Kur?

“Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën. Sepse, kur thonë: “Paqe dhe siguri,” atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë” (1 Thesalonikasve 5:1-3).

Parathënie

Shumë njerëz janë munduar ta parashikojnë Ardhjen e Dytë të Zotit Jezus Krisht. Në një farë mënyre, parashikime të tilla filluan të thureshin që në kohën e kishës së hershme dhe vazhdojnë të thuren edhe sot. Një nga studimet, që ka zënë një vend të rëndësishëm gjatë këtyre dekadave të fundit, ka qenë eskatologjia, ose studimi i Shkrimeve biblike, që kanë të bëjnë me Ditët e Fundit. Por ky studim, së bashku me famën e tij, ka përhapur edhe shumë ide të pabazuara në Bibël. Që në fillim, besimtarët kanë dashur t’ia gjejnë përgjigjen pyetjes: “Kur do të kthehet Krishti?” “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?” (Mateu 24:3)… “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” (Veprat e Apostujve 1:6). Apostulli Pal përpiqet të na japë një përgjigje të saktë lidhur me Ardhjen e Dytë të Krishtit.

Mos i bini fyellit në një vrimë!

Ka të ngjarë që besimi i besimtarëve të Thesalonikut po vihej vazhdimisht në provë prej teorive fallco, që kishin të bënin me ardhjen e Krishtit. Pali po iu thotë atyre se ai e kishte trajtuar njëherë këtë çështje, kur ai vetë iu kishte dhënë atyre mësim lidhur me ardhjen e Krishtit. Ata s’kishin nevojë për mësime të tjera, sepse e dinin gjithçka që duhej ditur. Ndoshta, gjatë udhëtimit të tij misionar në atë qytet, Pali iu kishte mësuar atyre profecitë e Obadias, Joelit, Amosit, Isaias, Danielit, Sofonias, Ezekielit, Zakarias dhe Malakisë, lidhur me ngjarjet e Ditëve të Fundit. Pa dyshim, ai iua kishte përsëritur atyre vetë fjalët e Krishtit lidhur me këtë çështje. Tani, atij s’i mbetej më gjë tjetër, veçse t’iua përforconte atyre atë, që iua kishte mësuar më parë. Të gjithë e dimë sesa gjë e bezdisshme është, kur kujtojmë se kemi mbaruar punë me një doktrinë të rreme, kur papritur, e shohim se ajo e ngre kokën prapë lart e përpiqet të na e shkatërrojë besimin. “Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im” (Mateu 24:36).

Si hajduti natën

Kthimi i Krishtit nuk do të shpallet paraprakisht nëpër gazeta, apo në organet e tjera të shtypit. Hajduti nuk i tregon të zotit të shtëpisë, se kur ka ndër mend të vijë e t’ia vjedhë shtëpinë. Por policia na paralajmëron që të jemi gati, në mënyrë që t’i ruajmë ato që kemi. Në këtë pasazh biblik, Pali nuk ka si qëllim që të na e përshkruajë Krishtin si dikë, që do të na zërë me prasë në dorë, por Pali thjesht përdor një shprehje figurative, për të na treguar se askush nuk e di se kur do të vijë Zoti. “Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut” (Mateu 25:13)… “Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën” (2 Pjetrit 3:10)… “Kujto, pra, atë që more dhe dëgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij te ti” (Zbulesa 3:3)… “Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij” (Zbulesa 16:15). Ata që caktojnë ditën dhe orën e ardhjes së Krishtit, veprojnë në kundërshtim me mësimin e qartë të fjalës së Perëndisë. “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet” (Veprat e Apostujve 1:7). Shumica e pasazheve biblike, në të cilat përdoret e njëjta shprehje figurative, kanë të bëjnë me aspekte të tjera të Ditës së Zotit. Por Shkrimet, që kanë lidhje me Ardhjen e Dytë dhe Rrëmbimin Lart, na janë dhënë për të na përgatitur, sepse Ai do të kthehet, ashtu siç e premtoi edhe Vetë: “Do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje” (Gjoni 14:3). E megjithatë, pavarësisht se cilës periudhë të Ditëve të Fundit i referohen pasazhet e ndryshme biblike, një gjë është e qartë: ato e përgatisin kishën për gjithçka, që ka të bëjë me ditët e fundit të historisë botërore.

Paqe botërore

Atëherë kur bota kujton se ka gjetur paqe, begati e siguri, atëherë ndoshta do të jetë koha kur do të kthehet Zoti. Nuk mund të ketë paqe të vërtetë pa “Princin e Paqes” (Isaia 9:6). Por bota kujton se mund ta gjejë paqen pa Krishtin, prandaj edhe e hedh poshtë dhe e përbuz çdo gjë, që ka të bëjë me ardhjen e Tij. “Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij?” (2 Pjetrit 3:3-4). Ashtu si judenjtë, që nuk deshën ta besonin se do të jetonin në robëri në Babiloni, ashtu edhe bota do ta mohojë çdo lloj ideje, lidhur me gjykimin përfundimtar të Perëndisë: “Paqe, paqe,” kur nuk ka paqe” (Jeremia 6:14). Ja pra, kjo është njëra nga shenjat, që na tregon mundësinë e Ardhjes së Dytë të Krishtit. Por, prapëseprapë, duhet të tregojmë kujdes, që të mos caktojmë data.

Gjithçka, që të çon drejt ardhjes së Krishtit, i ngjason dhimbjeve të lindjes. “Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur” (Mateu 24:6). Çdo ditë që kalon, na sjell gjithnjë e më pranë “shpresës së lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht” (Titit 2:13)… “Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam” (Romakëve 13:11).

Ardhja e Tij do ta habisë botën, por jo kishën, e sidomos besimtarët, të cilët do ta kenë përgatitur veten për këtë ngjarje. Le t’iu tregojmë të tjerëve rreth kësaj ardhjeje, por le t’i shmangemi caktimit të datave. Bota dhe të gjithë ata, që jetojnë në të, janë të humbur pa Krishtin. Edhe pse ngjarjet e ditëve të fundit mund të vonohen për ca kohë, e kemi për detyrë që t’i paralajmërojmë të tjerët rreth tyre. “Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt. Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme, duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?” (2 Pjetrit 3:10-12)… “Në rast se unë i them të pabesit: “Me siguri ke për të vdekur,” dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij” (Ezekielit 3:18).

Përfundim                      

Pali, në këtë pasazh, ka si qëllim që ta parandalojë këdo, që përpiqet ta caktojë datën e Ardhjes së Dytë të Krishtit, si edhe t’i paralajmërojë ata, që kujtojnë se kanë njohuri të veçanta lidhur me këtë ngjarje. Ai i bën thirrje kishës që të shenjtërohet, tek pret ardhjen e Zotit. Edhe pse nuk e dimë as ditën, as orën, prapëseprapë, mund të jetojmë me shpresën e Ardhjen së Dytë të Tij në zemrat tona.

Mbrapa

Advertisements