Kthimi tek Perëndia

“Sepse ungjilli ynë nuk erdhi deri te ju vetëm me fjalë, por edhe me fuqi dhe me Frymë të Shenjtë, dhe me shumë bindje; ju e dini se si jemi sjellë në mes tuaj për hirin tuaj. Dhe ju u bëtë imituesit tanë dhe të Zotit, duke e pranuar fjalën në mes të një pikëllimi të madh, me gëzimin e Frymës së Shenjtë, për t’u bërë kështu shëmbull për të gjithë besimtarët e Maqedonisë dhe të Akaisë. Në fakt prej jush jehoi fjala e Perëndisë jo vetëm në Maqedoni dhe në Akai, por edhe në çdo vend u përhap besimi juaj tek Perëndia, sa që ne s’kemi nevojë të themi ndonjë gjë, sepse vetë ata tregojnë për ne, si qe ardhja jonë ndër ju si u kthyet nga idhujt te Perëndia, për t’i shërbyer Perëndisë së gjallë e të vërtetë, dhe për të pritur prej qiejve Birin e tij, të cilin ai e ngjalli prej së vdekurish, Jezusin, që na çliron nga zemërim që po vjen” (1 Thesalonikasve 1:5-10).

Parathënie   
Cila ishte arsyeja që kisha e thesalonikasve ishte shembull në besim? Mos ishte, vallë, fakti se anëtarët e saj ishin të krishterë të vërtetë, jeta e të cilëve kishte ndryshuar në mënyrë radikale, sapo e kishin dëgjuar dhe e kishin pranuar fjalën e së vërtetës? Nuk ishin fetarë, por, përkundrazi, ishin kthyer me gjithë zemër tek Perëndia. Ndoshta një faktor i tillë mungon në kishat e sotshme. Ka nga ata të krishterë sot që thonë se e ndjekin Jezusin, por, në fakt, nuk janë kthyer fare tek Ai – janë njëlloj siç ishin, para se ta dëgjonin ungjillin.

Kthimi
Të kthehesh tek Perëndia do të thotë të largohesh nga mëkati. Kisha e thesalonikasve u kthye tek Perëndia dhe u largua prej idhujve. Anëtarët e saj e kuptuan se besimi tek Jezusi nuk përputhej me fetë e tyre të dikurshme. Tani ata e dinin mirë se Shpëtimtari do t’iu jepte përgjigje çdo pyetjeje që të kishin. U larguan, pra, nga feja pagane dhe i hodhën poshtë të gjitha veprimet dhe ritet mëkatare fetare, sepse është e pamundur të kthehesh tek Perëndia dhe të vazhdosh akoma në mëkat. Për më tepër, të kthehesh tek Perëdia do të thotë të heqësh dorë përgjithmonë prej mëkatit. Po të mos veprojmë kështu, atëherë shpëtimi ynë do të jetë i lëkundshëm dhe i pabazuar në Bibël dhe do ta mallkojmë veten përgjithmonë në Ferr. Bibla përdor fjalën “pendim”, kur flet për kthimin tek Perëndia. Të pendohesh, pra, do të thotë të kthehesh mbrapsht dhe të ecësh në drejtimin e kundërt. Pendimi i vërtetë nuk ka të bëjë me ndërrimin e mënyrës së jetesës, apo me përpjekjet për t’u bërë njeri i mirë. Përkundrazi, pendimi është kthimi tek i vetmi Ai, që na shpëton prej mëkatit, na fal dhe na vendos në rrugën e drejtësisë. Të pendohesh do të thotë të dëshirosh një jetë që është e pëlqyeshme në sytë e Perëndisë, duke lexuar dhe studjuar fjalën e Tij dhe duke u udhëhequr prej Frymës. Ata që nuk ia kanë dedikuar jetën e tyre sinqerisht Perëndisë, as nuk janë kthyer me të vërtetë tek Ai, as nuk janë penduar. Pendimi nuk duhet bërë sipas standarteve tona, por sipas standarteve të Perëndisë. “Pendohuni, pra, dhe kthehuni, që të shlyhen mëkatet tuaja, dhe që të vijnë kohët e flladit nga prania e Zotit” (Veprat e Apostujve 3:19). Tek Veprat e Apostujve 26:20, Bibla na mëson se mëkatarët duhet “të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi”. Nëse të tjerët nuk vënë re ndonjë ndryshim në jetën tonë, atëherë nuk jemi kthyer vërtet tek Krishti. 

Dëshmitari
Puna e parë që duam të kryejmë, kur bëhemi të krishterë, është që t’iu tregojmë të tjerëve se ç’ka bërë Zoti për ne. Me pak fjalë, pra, duam t’i shohim edhe ata të shpëtuar. Thesalonikasit ishin të krishterë ungjillorë. Pasjoni që kishin për Krishtin, ishte bërë i njohur madje edhe në vendet më të largëta. Dëshmisë së tyre vërtet që mund t’i zihej besë, ngaqë e kishin hedhur poshtë jetën e tyre të vjetër dhe tani po e vinin në praktikë fuqinë e Krishtit. E si mund t’iu themi të tjerëve që ta ndjekin Jezusin, nëse ne vetë nuk veprojmë kështu? Hipokritët vazhdojnë të mëkatojnë, ndërkohë që thonë se janë të krishterë! Mëkati na bën që të na vijë turp për t’iu dëshmuar të tjerëve rreth Zotit. Një problem i tillë gjen zgjidhje, atëherë kur kthehemi tek Ai: “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi” (1 Gjonit 1:9). Fryma e Shenjtë na jep guxim për të dëshmuar për Krishtin dhe për t’iu treguar të tjerëve rrugën e shpëtimit. Pa dyshim që dëshmia e kishës së thesalonikasve pati një ndikim të madh si në qytetin e tyre, ashtu edhe në vende të tjera. Jetët e shumë njerëzve u prekën dhe u ndryshuan, ngaqë thesalonikasit ishin të krishterë shembullorë. Ata dëshmuan jo vetëm me fjalë, por edhe me vetë jetën e tyre. Dikush ka thënë se jeta jonë është e vetmja Bibël që lexohet prej ca njerëzve. A po na lexojnë, pra, të tjerët? Arsyeja pse nuk jemi efikasë në dëshminë tonë për Zotin, qëndron tek fakti se nuk jemi të gatshëm për ta lënë Atë që ta marrë jetën tonë nën kontroll. Duhet ta heqim qafe errësirën e mëkatit dhe të feve të rreme, duke u bërë të krishterë të mirë, siç na do Perëndia. “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mateu 5:16). Jezusi tha se ne jemi “drita e botës”. Le të mos e bëjmë Atë gënjeshtar! (Mateu 5:14). Bibla është i vetmi libër, i cili, kur vihet besnikërisht në praktikë, na bën miq me të tjerët dhe lë mbresa të mëdha tek ata.

Përfundim     
Të kthehesh tek Perëndia nuk ka të bëjë thjesht me thënien e lutjes së mëkatarit, apo me të shkuarit në kishë, por me një përkushtim të plotë ndaj Krishtit në çdo aspekt të jetës. Të largohesh prej botës është pjesë e domosdoshme e të qënit i krishterë. Po nuk vepruam kështu, do të mbetemi njëlloj siç ishim, para se ta dëgjonim Lajmin e Mirë. “Merrni me vete disa fjalë dhe kthehuni tek Zoti. I thoni: “Largo çfarëdo paudhësi dhe prano atë që është e mirë, dhe ne do të ofrojmë flijimet e buzëve tona” (Osea 14:2).

Mbrapa