Kupa që derdhet

Teksti i studimit: Psalmi 23

Parathënie

Tek vargu i Psalmit 23, Davidi thotë: “Kupa ime po derdhet“. Sikur të gjithë të krishterët, që besojnë në Bibël, të thonin kështu, atëherë shumë shpejt rilindja për të cilën lutemi kaq fort, ka për të ardhur. Një përvojë e tillë nuk ka pse të na duket si ëndërr, sepse Zoti Jezus Krisht erdhi, në mënyrë që pasuesit e Tij “të kenë jetë e ta kenë me bollëk” (Gjoni 10:10). S’është për t’u habitur, pra, konkluzioni, që nxjerr Davidi në fund të Psalmit 23, kur thotë: “Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata” (vargu 6). Ai e dinte kuptimin e një jete të mbushur me bekime të bollshme.

Jezusi mjafton

Zoti nuk na çon në haxhillëk (apo pelegrinazh), në ndonjë vend të largët, të ashtu-quajtur ‘të shenjtë’, me qëllim që të bekohemi. Nuk e gjejmë bekimin, kur i shkojmë pas ndonjë predikuesi të famshëm, me qëllim që ai të na vërë duart mbi kokë e të na bekojë. Përkundrazi, Jezusi na ofron Vetveten dhe ky është i vetmi bekim, për të cilin kemi nevojë ne. “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Gjoni 14:6). Nëse Ai është e vetmja rrugë shpëtimi, atëherë s’ka dyshim se Ai është po ashtu edhe e vetmja rrugë drejt një jete të bekuar, ngaqë gjithçka që na jep Perëndia, është e përsosur, e plotë dhe e mjaftueshme.

A e kemi zemrën plot?

Gruaja samaritane erdhi për të nxjerrë ujë nga pusi i Jakobit, por nuk ishte kova, por zemra e saj ajo, që u mbush plot e përplot prej takimit me Jezusin. Feja, traditat dhe prejardhja e saj familjare nuk mund t’ia shuanin dot etjen shpirtërore, por u deshën vetëm pak fjalë prej Jezusit dhe ajo u ngop. “Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: “Më jep të pi!,” ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë… Por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme” (Gjoni 4:10, 14). E që prej asaj dite, kupa e saj vazhdonte të derdhej. Po ne, a mund të bekohemi më me bollëk, sesa po të pijmë prej burimeve, që na ka siguruar Perëndia? “Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit” (Isaia 12:3).

A e kemi bosh kupën?

Me pak fjalë, pra, a kemi etje për gjithçka, që na siguruar Zoti në Krishtin? “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë. Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë” (Gjoni 7:37-38). Shumica e besimtarëve po përjetojnë vetëm ca pika të dobta bekimi në jetën e tyre, në vend që të përjetojnë përronj shpërthyes. Pse ndodh kjo?

Arsyeja kryesore pse kupa jonë nuk po derdhet është se nuk i besojmë Zotit ashtu siç duhet. Kur u shpëtuam, u pagëzuam në Krishtin nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Që prej atij momenti, Perëndia na dha mundësinë për të shijuar një mbushje të vazhdueshme me Frymën e Shenjtë. “Mbushuni me Frymë” (Efesianëve 5:18)… “Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë” (Romakëve 8:14). Shpeshherë, në vend që të udhëhiqemi prej Frymës, ne vendosim që ta jetojmë jetën e krishterë me forcat tona e, si rezultat, e shohim sesi jeta që kujtojmë se kemi, shpejt fillon e thahet. “Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin” (Jeremia 2:13). Të kesh jetë të përjetshme do të thotë të marrësh “pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit” dhe të mbushesh “me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efesianëve 3:8, 19). Kupa jonë fillon e boshatiset, atëherë kur harrojmë që t’i besojmë Krishtit. “Që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit” (Efesianëve 3:17).

Çfarë presim?

Në shkretëtirë, po të na thahej goja e dikush të na jepte një kupë me ujë, që po derdhej, do të ishim të marrë të mos e pinim e ta shuanim etjen. Pse hezitojmë, pra? Arsyeja është se i kemi vënë kufinj Perëndisë, duke kujtuar se Ai është në gjendje të bëjë ca gjëra, por jo gjithçka. Por Perëndia dëshiron të na japë më shumë sesa ç’presim ne prej Tij! “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve” (Efesianëve 3:20-21). Ai dëshiron, që të themi me gëzim: “Kupa ime po derdhet“!   

Përfundim

Kemi një burim jete, që kurrë nuk thahet. Ajo që kërkohet prej nesh, është thjesht të pimë prej këtij burimi. Të pirit është gjëja e parë, që mëson foshnja e sapolindur, sepse është diçka natyrale. Të pirit të çon në rritje, me qëllim që edhe mrekullitë e tjera të jetës të shijohen me rradhë. Krishti ka dëshirë, që populli i Tij ta marrë çdo ditë lavdinë e Tij. “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit” (2 Korintasve 3:18). Nga pikëpamja e Perëndisë, jeta normale e krishterë duhet të jetë e bollshme, e plotë, ashtu si një kupë, që derdhet.

Mbrapa