Kurora e Gëzimit

“Dhe ne, o vëllezër, mbasi mbetëm pa ju për një kohë të shkurtër, trupërisht por jo me zemër, u përpoqëm edhe më shumë, nga malli i madh, të shohim përsëri fytyrën tuaj. Prandaj deshëm, të paktën unë Pali, të vijmë te ju jo një, por dy herë, por Satani na pengoi. Cila në fakt është shpresa jonë, a gëzimi, a kurora e lavdisë? A nuk jeni pikërisht ju, përpara Zotit tonë Jezu Krisht në ardhjen e tij? Ju jeni në fakt lavdia dhe gëzimi jonë” (1 Thesalonikasve 2:17-20).

Parathënie

Tek Veprat e Apostujve 17:5-10, lexojmë rreth arratisjes së Palit prej Thesalonikut, për shkak të ligësisë së drejtuesve të Judenjve: “Por Judenjtë, të cilët nuk kishin besuar, patën smirë dhe morën me vete disa njerëz të këqij nga ata të rrugëve të tregut dhe, si mblodhën një turmë, e bënë rrëmujë qytetin; edhe sulmuan shtëpinë e Jasonit dhe kërkonin ata për t’i nxjerrë përpara popullit. Por, mbasi nuk i gjetën, e hoqën zvarrë Jasonin dhe disa vëllezër përpara krerëve të qytetit, duke thirrur: “Ata që e kanë bërë rrëmujë botën, kanë ardhur edhe këtu, dhe Jasoni këta i priti; të gjithë këta veprojnë kundër statuteve të Cezarit, duke thënë se është një mbret tjetër, Jezusi”. Edhe nxitën popullin dhe krerët e qytetit, që i dëgjonin këto gjëra. Por ata, mbasi morën një dorëzani nga Jasoni dhe nga të tjerët, i lejuan të shkojnë. Atëherë vëllezërit menjëherë natën i nisën Palin dhe Silën për në Berea dhe ata, sapo arritën atje, hynë në sinagogën e Judenjve“. Kësaj ngjarjeje i referohet edhe Pali në tekstin në hyrje të këtij studimi.

Të penguar prej Satanait

Pali thotë se ishte Satanai ai, që e kishte penguar atë që të kthehej në Thesalonik, për t’i parë vëllezërit e vet të dashur e për t’iu shërbyer atyre. Në greqisht, fjala “pengesë” do të thotë “të hapësh një llogore (apo një hendek) mes teje dhe armikut që po të afrohet, me qëllim që ta parandalosh atë prej së paturi sukses”. Drejtuesit e Judenjve po përpiqeshin, me aq sa kishin mundësi, për ta ndaluar Palin që të kthehej në qytet dhe, për momentin, ia kishin arritur qëllimit. Në Bibël, ka shumë vargje të tjera, që flasin në të njëjtën mënyrë rreth Judenjve: “Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj” (Gjonit 8:44)… “Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë” (Zbulesa 3:9). Ca komentatorë të Biblës bëjnë sugjerimin se Pali po i referohej një lloj sëmundjeje, e cila e pengonte atë që t’i shihte besimtarët thesalonikas: “Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua… Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh” (Galatasve 4:15, 2 Korintasve 12:7). Por një ide e tillë nuk i përshtatet asaj që thonë letrat drejtuar thesalonikasve.

Këtu e shohim qartë se ne nuk luftojmë kundër atyre që na kundërvihen,  kushdo qofshin ata – qeveria, feja, apo individë të caktuar. Lufta jonë drejtohet kundër Satanait, që i frymëzon kundërshtarët tanë: “Sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” Efesianëve 6:12). Satanai dhe demonët e tij veprojnë nëpërmjet njerëzve, sepse ata mund të ndodhen vetëm në një vend të caktuar e në një kohë të caktuar. Satanai dhe demonët nuk janë as të plotfuqishëm, as të kudondodhshëm. Kudo që Perëndia të jetë duke ndërtuar Mbretërinë e Tij, s’ka dyshim se aty është edhe Satanai me skuadrën e tij shkatërruese: “Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar” (Gjoni 10:10). Në momentin kur i dalim përkrah Perëndisë, djalli na afrohet për të na akuzuar: “Pastaj më bëri të shoh kryepriftin Jozue, që qëndronte drejt përpara engjëllit të Zotit, dhe Satanai që rrinte në të djathtën e tij për ta akuzuar” (Zakaria 3:1).

Një rrugëzgjidhje

Pali nuk hoqi dorë së përpjekuri, edhe pse nuk mund t’iu gjendej pranë besimtarëve të tjerë. Përkundrazi, ai iu shkroi atyre letra shpirtërore. Perëndia gjithmonë e përgatit një rrugëzgjidhje, me qëllim që fjala e Tij t’iu bjerë në dorë atyre, që e kërkojnë të vërtetën. Nuk ka fuqi mbi tokë apo në Ferr, që të mund ta pengojë Perëndinë. Po qe se Satanai do të kishte mundur ta pengonte Perëndinë, atëherë dy letrat drejtuar thesalonikasve as nuk do të ishin shkruar fare, as nuk do të gjendeshin në Bibël, për të na inkurajuar edhe neve: “Ju keni kurdisur të këqija kundër meje, por Perëndia ka dashur që t’i shërbejë së mirës, për të kryer atë që po ndodh sot: të mbash gjallë një popull të shumtë” (Zanafilla 50:20).

Pse u mundua kaq shumë Pali? Përgjigja gjendet në faktin se ai i donte ata, të cilëve po iu shërbente. Kjo shihet në vargun që thotë se ai ishte larg tyre trupërisht, por “jo me zemër” (vargu 17). Pengesa djallëzore, në vend që t’ia pakësonte Palit dashurinë për vëllezërit besimtarë, ia shtoi atij atë edhe më shumë. Kjo letër, e dorëzuar prej Timoteut, ishte dëshmia që vërtetonte se Pali as nuk i kishte harruar të krishterët në Thesalonik, as nuk e kishte dobësuar dashurinë e tij për ta, për shkak të vuajtjeve të tij personale. Përkundrazi, Pali donte t’i shihte ata edhe më shumë.

Për të, besimtarët thesalonikas ishin kurora e lavdisë dhe e gëzimit, në ditën e ardhjes së Krishtit. Në komentimin që i bën këtij vargu, Dhiata e Re e Popullit thotë: “Ashtu si fituesi i lojrave olimpike i drejtohej kurorës, si dëshmi e fuqisë së tij, ashtu edhe Pali i drejtohej kishave të johebrenjve si dëshmi e shërbesës së tij”. Këta besimtarë ishin dëshmia e dashurisë së tij për Krishtin dhe për ungjillin. Pali gjithë jetën kishte punuar për t’i parë të tjerët të shpëtuar e duke ndjekur Krishtin: “Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë” (2 Korintasve 10:15). Kemi për çfarë të gëzohemi, kur e shohim se ata, të cilëve iu kemi treguar më parë për Krishtin, po rriten në Zotin: “Sepse u gëzova shumë kur erdhën disa vëllezër dhe dëshmuan për besnikërinë tënde ndaj së vërtetës, se si ecën ti në të vërtetën. Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” (3 Gjonit: 3-4)… “Prandaj, o vëllezër të dashur dhe fort të dëshiruar, gëzimi dhe kurora ime, qëndroni kështu në Zotin, o shumë të dashur” (Filipianëve 4:1).  

Përfundim                      

Ndoshta shqetësohemi, kur mendojmë se si do t’ia bëjmë, kur të predikuarit e mesazhit të Ungjillit të ndalohet me ligj në vendin tonë. Si do t’iu tregojmë të humburve për Krishtin, kur kishat të jenë mbyllur fare? Perëndia nuk na lë pa mjetet, që na duhen për ta kryer punën e Tij. Edhe pse mund të pengohemi prej politikanëve e prej drejtuesve të ligë fetarë, prapëseprapë Perëndia nuk mund të mundet dot prej planeve të armikut: “Kështu do të jetë fjala ime e dalë nga goja ime; ajo nuk do të më kthehet bosh mua, pa kryer atë që dëshiroj dhe pa realizuar plotësisht atë për të cilën e dërgova” (Isaia 55:11)… “Dyert e ferrit nuk do ta mundin” kishën e Krishtit (Mateu 16:18). Mesazhi i shpëtimit do të transmetohet në të gjithë botën, derisa Epokës së Kishës t’i vijë fundi: “Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!”. Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!”. Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës” (Zbulesa 22:17).

Mbrapa

Advertisements