Kush është Davidi?

“Kur Davidi mësoi në shkretëtirë që Nabali ishte duke qethur delet e tij, dërgoi dhjetë të rinj; Davidi u tha të rinjve: “Ngjituni në Karmel, shkoni tek Nabali dhe pyeteni nga ana ime në se është mirë, dhe i thoni kështu: “Shëndet! Paqe ty, paqe shtëpisë sate dhe paqe çdo gjëje që të përket! Mësova që te ti ndodhen qethësit; kur barinjtë e tu ndodheshin te ne, nuk u kemi bërë asnjë të keqe, dhe nuk u ka munguar gjë gjatë kohës që kanë qenë në Karmel. Pyet shërbëtorët e tu dhe do të ta thonë. Paçin hirin tënd këta të rinj, sepse kemi ardhur në një ditë gëzimi; jepu, të lutem, shërbëtorëve të tu dhe birit tënd David ç’të kesh mundësi””. Kështu të rinjtë e Davidit shkuan dhe i njoftuan Nabalit tërë këto fjalë në emër të Davidit, pastaj pritën. Por Nabali iu përgjegj shërbëtorëve të Davidit, duke thënë: “Kush është Davidi dhe kush është biri i Isait? Sot ka shumë shërbëtorë që largohen nga zotërinjtë e tyre. Do të marr, pra, bukën time, ujin tim dhe mishin e kafshëve që kam vrarë për qethësit e mi, për t’ua dhënë njerëzve që unë nuk di se nga vijnë?”. Kështu të rinjtë e Davidit morën përsëri rrugën e tyre, u kthyen dhe shkuan të njoftojnë tërë këto fjalë. Atëherë Davidi u tha njerëzve të tij: “Secili do të ngjesh shpatën”. Kështu secili ngjeshi shpatën e tij dhe Davidi ngjeshi të vetën; rreth katërqind veta shkuan pas Davidit dhe dyqind mbetën me plaçkat” (1 Samuelit 25:4-13).

Parathënie

Davidi priti që Nabali ta bekonte, por, përkundrazi, në vend të bekimit, mori një mallkim prej tij. Jo vetëm kaq, por Nabali e shau dhe e ofendoi Davidin me gjithë njerëzit që e rrethonin, duke i thënë se nuk e njihte fare atë. Edhe ne përjetojmë momente të tilla në jetën tonë të krishterë. I bekojmë, i inkurajojmë, apo i ndihmojmë të tjerët, por marrim prej tyre vetëm fyerje e ofendime.

Kërkesa

Davidi dhe njerëzit e tij ishin vazhdimisht në kërkim të bukës së gojës. Prandaj edhe kur e morën vesh se Nabali kishte shtruar një gosti për familjen e vet, ata e konsideruan këtë si një moment të favorshëm, për t’i kërkuar një nder Nabalit. Në fakt, Davidi thjesht po i kërkonte atij kompensim për ndihmën, që i kishte dhënë. Njerëzit e Davidit i kishin mbajtur larg vjedhësit e deleve, sidomos filistenjtë dhe amalakitët. Ata kishin shërbyer si një mur mbrojtës rreth e rrotull pronave të Nabalit, nga mëngjesi deri në darkë. Pronarët zakonisht iu ishin mirënjohës ushtrive të ndryshme, si ajo e Davidit, dhe “ishin gati t’iua plotësonin atyre çdo nevojë, që të kishin, sidomos kur këto ushtri iua kishin mbrojtur bagëtinë prej sulmeve të armikut” (R. P. Smith). Por Nabali nuk ishte aspak një njeri bujar dhe mirënjohës.

E vëmë re se si Davidi iu tha njerëzve të tij, që ta përshëndesnin me përzemërsi Nabalin, që të mos dukej sikur po i kërkonin lëmoshë. Ata e përshëndetën, pra, Nabalin me shumë respekt, por ai nuk iu ofroi atyre as edhe një pikë mikëpritjeje, apo bujarie. Ata, me përulje të madhe, i kërkuan atij ca ushqime, qoftë edhe ato, që do të mund të tepronin, në fund të gostisë. Kërkesa e tyre, pra, ishte shumë modeste. I treguan atij rreth mbrojtjes, që i kishte dhënë Davidi, një fakt ky, rreth të cilit ishin mirë në dijeni edhe vetë shërbëtorët e Nabalit.

Disa komentatorë kanë sugjeruar se Davidi po vepronte si një mafioz. Por, po të ishte e vërtetë kjo, atëherë Davidi do të kishte dërguar më shumë sesa dhjetë vetë tek Nabali, me qëllim që ta detyronte atë, që t’i jepte ushqime me forcë. Po të donte ta kërcënonte Nabalin, atëherë Davidi kishte patur mundësi, që të vepronte kështu edhe më parë. Përkundrazi, ai priti, derisa e pa se nuk do t’i bëhej shumë barrë Nabalit nga ana financiare. Ushtria e Davidit, pra, nuk i ngjante aspak mafias italiane.

Përgjigja

Nabali, ngaqë ishte i ligë si njeri, tha: “Kush kujton Davidi se është?”. E quajti Davidin skllav të arratisur. Nabali s’kishte ndërmend t’i mbante me bukë shërbëtorët rebelë të Mbretit Saul, të cilëve iu dukej vetja kushedi se çfarë. Nabali bën fjalë rreth pasurive të tij, tamam si një fëmijë i llastuar dhe egoist: “buka ime, uji im, mishi i kafshëve të mia, qethësit e mi” etj. Ai, jo vetëm që po i kundërvihej Davidit, por po vepronte gjithashtu edhe kundër vullnetit dhe ligjit të Perëndisë. “Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar; por do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka” (Ligji i Përtërirë 15:7-8).

Ashtu si pasaniku budalla i shëmbëlltyrës së Lukës 12:16-21, edhe Nabali kujtoi se e kishte fituar tërë këtë pasuri me forcat e veta, pa e marrë parasysh fare Perëndinë. Mateo Henri shkruan se “gabojmë, kur kujtojmë se jemi zotër absolutë të asaj pasurie që kemi dhe, si të tillë, mund të veprojmë me të si të na dojë qejfi. Jo, përkundrazi, jemi thjesht rojtarë, ndaj duhet ta përdorim pasurinë tonë, siç na drejton Zoti, duke mos e harruar se kjo pasuri nuk është e jona, por e Tija, dhe Ai na e ka lënë atë në dorëzim”. “Sepse njeriu i përçmuar thotë gjëra të neveritshme dhe zemra e tij jepet pas paudhësisë, për të kryer pabesi dhe për të thënë gjëra pa respekt kundër Zotit, për ta lënë bosh stomakun e të uriturit dhe për ta lënë thatë atë që vuan nga etja” (Isaia 32:6).

Hakmarrja

Davidin e kishin ofenduar edhe herë të tjera, por kjo fyerje ishte sidomos e tepruar, sepse edhe vetë familja e Nabalit e pranoi se fjalët e tij kishin qenë shumë të ashpra. “Ai i ka fyer” (1 Samuelit 25:14). Edhe ne, ashtu si Davidi, nxitohemi nganjëherë për t’u hakmarrur kundër atyre, që na tallin, na përçmojnë e na ofendojnë. “Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti” (Romakëve 12:19). Po ta kishte çuar Davidi  deri në fund qëllimin e tij e ta kishte vrarë Nabalin, puna do të ishte keqësuar edhe më shumë. Por Perëndia ndërhyri dhe e qetësoi situatën. “Ka nga ata njerëz, që kanë shpirt martiri e që janë gati që, më mirë të ballafaqohen me vdekjen, sesa ta hedhin poshtë besimin e tyre në Krishtin. E megjithatë, shpeshherë, të tillë njerëz pësojnë humbje, atëherë kur tundohen prej tundimeve nga më të zakonshmet të jetës së përditshme. E humbin durimin, madje kur provokohen qoftë edhe sadopak” (Robert Bleiki).  

Përfundim

Nabali mendonte vetëm për veten dhe për pasurinë e tij. Por shumë shpejt i humbi të gjitha. Ne duhet të tregojmë kujdes, që të mos i gjykojmë tej mase njerëz të tillë zemër-gurë. Le t’i lëmë ata në duart e afta të Perëndisë. 

Mbrapa

Advertisements