Ku janë të vdekurit?

“Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë. Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur” (1 Thesalonikasve 4:13-14).

Parathënie

Ç’ndodh me besimtarët që vdesin, para se të vijë Krishti e ta çojë kishën në Parajsë? Besimtarët e Thesalonikut kishin nevojë ta dinin përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ka njerëz (sidomos anëtarët e kulteve) që besojnë në doktrinën e ‘gjumit të shpirtit’, d.m.th. të vdekurit nuk shkojnë as në Parajsë, as në Ferr, por mbahen shpirtërisht pezull, deri në gjyqin e fundit. Por, ç’na mëson Bibla rreth kësaj çështjeje?

Padituria

Padituria (ose të qënit i painformuar) rreth asaj që na mëson Bibla, është themeli bazë i herezisë. Fatkeqësisht, shumica e kulteve i mbështesin doktrinat e tyre tek thënie gjysmake të fjalës së Perëndisë, duke i neglizhuar kështu pasazhet e tjera të Biblës. Këtë gabim e vëmë re pikërisht edhe tek doktrina e ‘gjumit të shpirtit’.

Ja, unë po ju them një të fshehtë: të gjithë nuk do të vdesim, por të gjithë do të shndërrohemi në një moment” (1 Korintasve 15:51). Të gjithë e dimë se fjala ‘gjumë’ mund të përdoret si krahasim për fjalën ‘vdekje’. Fjala ‘varrezë’ vjen nga greqishtja dhe do të thotë ‘vendi i fjetjes’. “Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj” (Gjoni 11:11)… “Atëherë(Stefani) ra në gjunjë dhe bërtiti me zë të lartë: “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat!”. Dhe, si tha këtë, fjeti” (Veprat e Apostujve 7:60). Bibla na mëson se trupi shkon në varr: “Kështu do të jetë edhe ringjallja e të vdekurve; trupi mbillet në prishje dhe ringjallet në paprishje” (1 Korintasve 15:42), kurse shpirti çohet në praninë e Zotit: “Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin” (2 Korintasve 5:8). Është trupi ai, jo shpirti, që bie në gjumë. Ata që thonë se shpirti fle, duhet të nxjerrin si përfundim se Jezusi ishte pa ndjenja e shpirtërisht në gjumë për tre ditë me rradhë dhe se fjalët ngushëlluese që Ai i tha vjedhësit në kryq, s’kishin kuptim fare: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Fjala ‘gjumë’ shpreh faktin se, që prej rënies së Adamit në mëkat, vdekja është pjesë e natyrshme e jetës. Për më tepër, ‘gjumi’ na tregon se duhet të ketë një zgjim, sepse, po qe se vdekja do të ishte fundi i jetës, atëherë Pali do ta kishte përdorur fjalën ‘vdekje’ e jo ‘gjumë’.

Ringjallja

A nuk do të përjetojnë të vdekurit të njëjtat bekime të lavdishme si ata shenjtorë, që do të çohen në Parajsë nga vetë Krishti? Pali i përgjigjet plotësisht kësaj pyetjeje në vargjet e tjera të këtij kapitulli. Këtë çështje do ta studiojmë më gjerësisht në studimet e ardhshme. Në pasazhin e sotshëm, Pali i inkurajon besimtarët që të shpresojnë dhe të gjejnë prehje në premtimet e Perëndisë. Ata të krishterë, që janë vazhdimisht të pikëlluar, ngaqë iu ka vdekur një i afërm besimtar, i tregojnë botës se janë njëlloj si ata që nuk besojnë. Ne besojmë në ringjalljen e shenjtorëve, sepse e dimë se vetë Zoti Jezus Krisht u ngrit prej së vdekuri.

Ringjallja është vetë themeli i ungjillit: “Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh” (Romakëve 10:9)… “Sepse unë ju kam transmetuar para së gjithash ato që edhe unë vetë i kam marrë, se Krishti vdiq për mëkatet tona sipas Shkrimeve, se u varros dhe u ringjall të tretën ditë, sipas Shkrimeve” (1 Korintasve 15:3-4). E si do të mund t’i sjellë Zoti një ditë me vete, nga Parajsa në tokë, shenjtorët e vdekur, nëse ata janë thjesht duke fjetur tani në varr? “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin” (1 Korintasve 15:22). Duke iu referuar ringjalljes së të vdekurve, Bibla e Gjenevës thotë se Perëndia “do t’i thërrasë trupat e të vdekurve prej varrit dhe do t’iua bashkangjisë përsëri atyre edhe vetë shpirtrat”. 

Përfundim                      

Besimtari, që vërtet beson në ringjalljen e Krishtit, nuk ka nevojë të gërrmojë më shumë për të parë nëse egziston apo jo jetë pas vdekjes. Ai e di se egzistenca e përjetshme e tij është e siguruar në Krishtin. Jakobi 2:26 na paraqet një përkufizim të qartë të vdekjes: “Trupi pa frymën është i vdekur“. Prandaj, në momentin e vdekjes, vetëm trupi është ai, që vdes. “Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim… Sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë” (Filipianëve 1:21, 23). Këto fjalë nuk do të kishin kuptim fare, po qe se, në momentin e vdekjes, shpirti bie në gjumë. Doktrinat e ‘gjumit të shpirtit’, të ‘anihilimit të shpirtit’, ‘limbit’ (apo vendit të të harruarve), si edhe të ‘purgatorit’ nuk gjenden fare në Bibël, ndaj edhe duhen hedhur poshtë prej të gjithë besimtarëve: “Dhe, duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin vetëm një herë, dhe më pas vjen gjyqi” (Hebrenjve 9:27).

Mbrapa

Advertisements