëmbuluar dhe qanin duke u ngjitur” (2 Samuelit 15:13-30).

Parathënie

Davidi tani po kthehej përsëri, aty ku nuk e mendonte kurrë se do të kthehej. Për shkak të komplotit të Absalomit, Davidi largohet nga Jeruzalemi dhe ia mbath për në shkretëtirë. Mund ta marrim me mend se një përvojë e tillë i solli atij ndërmend vitet e kaluara, kur Mbreti Saul e ndiqte vazhdimisht për ta vrarë. E shohim qartë, pra, se lavdia e mbretërisë të Davidit është njollosur për shkak të mëkatit të tij.

Braktisja

Davidit do t’i jetë thyer zemra, kur mori vesh lajmin se Absalomi po thurte komplot kundra tij. Edhe pse me vonesë, ai e kuptoi menjëherë se sa i ligë mund të tregohej i biri, ndaj edhe nuk i mbetej gjë tjetër, veçse të largohej prej Jeruzalemit. E dinte se Absalomi nuk do të hezitonte fare për t’i vrarë të gjithë, vetëm e vetëm që t’ia arrinte qëllimit të vet, kështu që, për hir të qytetit, madje edhe për hir të atyre, që i kishin dalë përkrah të birit, Davidi ia mbathi drejt shkretëtirës. Këtu e shohim se Absalomi kurrë nuk kishte patur ndërmend të merakosej për problemet e popullit, kurse Davidi ishte i shqetësuar për popullsinë dhe nuk donte që asnjë prej tyre të vuante. Shumica e komploteve nisin me beteja dhe vdekje, por Davidi me maturi i mënjanoi të dyja këto pasoja. Ata, që i dolën përkrah Davidit, shumë shpejt i deklaruan atij besnikërinë e tyre, duke i premtuar se do ta ndiqnin, kudo që të shkonte.

Davidi nuk e dinte se ç’po bënte, kur i la të dhjetë konkubinat e tij në pallat. Por ai, në fakt, po i hapte rrugën përmbushjes së profecisë së Nathanit (2 Samuelit 12:11). Të gjithë ata, që ikën së bashku me të, kapërcyen përruan e Kidronit dhe arritën në një vend të sigurtë, larg Jeruzalemit, me qëllim që Absalomi të mos iu shkonte më nga pas. Më në fund, zunë vend në Mahanaim, një vend rreth 75 km larg Jeruzalemit (2 Samuelit 17:24). Le të mos e harrojmë faktin se një udhëtim i tillë u krye më këmbë. Ndoshta ushtarët nuk e patën të vështirë të ecnin kaq shumë, por për gratë, fëmijët dhe shërbëtorët ky ishte një udhëtim i lodhshëm. Është për t’u habitur që 600 jo-hebrenj u treguan më besnikë ndaj Davidit, sesa shumica e popullit të tij. Njëri prej tyre na vihet më shumë në dukje në këtë kapitull, për të na treguar besnikërinë e veçantë, që ai shfaqi ndaj Davidit.

Itai Giteas ishte mërgimtar, i larguar prej ca kohësh prej vendit të tij, Gathit. Prania e tij në Izrael është dëshmi e dhembshurisë së Davidit për ata, që ishin të mërguar, për shkak të regjimit të ligë në vendin e tyre, ndaj edhe Davidi i kishte lejuar të qëndronin në Izrael. Itai i ishte mirënjohës udhëheqësit të tij të ri dhe ishte gati ta linte vendlindjen. E vërtetoi se e donte Davidin, ngaqë nuk ndenji në Jeruzalem, edhe pse ka të ngjarë që Absalomi të mos e ngacmonte, ngaqë Itai ishte i ri në qytet dhe si i tillë, nuk kishte patur kohë të thurte ndonjë lidhje të veçantë me Davidin. Itai ishte gati gjithashtu edhe ta jepte jetën e tij për Davidin. Ky njeri do të shpërblehej shumë prej Davidit dhe do të vihej në krye të një të tretës së ushtrisë së mbretit (2 Samuelit 18:2).

Ngjitja

Davidi dhe turma besnike e pasuesve të tij kapërcyen përruan e Kidronit, i cili ndodhej mes Jeruzalemit dhe malit të Ullinjve. Ky kalim simbolizonte faktin se tani ata ishin të gjithë të mërguar, të syrgjynosur, një fakt ky që i hidhëroi ata së tepërmi. Bibla na thotë se të qarat e tyre mund të dëgjoheshin në tërë luginën, tek ecnin drejt Mahanaimit.

Prifti Tsadok dhe Levitët e kishin prurë me vete Arkën e Besëlidhjes. Arka simbolizonte praninë e Zotit, ndaj edhe ata kujtuan se ajo do ta bekonte dhe do ta inkurajonte Davidin. Por ai, edhe pse i lavdëroi ata për besnikërinë e tyre, iu dha urdhër, që ta kthenin Arkën mbrapsht në Jeruzalem, para se Absalomi ta kuptonte se ajo nuk ishte në vendin e duhur. Davidi kishte dëshirë që të kthehej tek i njëjti vend, ku ndodhej edhe Arka, po qe se ky do të ishte edhe vullneti i Perëndisë. Tsadoku dhe Abiathari ishin besnikë ndaj Davidit dhe për këtë arsye ata mund të shërbenin si spiunë e tij në Jeruzalem, duke i çuar lajme mbretit rreth asaj që mendonte të bënte Absalomi.

Davidi dhe pasuesit e tij iu ngjitën malit të Ullinjve këmbëzbathur dhe duke qarë, me kokët e mbuluara. Nuk na lejon koha, për të shkruar rreth rëndësisë që ka patur e do të ketë ky vend, si në të shkuarën, ashtu edhe në të ardhmen. Por mund të themi se pikërisht në këtë vend, në Kopshtin e Gjetsemanisë, Jezusi u lut natën, para se të kryqëzohej, se pikërisht në këtë vend Ai u ngjit lart në Qiell, dhe po në këtë vend, Ai do të vijë përsëri (Mateu 26:30-38, Veprat e Apostujve 1:9-12, Zakaria 14:4). Mali i Ullinjve ishte tamam një vend vajtimi. Davidi vajtoi për shkak të mëkatit të tij dhe të pasojave, që ky mëkat i la në jetë. Kurse Jezusi vajtoi për mëkatet tona. “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje” (Mateu 26:38)… “I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, ofroi lutje dhe urata” (Hebrenjve 5:7). Mënyra se si ky grup njerëzish iu ngjit malit, na tregon përuljen e tyre të thellë dhe dorëzimin që ata i bënë jetës së tyre tek Perëndia. 

Përfundim

Edhe pse kjo ngjarje erdhi si rezultat i mëkatit të Davidit, Perëndia, prapëseprapë, u tregua i mëshirshëm ndaj tij. Davidi ishte i rrethuar prej pjesëtarëve besnikë të familjes së vet dhe shokëve që e donin. Për më tepër, atë e ngushëllonte fakti se kishte akoma njerëz në Jeruzalem, që i kishin qëndruar atij besnikë. Ky fakt shërbente si një inkurajim i madh për të, edhe pse zemrën e kishte të copëtuar. Kishte si shokë edhe Itain nga Gathi, nga vendi, prej të cilit kishte qenë edhe gjigandi Goliath, të cilin e kishte vrarë vetë dikur. Burrat e Perëndisë (priftërinjtë dhe profetët) i kishte përkrah dhe ata ishin gati ta vinin jetën e tyre në rrezik për të.

Psalmi 3 u shkrua për shak të rebelimit të Absalomit dhe na flet rreth besimit të Davidit tek Perëndia. “O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje. Shumë thonë për mua: “Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë”. (Sela). Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën. Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela). Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah. Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje. Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve. Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)”.    

Mbrapa

Advertisements