Kupa ime po derdhet

Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.” (Psalmi 23:1-6).

Parathënie

Njeriu mëkatar nuk kënaqet kurrë me ato që ka, ndaj edhe për këtë arsye, kupa e tij është gjithmonë bosh. Por besimtari i krishterë, i cili i beson Zotit e jo botës, që t’ia plotësojë të gjitha nevojat, e ka kupën të mbushur me bekime, lumturi dhe mrekulli. Ai jo vetëm që ka, por ka me bollëk!

Kupa boshe

Ata, që nuk e njohin Krishtin si Shpëtimtar, iu drejtohen gabimisht të tjerëve, me qëllim që t’iua plotësojnë nevojat e tyre. Por edhe kur e mbushin barkun me ato që iu jep bota, prapëseprapë nuk ngopen, ngaqë kupat e botës janë të çara e të prishura. “Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin” (Jeremia 2:13). Mund ta kemi pasurinë, që ka bota, shëndetin dhe famën, e prapëseprapë, nuk kemi për të qenë të lumtur.

Njerëz të tillë nuk gjejnë kurrë kënaqësi të vërtetë në këtë jetë dhe, edhe pse kanë pasuri të madhe, e kanë shpirtin më të varfër nga të gjithë, ngaqë kënaqen vetëm me gëzimet supërfaqësore dhe jetë-shkurtra të botës. Kjo mungesë kënaqësie i bën këta njerëz të etur për më shumë pasuri dhe për më shumë mënyra si e si t’i shpenzojnë ato që kanë. Kjo, si pasojë, shkakton formimin e veseve të këqija tek këta njerëz të pasur e të famshëm.

Fatkeqësisht, në ditët e sotshme edhe kupat e shumicës së krishterëve janë bosh. Është për të të ardhur keq, kur i sheh ata tek përdorin metodat e botës, për ta mbushur boshllëkun që ndjejnë në zemër. Nuk është më një gjë e jashtëzakonshme t’i shohësh besimtarët, që pijnë alkol, apo që merren me gjëra të tjera të kësaj bote mëkatare. Nuk e ka fajin Krishti, apo Kisha e Tij për këtë. Përkundrazi, kjo vjen si rezultat i mungesës së mësimit biblik dhe pranisë së një besimi  të dobët në jetën e besimtarit. Besimtarë të tillë i shkojnë pas qejfit e jo besimit dhe aty ku nuk ka besim, aty boshatiset edhe kupa. “Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë” (Hebrenjve 11:6)… “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmi 16:11).

Kupa që derdhen

Krishti është gjithçka” (Kolosianëve 3:11). Këtë dëshiron edhe besimtari i vërtetë, sepse vetëm nëpërmjet Krishtit, marrim atë që na nevojitet. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” (Romakëve 8:32). Për këtë arsye, mund të vijmë tek Ai e t’i lutemi, duke e ditur se Perëndia është gati të na japë atë që dëshirojmë dhe atë që Ai e di se ka për t’u na bërë bekim, në përputhje me vullnetin e Tij. “Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet” (Gjoni 15:7)… “Dhe Perëndia im do të plotësojë të gjitha nevojat tuaja sipas pasurisë së tij në lavdi, në Jezu Krisht” (Filipianëve 4:19).

Ngaqë “të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë “po” dhe në atë “amen”” (2 Korintasve 1:20), do ta shohim se kemi për të marrë më shumë se sa ç’e imagjinojmë. “Do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji” (Luka 6:38). E tillë është jeta e bollëkshme, që mund të na e japë vetëm Jezusi. Bota na than e na lë bosh. Por Ai na ofron “jetë …me bollëk” (Gjoni 10:10), më shumë se sa ç’e meritojmë! Por të mos kujtojmë se këto bekime janë thjesht të përkohshme, sepse ashtu siç thotë edhe Davidi: “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (Psalmi 23:6).

Përfundim   

A e kemi kupën bosh, apo po na derdhet? Ndoshta kujtojmë se Perëndia nuk është në gjendje të na bekojë aq shumë, për shkak të mësimit biblik, që kemi marrë, apo për shkak të mosbesimit tonë. Ndoshta jemi ‘të etur’, ngaqë e kemi larguar kupën nga “burimi i jetës” (Psalmi 36:9), duke kujtuar se jemi vetë burim bekimi. Ia kemi vjedhur kështu lavdinë Perëndisë.

Të gjithë të krishterët duhet të jenë në gjendje të këndojnë së bashku me Davidin: “Kupa ime po derdhet”. Po nuk kënduam dot kështu, atëherë kjo tregon se diçka nuk është në rregull në jetën tonë. Ndoshta po përpiqemi ta ‘mbushim kupën’ tek një burim i gabuar, ndaj edhe ndihemi bosh në zemër. Ndoshta na mungon besimi dhe përkushtimi ndaj Perëndisë.

Le të mos kërkojmë të kënaqemi me ato gjëra, me të cilat kënaqet edhe bota. Por përkundrazi, le të kthehemi tek Zoti dhe t’i besojmë Atij, që të na japë gjithçka, që na nevojitet. “Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”. Sepse janë paganët ata që kërkojnë të gjitha këto gjëra; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen” (Mateu 6:31-33).

Mbrapa

Advertisements