Kurrë mos e nënvlerëso Satanain

“Për këtë arsye edhe unë, mbasi nuk rezistoja më, dërgova të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju kishte tunduar tunduesi, dhe mundimi ynë të kishte shkuar kot” (1 Thesalonikasve 3:5).

Parathënie

Pali u gëzua, kur dëgjoi se të krishterët në Thesalonik po rriteshin në besim, pavarësisht nga vështirësitë, persekucioni dhe vuajtjet. Ai e kishte merak mirëqënien e tyre shpirtërore, ndaj edhe e dërgoi Timoteun, si për t’i inkurajuar thesalonikasit, ashtu edhe për t’i sjellë atij vetë lajm rreth tyre.

Shqetësimi

Ka të ngjarë që Pali të ketë qenë në agoni shpirtërore, ndërsa priste lajm prej Thesalonikut. Ishte i shqetësuar, ngaqë Satanai po mundohej t’iua shkatërronte thesalonikasve besimin, duke i tërhequr drejt rrugëve të vjetra pagane. Prandaj edhe Timoteu kishte si detyrë që t’i inkurajonte dhe t’iu përcillte atyre lajme nga Pali, si dhe t’i raportonte Palit ato që kishte parë e dëgjuar prej besimtarëve të Thesalonikut. Po qe se besimtarët do të ishin kthyer tek feja e rreme dhe tek mëkati, atëherë tërë përpjekjet e shpenzuara për t’i kthyer ata tek Krishti, do të kishin shkuar dëm. Mateo Henri ka thënë: “Nëse djalli nuk arrin t’i pengojë pastorët prej së predikuarit të fjalës e të doktrinës, atëherë ai do ta pengojë, me sa të ketë mundësi, suksesin e punës së tyre”.

A kishte Pali të drejtë të shqetësohej? Ai e dinte se në ç’mënyrë punonte e thurte plane Satanai për ta shkatërruar ungjillin: “Që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij” (2 Korintasve 2:11). Ai e dinte gjithashtu se askush nuk është i përjashtuar prej tundimit: “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit” (Efesianëve 6:11).

Plani i Satanait

Nuk duhet të jemi të paditur lidhur me qëllimin e tij përfundimtar: “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë” (1 Pjetrit 5:8-9). Ndoshta dërgimi i Timoteut kishte si qëllim parandalimin e një sulmi të tillë satanik mbi besimtarët thesalonikas. Nuk kaloi shumë kohë, kur mësuesit e rremë erdhën vërtet në kishë dhe mbollën farat e dyshimit: “Të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit” (2 Thesalonikasve 2:2). Nëse djalli e tundoi Jezusin, që ta hidhte poshtë detyrën e Tij, atëherë, me siguri, që ai do të përpiqet për të na mashtruar e për të na larguar edhe ne prej Krishtit (shiko Mateu 4:1-11).

Pali e dinte se nuk duhet nënvlerësuar armiku i shpirtit të njeriut. Në fakt, kjo është hera e dytë, që ai përmend veprimtarinë e Satanait: “Prandaj deshëm, të paktën unë Pali, të vijmë te ju jo një, por dy herë, por Satani na pengoi” (1 Thesalonikasve 2:18). Në kishën e sotme, ka ca që kujtojnë se janë në gjendje ta mposhtin Satanain, ndaj edhe bëjnë ca komente pa mend rreth tij: “Por kryeengjëlli Mikael, kur në kundërshtim me djallin debatonte për trupin e Moisiut, nuk guxoi të shqiptojë një gjykim fyes, por tha: “Zoti të qortoftë!” (Judeut :9). Djalli do t’i mposhtë mendjemëdhenjtë, por ne do të korrim fitore mbi të, përsa kohë që i qëndrojmë besnikë udhëzimeve që na janë dhënë në fjalën e Perëndisë, d..m.th. duhet të ecim në shenjtëri: “Ne dimë se kushdo që ka lindur nga Perëndia nuk mëkaton; ai që ka lindur nga Perëndia e ruan veten e tij, dhe i ligu nuk e prek atë” (1 Gjonit 5:18), duhet të kemi brenda nesh praninë e Frymës së Shenjtë: “Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë” (1 Gjonit 4:4) dhe duhet t’i nënshtrohemi Zotit: “Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju! Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!” (Jakobit 4:7-8). Fitorja fitohet me anë të besimit: “Sepse çdo gjë që ka lindur nga Perëndia e mund botën; dhe kjo është fitorja që e mundi botën: besimi ynë. Cili është ai që e mund botën, veç se ai që beson se Jezusi është Biri i Perëndisë?” (1 Gjonit 5:4-5).       

Përfundim                      

Do të ballafaqohemi me periudha vuajtjesh e persekucioni. Është e mundur që secili prej nesh ta hedhë poshtë Krishtin e ta mohojë ungjillin. E megjithatë, Perëndia na ka pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për t’i rezistuar guximshëm Satanait, si edhe për t’u rritur në besim: “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Korintasve 15:58).

Mbrapa

Advertisements